Vota për Klinton, si shprehje e llogjikës

Nga Dritan Hila

Duhet të ketë qenë para një viti, kur një nga ndjekësit e mi në facebook me emër mix i quajtur Peter Tase, çdo ditë më niste mesazhe të tipit: “Hë mo ç’bëhet andej?” apo “Do na thuash pse e dhe dorëheqjen, apo jo?”, çka tregonin një nivel komunikimi rudimental. Duke e ditur se rrjeti ka gjithfarë prerjesh, nuk merresha me të, deri në momentin kur në përgjigje të një statusi ku ironizoja Trump, më erdhi nga ky njeri që rezultonte edhe aktivist i fushatës së manjatit amerikan, një diare mentale që më bëri të dyshoj se ndjekësit e Trump, ashtu si idhulli i tyre kanë probleme jo të vogla me etikën, por edhe sjelljen normale.
Duke ardhur pranë ditës së votimeve dhe fakti se konkurenca është e afërt dhe qëndrimet e njerëzve gjithmonë e më të hapura, bindem se vota ka një irracionalitet të frikshëm dhe kjo vlen edhe për shqiptarët. Çdo njeri normal i cili nuk ka interesa të ngushta personale do të ishte qartaz i rreshtuar me kandidatin për president të SHBA i cili mbron interesat e tij kombëtare. Duhej të ishte normale për shqiptarët, përjashto ndokënd që fshin godinat e Trump, të rreshtohej me Hillary Klinton. Pasi gruaja që po garon i ka të gjitha atributet për të qenë dashamirēsja jonë më shumë se çdokush që ka qenë dhe do të jetë në të ardhmen në Shtëpinë e Bardhë. Por bajagi shqiptarë bëjnë tifo për Trump. Ka nga të çekuilibruarit e deri tek të fandaksurit. Vetëm tek ne mund të gjesh muslimanë që urojnë fitoren e tij, edhe pse është antiislamik i thekur; që e simpatizojnë edhe pse është pro rus, që në skakierēn ballkanike përkthehet kundër interesave shqiptare; ka të fandaksur që mendojnë se humbja e Klinton do sjellë rënien e Soros dhe rrjedhimisht të “agjentëve” të tij në Tiranë me Ramën në krye; ka nga ata që e pëlqejnë si maço; ka e çfarë nuk ka, që të bëjnë të mendosh se demokracia është një sistem i gabuar përderisa arsye të tilla janë ato që udhëheqin shumë njerëz që nesër do të vendosin se cili do të qeverisë botën. Dhe mesa duket kjo nuk është sëmundje vetëm e shqiptarëve, numri i të cilëve në botë është i vogël dhe i atyre që votojnë në SHBA, akoma më i vogël. Por në rrjet qarkullojnë arsye të tilla edhe nga shtetas amerikanë që realisht do të vendosin për fatet e SHBA dhe rrjedhimisht të botës. Vetëm arsyeja e turbulluar mund të cilësojë një miliarder klasik të akuzuar për gjithfarë trukesh, si antiestablishment; apo të konsiderosh revolucionar, dikë që qysh nga lindja ka rënë në pupla; që femrën e konsideron plaçkë dhe prapë do të ketë femra që do ta votojnë. Është rasti më i zhveshur, kur llogjika është materie e huaj për të kuptuar sesi funksionojnë turmat dhe është momenti kur bindesh se shpesh herë turmave nuk ju duhet lënë në dorë një gjë kaq serioze siç është vota. Pas dalldisë Trump, Kaligula, Neroni apo gjithfarë i ç’ekuilibruari që ka qeverisur në të shkuarën duket i kuptueshëm. Dymijë e ca vjet nuk kanë shërbyer për asgjë në edukimin e njerëzve. Ata mbeten po aq instiktivë, dritëshkurtër, që gjykojnë me stomak dhe pa tru, si edhe romakët e lashtë. Madje nëse e shkuara ka një justifikim, e tashmja nuk ka. Janë këto turma në Itali që votuan Berluskonin dhe ka ende që e qajnë, megjithëse 20 vjet dominim i skenës nga ai nuk solli gjë tjetër veçse pasurim të tij dhe ngecje të Italisë. Janë turmat në Greqi që ëndërrojnë rënien e Ciprasit dhe kthimin e nipit të Micotaqis, megjithëse ky është i akuzuar për korrupsion dhe përfaqëson kastën që qeverisi 50 vjet dhe solli vendin në zgrip. Sepse turmave ju intereson vetëm spektakli, dhe jo rezultati.
Nesër do të votohet në SHBA. Dhe rezultati, të paktën sipas sondazheve do të jetë i ngushtë, por fituese do të jetë Hillary Klinton. Të paktën shpresohet. Dhe kush ka të drejtë vote nuk duhet të humbasë këtë rast. Jo vetëm se bëhet fjalë për një person i cili na njeh dhe ju ka dhënë liri gjysmës së shqiptarëve. Por të paktën për të treguar se demokracia është ende një sistem që vlen dhe llogjika njerëzore nuk e ka betejen e humbur në këtë planet./dritare.net

1 Comment

  1. Nuk ka me te mencur nga ne shqiptaret, kur eshte fjala per t’i dhene mend botes, madje kete e kemi trashegim nga i paudhi i cili la devizen: “Zeri i Shqiperise, zeri i se vertetes”. Por se c’traper jemi, kete e rrefen vota jone e cila ve ne drejtim te shtetit kriminele dhe bandite ordinere. Ky duhej te ishte morali i shkrimit tuaj zoteri. Kuptojeni se jo vetem ne USA, por asgjekund ne bote nuk pjerdh njeri per mendimin tuaj.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*