Humbja e Renzit nuk është e Ramës por e shqiptarëve

Nga Dritan Hila

Humbja e “Po”-së që përkrahej nga Renzi në referendumin që u mbajt të dielën e fundit në Itali, nuk do të thotë as një fitore e forcave centrifugale që duan të dalin nga BE-ja dhe as një shpërbërje e bashkimit që njohim. Kauza që përkrahte Renzi nuk kishte lidhje drejtpërdrejt me fatet evropiane të Italisë.
Nëse Italia shkon në zgjedhje të reja, kjo nuk do të thotë se Lega Nord dhe Lëvizja me 5 Yje e Grillos, fitojnë shumicën dhe e çojnë vendin drejt autarkisë. Duhet shumë rrugë deri aty dhe pavarësisht infantilitetit publik të Renzit, Salvini dhe Grillo janë ende tepër karagjozë për të marrë drejtimet e një vendi kyç për fatet e kontinentit.
Por ky pozicion i ri i Italisë shkakton së pari probleme për atë që ka mbetur nga Evropa pas daljes së Britanisë. Tani Franca është në prag zgjedhjesh ku fitorja e së djathtës duket e pandalshme Për fat jo Le Pen. Por kushdo që të vijë do të kërkojë lehtësira fiskale për Francën e cila ka kohë që nuk konkuron në tregun botëror dhe tepër anakronike në tregun e punës për të qenë konkurente. Franca e di se largimi i saj do ta bëjë BE-në të duket si Fuqitë e Boshtit të Luftës së Dytë Botërore me Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën si fuqitë më të mëdha, që do ngjallin reminishenca të pakëndshme.
Dikur De Goli ishte kundër aderimit të Britanisë së Madhe në të atëhershmin Komunitet Evropian. Mesa duket kishte të drejtë. Vetëm se Britania nuk e rrëzoi kështjellën e Brukselit, por natyrisht që e ka bërë më të epshme. Dhe kjo do të sjellë pasojat e saj.
Pas daljes së Britanisë, Evropa nuk do të jetë më ajo që projektuan Shumani, Adenaeuer dhe De Gasperi: një familje e madhe popujsh dhe solidariteti. Projektuesit e saj kishin parë tmerret e Luftës së Dytë dhe nuk donin të përsëritej. Por sot Evropa e ka barazuar si hark kohor atë Evropë që doli nga Lidhja e Shenjtë pas luftërave napoleonike. Sot kemi 72 vjet pa luftë. Ata që drejtojnë BE-në nuk e kanë provuar dramën e fundit dhe janë më shumë teknikë se idealistë, më tepër administratorë se politikanë solidarë. Kjo do të sjellë më shumë maturi në zgjerimin e saj dhe kërkesën për më shumë standarteve dhe barazi të vlerave të kandidatëve të rinj me anëtarët e vjetër. Dhe ky është një lajm i keq për Shqipërinë. Kjo do të thotë më shumë punë për ne, një klasë politike më të përkushtuar dhe administratë më të impenjuar. E gjitha kjo ngjan e largët. Pasi nëse vendi ynë ka bërë hapa në fushën e integrimit evropian, kjo ka ardhur jo për shkak të vullnetit të elitave tona por të dëshirës popullore për të qenë pjesë e BE dhe presionit të Brukselit dhe Uashingtonit për të ecur përpara në fushën e demokracisë. Presion i cili tash e mbrapa nuk do jetë më ai i pari. Sepse një Bruksel i përqëndruar në luftimin e forcave centrifugale brenda kufijve të tij, nuk do ta ketë shumë mendje se çfarë ndodh jashtë tyre. Kjo do të thotë që do të zgjatet akoma në politikë modeli i politikanëve Berisha, Rama apo Meta. Pasi një humbje e Renzit nuk është humbja e një mikut të Edi Ramës, siç e mendojnë disa bashkatdhetarë që mendojnë se Evropa funksionon me trutë e kryeplakut të fshatit. Përkundrazi është ngadalësimi i aplikimit në Shqipëri të standarteve perëndimore dhe frymëmarrje për autokratët vendas.
E megjithatë kjo do të jetë një zgjatje e rrugës, por jo një rrugë pa fund drejt destinacionit tonë. Sepse në një botë gjithmonë e më globale, një Evropë e ndarë në shtete nacionalë do të thotë më pak mundësi në investime, në kërkime, tregje më të vogla dhe barriera dhe burokraci më të mëdha, rrjedhimisht mallra më të këqinj, konkurencë e ulët, mirëqënie e dobët.
Evropianët që kanë provuar të jetojnë në një shtet që fillonte në ujërat e ngrohtë të Mesdheut dhe mbaronte në akujt e Arktikut, nuk kanë për ta refuzuar hapësirën ku janë mësuar. Është sikur një adoleshenti ti vësh rishtas palicetat e fillores. Do të jetë cështje kohe për ata që të dalin nga dalldia populliste. Dhe natyrisht kohë e zgjatur për ne, që të mësojmë të bëhemi vetë evropianë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*