A është koha të rithemelohet e majta shqiptare?

Nga Dritan Hila

Nëse e djathta në Shqipëri ende ka probleme të identitetit, e majta shqiptare i ka fillesat bashkë me ato të shtetit shqiptar.

E përfaqësuar nga personalitete të rilindjes që formuan edhe shtetin, themeluesit kishin si objektiv jo vetëm formimin e një kombi por edhe të një shoqërie ku njerëzit të kishin mundësi të barabarta jetese, arsimimi dhe pasurimi.

Luigj Gurakuqi, nënshkrues i aktiti të pavarësisë, anëtar i Kongresit të Manastirit, disa herë ministër i qeverive të shpeshta shqiptare të periudhës 1912-1924, ishte ndër përfaqësuesit e spikatur të së majtës liberale.

Ndërkohë miku i Gurakuqit, Prifti i kuq, Fan Noli, ishte ai që përfaqësonte të majtën revolucionare në Shqipëri.

Përfaqësues i krahut  radikal të opozitës shqiptare të kohës, ishte e natyrshme që të përfundonte në kryetarin e qeverisë të dalë nga revolucioni i vitit 1924.

Por në Evropë nuk ishte koha e eksperimenteve. Frika e fuqive të mëdha për prishjen e stabilitetit rajonal që mund të ndizte konflikte më të mëdha, kur sapo kishin dalë nga Lufta e Parë Botërore, si dhe simpatitë e Nolit për Bashkimin Sovjetik, shteti i parë komunist në botë dhe ende nën karantinë, bënë që të përkrahej Ahmet Zogu.

Pas kësaj filloj periudha e stabilitetit relativ të Shqipërisë, por rryma të së majtës nuk gjenin qetësi. Në perëndim u formua KONARE, akronimi i Komitetit Revolucionar Kombëtar, ndërsa elementë në radhët e ushtrisë tentuan grushte shteti si Kryengritja e Fierit, por pa sukses. Njëkohësisht kishte filluar të shfaqej edhe prania e elementëve të rinj të rrymës së komunizmit të cilët u dënuan nga Zogu në vitet e fundit të qeverisjes së tij.

Pas pushtimit italian dhe sulmit të Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik, Kominterni i kishte caktuar Partisë Komuniste Jugosllave të organizonte komunistët shqiptarë. Dy delegatë të saj ishin katalizatori që ngjizën Partinë Komuniste Shqiptare, ku shqoi një emër: Enver Hoxha.

Pas kësaj e gjitha është një histori e njohur për shumicën e shqiptarëve. Hoxha ishte një talent organizativ i cili arriti të ngjize bërthamën fituese të përbërë nga ish luftëtarë të Spanjës, ish studentë apo oficerë të Zogut me prirje komuniste, dhe eksponentë vendas të etur për të ndryshuar gjendjen sociale me metoda drastike që t’i ofron vetëm revolucioni.

Ndërkohë trashëgimtarë të së majtës shqiptare të përfaqësuar nga Balli Kombëtar bashkëpunuan me pushtuesit, duke mos i lënë mundësi vetes të kishin zë në pushtetin e pasluftës.

Nga viti 1944, komunistët shqiptarë ruajtën monopolin e pushtetit deri në vitin 1990, kur pasi kishte rënë edhe në vendlindjen e tij, komunizmi ra edhe në Shqipëri.

Nga gërmadhat e tij, një grup reformatorësh të kohës të kryesuar nga Fatos Nano, tentuan shndërrimin e Partisë të Punës në një parti socialdemokrate të tipit perëndimor.

Në kushtet e varfërisë ekstreme, opozitës, peshës të së kaluarës, luftës asimetrike nga pushteti i demokratëve, ekipi i ri ia doli të qaste një parti me frymë tolerante që kishte braktisur Marksin, njihte ekonominë e tregut, zgjedhjet e lira dhe aleancën me perëndimin.

Fitojnë zgjedhjet në vitin 1997 për ti humbur në 2005-ën. Ndërkohë një fraksion i së majtës i kryesuar nga Ilir Meta, i shtohet asaj të Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos.

Humbja e pushtetit, solli dorëheqjen e Fatos Nanos, duke lënë mbrapa një vakuum pushteti dhe çoroditje në radhët e ndjekësve, nga i cili përfitoi një personazh deri atëherë më shumë i cilësuar si antikonformist: Edi Rama.

Edi Rama doli në krye të PS me premtimin se do t’i sillte shumë shpejt në pushtet. Në fakt u deshën 8 vite të plotë. Gjatë kësaj kohe ai kishte spastruar radhët e udhëheqjes së vjetër, duke i zëvendësuar me besnikë të tij, ndërsa disa personazhe simbolikë të quajtur “xhaketa të vjetra”, u vendosën prej tij në role butaforike.

Nga programi fitues i 2013 me të cilën Rama u paraqit përpara publikut, pak ka mbetur, për mos thënë aspak.

Koncesionet e Berishës jo vetëm që nuk u anuluan por u shtuan të tjerë. Rrugët për të cilat Edi Rama kritikoi paraardhësin, mbetën aty ku ishin dhe vendi ka 3 vjet që nuk njeh investime publike të qenësishme.

Shëndetësia kaotike e Berishës është zëvendësuar nga ajo koncesionare e Ramës.

Kundërshtimi i ligjit për importin e plehrave, një betejë morale e tij në opozitë, sot është lejuar. Për më shumë, deputetët e PS janë ndër njerëzit më të pasur të vendit, kurse në takimet me investitorë potencialë të huaj, ndër kushtet e favorshme që Rama ju ofron, është mungesa e sindikatave.

E fundmja betejë në PS mes Ben Blushit dhe Edi Ramës, ajo për konkurrencë të ndershme për postin e kryetarit, kauzë që vetë Rama e kishte pasur në 2005-ën, por që këtë radhë u hodh poshtë, e përngjau Partinë Socialiste të vitit 2016 me atë të Sali Berishës kur ai sundonte me dorë të hekurt, duke i hequr të Partisë Socialiste,  iluzionin e fundit për demokraci të brendshme.

Sot, përballë një të djathte të paorientuar dhe të dobët, përballë një qeverisje e cila më shumë se ideologjinë, ka si bosht lidhjet personale me kryeministrin, lind pyetja: A ka ardhur koha të rithemelohet e majta?/dritare.net

3 Comments

  1. E KEQJA E EDIT QE NUK PO E KUPTON ESHTE QE AI NUK DEGJON AS ANALISTE QE JANE OBJEKTIV SI TANI ME SHOKE…kjo eshte budallallik dhe fatkeqsisht do shkoi per lesh.

  2. Oscar Wilde,thote: “.. te jeshe eshte e shkuara..”! “..essere e passato..”!
    Pra,rithemelimi eshte proces i natyrshem,por qe duhet bere nga njerez qe,kane demostruar se: ” kane jetuar per politiken dhe se nuk kane jetuar prej politikes..”.

  3. Po Dritan duhet reformuar,ne radhe te pare duhen hequr ata me trike leshi se Dokle me shoke qe kemi 25 vjet qe i shohim e i degjojme dhe skane asnje vlere,jane bere me keq se antaret e byrose ne kohen e atij,na dhembin syte kur i shohim.Kjo eshte per te dy krahet e politikes.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*