Pafuqia e PD të shkëputet nga plehrat

Nga Dritan Hila
Sot ka qenë një ndër ditët më të turpshme të parlamentit shqiptar, ku votuesit e të majtës panë deputetët e tyre që pa skuqje a zverdhje, votuan të njëjtin ligj që pesë vjet më parë e kishin kundërshtuar dhe ishte njëkohësisht një ndër kuajt e fushatës së 2013-ës dhe aktet simbolike kur u instaluan në qeveri. Ishte prova e mungesës së karakterit të 63 personave votimi atij ligji.
Vetëm 3 vjet më vonë Edi Rama ka njohur koncesionet dhe i ka zgjeruar ato; ka privatizuar edhe atë pak ekonomi publike që gjeti; shpërndan fondet e buxhetit për klientët në kundërshtim me procedurat ligjore; ka justifikuar sjelljen e gardës në 21 janar; i ka dhënë leje ndërtimi ekzekutuesit të Gërdecit ngjarje të cilën e përmend vetëm për të elektrizuar idiotët e fundit që besojnë tek ai; dhe tani riaktivizoi ligjin për importimin e plehrave. Edi Ramës nuk i ka mbetur më asnjë justifikim pse kërkoi ikjen e Berishës dhe ardhjen e tij.
Problemi është se e gjithë skena politike shqiptare është e vdekur dhe nuk ngjall shpresë. Kjo u pa edhe në seancën maratonë të ditës së enjte të 22 shtatorit.
Mes debateve të ashpra, maxhoranca që zotëron 95 vota, miratoi me 63 ligjin. Ndryshe nga qëndrimi në komision, ndoshta sepse e ka kuptuar rritjen e presionit popullor dhe pakënaqësinë ndaj këtij ligji, opozita e votoi kundra në seancë plenare. Por ky votim kundra i PD, në fakt nuk i prish asnjë punë importuesve të plehrave. Ky votim kundra do të ishte vërtetë një “mea culpa”, nëse Partia Demokratike do ta shoqëronte aktin e saj edhe me një kërkesë për falje ndaj shqiptarëve për “dhuratën” që ju bënë në 22 shtator të 2011-ës. Pasi ligji që ata votuan sot kundra, është i njëjti që ata miratuan pesë vjet më parë. Përveç kësaj, falja duhej të shoqërohej me premtimin se sapo të vinte në pushtet do të shfuqizonte këtë ligj dhe do të përkrahte një referendum për ndalimin përfundimtar të importit të plehrave, si iniciativë që vulos përfundimisht si të pa aplikueshëm këtë aktivitet antishqiptar. Por ajo nuk e bëri këtë akt. Dhe kjo tregon se nuk ka asnjë vrasje ndërgjegje për aktin që ka pas bërë dhe e gjitha është një lojë politike e saj. Pasi vërtet kostot politike sot për sot i mori Edi Rama, por në terren PD-ja nuk ju prish asnjë punë importuesve dhe është e njëta aleate e tyre, vetëm se këtë herë jo haptas. Votimi i ligjit kundra nga ana e PD, nuk pengon ndotjen e Shqipërisë, dhe ca më shumë nuk është kërcënim për importuesit në të ardhmen. PD bashkë me PS po penalizojnë barabar shëndetin dhe të ardhmen e turizmit si e vetmja shpresë ekonomike e shqiptarëve.
Ky rast ishte edhe një konfirmim që PD e re nuk është në gjëndje të kërkojë edhe formalisht falje, nuk është në gjendje të dënojë as edhe një akt të gabuar të qeverisë Berisha, megjithëse këtij nuk i hynte ferrë në këmbë nga kjo gjë, megjithëse edhe vetë Berisha e dënoi sot këtë ligj. Qëndrimi i sotëm i PD, ku nuk tha qoftë edhe një fjalë të vetme për fajin e saj të dikurshëm, është edhe një shkak i freskët pse shqiptarët nuk e besojnë PD-në dhe janë kaq apatik për aksionet e saj. Pasi një parti që nuk është në gjëndje të dënojë qoftë edhe plehrat, nuk ngjall asnjë shpresë për të ardhmen./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*