E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, “lost in transition”!

Nga Dritan Hila

26 vjet më parë, thirrja më e dëgjuar shesheve të Shqipërisë ishte “E duam SHqipërinë si gjithë Evropa!” Shqiptarët të entuziazmuar nga rënia e komunizmit dhe simbolit të tij që ishte Muri i Berlinit, kujtonin se Evropa ishte pas atij muri.
Dhe pritshmëria e shqiptarëve nuk ishte krejt pa arsye.
Shqipëria ishte vendi më i vogël i ish vendeve të bllokut lindor. Ishte shkëputur nga ky bllok formalisht 30 vjet më parë, dhe nuk kishte probleme etnike. Ngjante rasti ideal për të provuar integrimin me Evropën. Nëse ne do të kishim qenë nxënës të bindur, Shqipëria ishte planifikuar të ishte anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Evropian diku  nga fundi viteve 2000.
Por si gjithmonë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët. Zgjedhjet e kontestuara të 26 majit 1996, pastaj kriza e piramideve dhe në fund praglufta civile e vitit 1997, e ofroi Shqipërinë më shumë me Ruandën sesa me Evropën.
Vendi doli në fund të renditjes. Evropa i drejtoi sytë nga Polonia, Çekia, e Hungaria. Pastaj edhe nga vende që deri dje kishin qenë nën flamurin sovjetik, u bënë anëtarë me të drejta të plota. Estonia, Letonia, Lituania, e më vonë Bullgaria e Rumania. Por askund nuk gjendej emri i Shqipërisë në lista.
Nga 12 anëtarë të dikurshëm, sot Bashkimi Evropian ka 28 të tillë. Shqipëria ka mbetur edhe pas Serbisë që shkaktoi 20 vjet më parë luftërat Ballkanike.
Rruga 25 vjeçare e shqiptarëve drejt Brukselit ka qenë një kalvar i gjatë kushtesh të burokracisë evropiane, mosplotësim i tyre nga ana jonë, raporte inkurajuese, por kurrë të mjaftueshme për të qenë qytetarë të dorës së parë të kontinentit të vjetër.
Por ajo që ka mbizotëruar në jetën e përditshme kanë qenë lojërat e politikës shqiptare me elektoratin e vet. E megjithatë shqiptarëve iu duk se po ndiheshin qytetarë normalë, kur u hoqën vizat për udhëtimin në zonën Shengen. Qysh atëhere procesi  ka mbetur në vend. Pengesat që ofron politika shqiptare për realizimin e ëndrrës së viteve ’90-të, nisin nga qesharaket te dramatiket.

Në gjithë këto vite  kemi dëgjuar për Rruzhdien,  Konstituimin e Këshillit të Qarkut në Fier, dhe së fundmi Vettingu. Ndërkohë  ka ndodhur kriminalizimi i politikës dhe së fundmi  narkotizimi i hapësirave rurale. Për të mbuluar dështimet, qeveritë e Tiranës i kanë ofruar publikut nga spektaklet me Rita Orën, te  fotoromancat e Kryeministrit Rama  me  Kancelaren Merkel, deri te komeditë “lost in translation”.
Por  askush nuk shpjegon  sa humbin shqiptarët nga mungesa e donacioneve të Bashkimit Evropian dhe sa kushtëzohen politikisht nga mosprania e tyre në tryezat vendimmarrëse të Brukselit.
Edhe pas vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Berlin, askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të vijë dita që qytetarët shqiptarë të kenë pasaporta në kapakun e të cilave të shkruhet Bashkimi Evropian./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*