Rrëfehet vëllai i Mehmet Shehut: Unë e di kush e vrau, ja çfarë më tha Kadri Hazbiu!

Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, i cili jeton prej më shumë se dhjetë vjetësh në Kanada reagoi dje me një telefonatë në redaksinë e DITA mbi debatin për vdekjen e debatuar të 17 dhjetorit 1981.

“Kam lexuar intervistën e Paskal Milos dhe shkrimet e Idajet Beqirit. Për herë të parë po flitet hapur dhe pa dorashka për atë që i ndodhi tim vëllai 35 vjet më përpara. Natyrisht që ripërjetimi i atyre ngjarjeve më shkakton dhimbje, por e vërteta duhet të dalë. Për shumë vite është hedhur një baltë e poshtër kundër tij. E vërteta duhet të dalë. Ju lutem përcilluni mirënjohjen dhe të falat e mija Profesor Paskalit dhe avokat Idajetit”.

Duro Shehu ka bindjen e palëkundur se Mehmetin e vranë njerëzit që do të merrnin pushtetin më pas.

“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba. Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur ai që Mehmeti e quante “Jagoja”, Kadri Hazbiu. Por në marrjen e vendimit ka qenë dhe një i tretë, “Hrushovi”, Ramiz Alia. Idajeti nxjerr Ramizin, Kadriun dhe Feçorrin. E besoj se mund të ketë ndodhur ashtu. Por unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri pa lejen e Enver Hoxhës”.

20161002_164400Duro Shehu thotë se pasi u telefonua nga ish-Shefi i Shtabit Veli Llakaj për vdekjen e Mehmet Shehut, kërkoi takim urgjent me Kadri Hazbiun.

“U desh një orë që të takoja Kadriun. Me sa dukej ai bisedoi me dikë tjetër për këtë takim me mua. Fjala e parë që më tha Kadri Hazbiu, pa më dhënë as dorën ishte: “Çfarë do Duro? Pse erdhe?”

Më erdhi shumë keq nga ajo pritje e Kadriut, por s’kisha ç’të bëja… Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: “Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”.

Më kërkoi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim. “Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart”, më tha Kadriu. “Nga Kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata”.

Duke dalë nga zyra, u ktheva edhe njëherë nga Hazbiu dhe i thashë: “Po ti si do bësh, shoku Kadri?” U nxeh dhe m’u kthye me zë të lartë: “Dil jashtë! Nuk kam më punë me ty!” .

8“Ditën e hënë Kadriu erdhi në Ministrinë e Mbrojtjes. Mblodhi të tërë oficerët në sallën e kolegjiumit. Më shumë se 200 ushtarakë. Ishte sekretari i parë i Komandës së Aviacionit dhe i Flotës. Domethënë, i gjithë aparati. Erdhi Kadriu. “Ja, – tha –  ai vrau veten. (e kishte fjalën për Mehmetin). Unë kam mbetur tërë natën pa gjumë. Më thoshin fëmija: Babi do bëhesh Kryeministër. Dhe unë u thosha: Po dale ore, këtë e vendos Byroja Politike”.

Për këto fjalë janë dëshmitarë shumë nga 200 oficerët pjesëmarrës në këtë mbledhje. S’kanë vdekur të gjithë, shumë prej tyre janë gjallë ende.

Më tej, Duroja tregon: “Në atë kohë bëhej xhiro në bulevardin e Tiranës deri në orët e vona. Gjithë populli dilte në xhiro, se nuk kishte as makina. Tek i gjithë populli u përhap lajmi që Kadri Hazbiu do bëhej Kryeministër. Pastaj u hap fjala që edhe Enveri vdiq. Shkurt, ishte përhapur fjala në të gjithë Shqipërinë që pas Mehmetit, Kadri Hazbiu do të bëhej Kryeministër i vendit. Mirëpo erdhi ditëlindja e tij. Ai priti që t’i shkonte Enveri, por ai nuk shkoi. Se si rrodhën punët më tej, ju e dini shumë mirë”.

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*