Soros dhe Gylen, fijet e fshehta të pushtetit në Shqipëri

Nga Dritan Hila

Xhorxh Soros është tani njeriu më i përfolur jo vetëm në Shqipëri , por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas humbjes që pësoi kandidatja e tij e preferuar Hilari Klinton.

Ai nuk po anatemohet vetëm në folenë e shqipeve por është edhe targeti i preferuar i ndjekësve të presidentit të zgjedhur Tramp. Ata e akuzojnë si njeriun e errët i cili mblodhi në një kryqëzatë kundër lirive amerikane, gjithë financat e larta, zezakët, myslimanët, dhe armiqtë e Amerikës, për të realizuar qëllimin e tyre që është rrëzimi i Amerikës.

Kjo muzikë po luhet edhe në Shqipëri, ku prej kohësh zëra të cilët sa vijnë e forcohen e kanë akuzuar si njeriun që përkrah establishmentin aktual të qeverisjes dhe të Partisë Socialiste, të cilët në vetvete fshehin një program i cili synon kthimin e Shqipërisë në një feud të Xhorxh Soros. Personazhi më i spikatur që përkrahu së fundmi këtë tezë ishte Sali Berisha.

Në fakt Xhorxh Soros i ka të gjitha karakteristikat për të qenë armik. Është një tipologji që njihet në shekuj nga politika. Ai është i huaj, është i pasur, dhe është hebre, çka e bën një personazh tipik që qarkullon në klishetë dhe mendjet e njerëzve të dashuruar me teoritë konspirative dhe tek antisemitët e thekur.

Por kush është Xhorxh Soros?

Origjina e tij është nga një familje hebrenjsh të Hungarisë.Pas luftës, shkoi në Londër ku ndoqi mësimet në universitetin e famshëm LSE. Që andej zë fill karriera e tij si lojtar i madh i financave të larta. Lojërave të tija në bursë i dedikohet rënia e stërlinës dhe liretës në vitin ’92. Gjithashtu ai mbahet si një ndër strategët që shkaktoi rënien e të ashtuquajturve katër tigrat e Lindjes.

Por Xhorxh Soros nuk është vetëm një financier. Ai është edhe një njeri aktiv politik. Në Shtetet e Bashkuara njihet për afërsinë e tij me demokratët dhe familjen Klinton. Ndwrsa në botë sipërmarrja e tij më e njohur është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, i cili ka selinë edhe në Shqipëri, një ndër 100 vendet ku ai është i pranishëm.

Nga kundërshtarët e tij politikë si dhe nga vende të ndryshme, ai është akuzuar si degë e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe disa të tjerë kanë shkuar më larg duke e cilësuar si agjenci të CIA-a. Kjo ka sjellë që shtete si Rusia apo Hungaria ta përzenë, ndërsa në të tjera të vendoset në kontroll të rreptë policor. Por në fakt aktiviteti i këtij fondacioni ka treguar se për të nuk janë të huaja ndërhyrjet në politikë ose aktivitetet ekonomike. Ai njihet për sponsorizimet që i ka bërë grupeve opozitare në Serbi ose Rusi.

Sa i takon Shqipërisë, ky fondacion e ka filluar aktivitetin që me fillimet e demokracisë. Ndryshe nga perceptimi që është krijuar opinioni i sotëm, ai ka qënë i afërt me të dyja krahët e politikës. Ishte ky fondacion që i ofroi presidentit të kohës Berisha, personin që do të merrej me marrëdhëniet publike të tij dhe këshillonte për shfaqjet në publik. Por financimi nga ana e tij i zërave kritikë të qeverisjes së parë të demokratëve, solli armiqësinë e heshtur të Berishës, i cili njihet për inatin e tij të gjatë. Megjithatë, kjo nuk e bëri që të refuzojë njerëzit që kishin bashkëpunuar me fondacionin në Shqipëri. Genc Pollo, Genc Ruli, Lulzim Basha, Jorida Tabaku, Artan Hoxha, janë vetëm disa nga emrat që janë prezentë në politikën e të djathtës të cilët janë përkrahur në studime ose programe nga Fondacioni. Ashtu si nuk mund të mohoet fakti se ishte ky fondacion që bëri të mundur mbijetesën e shumë intelektiualëve të majtë shqiptarë në periudhën e vështirë të tranzicionit 1992-1996, dhe që ndihmoi shtypin opozitar të kohës t’i bënte ballë furisë së Berishës. Ismail Kadare, Ylli Popa, Pirro Misha, Paskal Milo, Remzi Lani,  janë vetëm disa nga emrat e bordit të fondacionit në ato vite ose që ende janë prezentë.

Ishte po ky fondacion që tashmë në një shkallë akoma më të gjerë ndihmoi në krijimin e një brezi të ri politikanësh të së majtës, të cilët tashmë akuzohen si dora e Sorosit në kthimin e Shqipërisë në një rezervat të financave botërore dhe operacioneve okulte. Njeriu më i spikatur i tij është Edi Rama, i cili ka qenë pjesë e bordit të këtij fondacioni. Por jo vetëm ai. Shumë nga anëtarët e ekipit të tij qeverisës kanë qenë pjesë e këtij fondacioni ose kanë bashkëpunuar me të. Erion Veliaj, ish Ministër i mirëqënies sociale dhe tani kryetar i bashkisë së Tiranës. Arbri Mazniku, nënkryetar i bashkisë së Tiranës. Ditmir Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme i qeverisë Rama. Milva Ikonomi, Ministrja e Ekonomisë. Elisa Spiropali, ish drejtore e doganave. Të gjithë këta janë ish pjesëtarë të organizatës Mjaft, e cila më vonë u kthye në grupimin politik G99 , qe nuk arriti të çante në politikë, u financua pjesërisht edhe nga fondacioni i Soros. Sot ata janë  një pjesë e rëndësishme e qeverisjes së vendit. Ndërkohë emra të tjerë si Ilir Beqja, Ministër i Shëndetësisë, Eglantina Gjermeni, Ministre e Territorit, Vasilika Hysi, deputete e PS, janë disa nga emrat që tani ndodhen në vijën e parë. Por nuk mungojnë as emra të artit, kulturës dhe inteligjencës teknike të cilëve kooperimi me bursa studimi ose projekte, ju njihet si bashkëpunim me fondacionin e Soros.

Fusha ekonomike është një tjetër aktivitet i tij, dhe kjo jep shkas që kundërshtarët e tij ta akuzojnë se po e përdor politikën shqiptare si mbulesë për operacionet e tij ekonomike. Fondi Besa është një nga krijesat e Xhorxh Soros në Shqipëri, i specializuar për dhënien e kredive të vogla në ndihmë të biznesit. Këto janë ato që duken dhe kundërshtarët e tij thonë që janë vetëm maja e aisbergut. Ndërkohë që përkrahësit e tij mbështesin idenë se kanë qenë shkolla të mëdha të kapitalizmit shqiptar.

Një tjetër fondacion, por jo kaq i dukshëm dhe këtë radhë me shenjën e islamit, është ai që njihet si ndjekësit e Fetulla Gylen.

Imami, i cili tani jeton në Shtetet e Bashkuar, ish miku i ngushtë dhe tani armiku për vdekje i Erdogan, akuzohet nga ky i fundit si një organizatë terroriste. Por jo vetëm Erdogan, por edhe të tjerë që nuk njihen si miq të tij, e akuzojnë si organizatë e tipit mason, ku besnikëria ndaj saj është kriteri organizativ. Ndërsa marrja e pushtetit politik dhe ekonomik, është qëllimi që i udhëheq. Ata akuzohen se mënyra e organizmit dhe operimit në shoqëri, i bën të ngjashëm me një sekt i cili në të ardhmen mund të rrezikojë themelet e një shoqërie demokratike.

Sipas dokumenteve të fundit të ofruara nga Qeveria turke, tashmë ndjekësit e imamit janë prezentë në drejtimin e shkollave, spitaleve, mediave, universiteteve dhe medreseve. Kjo ka sjellë që xhiroja ekonomike që realizojnë t’i bëjë një fuqi ekonomike që ndikon në politikat e shtetit shqiptar. Por sipas akuzatorëve të tij, ata nuk ndalen vetëm këtu, por edhe rekrutojnë njerëz nga fusha e politikës dhe medias.

A kemi të bëjmë prapë me teori komploti që mendjet e ndezura të shqiptarëve i prodhojnë me lehtësi apo kemi të bëjmë me një rrezik real të pushtimit të jetës ekonomike dhe politike të vendit duke e kthyer demokracinë në një farsë? Pasi nëse grupimi i politikanëve, orientimi i tyre, vendoset në tavolina të fshehta dhe sipas interesave të caktuara të personave që nuk votohen por drejtojnë në prapaskenë fijet e jetës së një vendi, atëhere jemi përpara një rreziku real. Deri më sot asnjë prononcim nga politikanë të akuzuar që të sqarojë rolin e tyre nuk është bërë publike, megjithëse tashmë akuzat nuk vijnë vetëm nga zëra të shkëputur në Shqipëri por edhe nga qendra të fuqishme të politikës botërore si Uashingtoni dhe Ankaraja.

Ndërkohë krijimi i fondacioneve dhe organizatave jofitimprurëse apo që njihen në popull me akronimin OJQ ngjan se është hobi i ri i shqiptarëve. Deri në fund të vitit 2014 rezultojnë 2378. Por a kanë shërbyer këto për të demokratizuar jetën e shqiptarëve, për t’i bërë ata më të ndjeshëm dhe humanë, për të përmirësuar standartet e tyre? Pak për të mos thënë aspak. E gjithë ajo që publiku prek janë disa seminare që transmetohen në media, ose aktivitete sporadike me pjesëmarrjen e disa dhjetëra personave që ju shuhet jehona brenda pak kohe.

Ndërkohë ngjan se qëllimi për të cilat perëndimi i krijoi këto organizma, ka humbur me kalimin e kohës. Nëse në botën e qytetëruar disa prej tyre kanë ndërmarrë aksione civile të cilat kanë ndryshuar mënyrën e të bërit politikë, tek ne janë kthyer në shtojca të pushtetit. Nëse mbështetja ndaj tyre konsiston në financimin nga ana e qeverisë pikërisht të zërave që janë kundër saj, tek ne kjo as që mund të çohet ndër mendje. Dhe e gjitha kjo ka krijuar perceptimin se tashmë e gjitha është një farsë, ku pushteti, opozita, fondacionet, janë pjesëtarë të një marrëveshje të fshehtë, ku viktima është gjithmonë publiku./dritare.net

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*