A ishte 2016 viti i hashashit apo loja e shifrave nxiti perceptimin?

Nga Dritan Hila

Sipas të dhënave të UNODC, Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit dhe Drogës, trafiku i heroinës nga Afganistani dhe vendet e gjysmëhënës së artë nëpërmjet korridorit ballkanik, kapin sasinë e 170 tonëve me vlerë 28 miliard dollarë. Nga këta 1.5 miliard trafikohet në Itali ku korridori shqiptar ka pjesën e luanit.

Nisur nga këto të dhëna, ngjan sikur vëmendja është përqendrua pikërisht tek kanabisi, për të shmangur vëmendjen nga trafiku i drogave të rënda dhe më problematiket për perëndimin.

Por çfarë është kanabisi?

Kanabisi është bima që shqiptarët njohin më shumë. Historia e saj është e vjetër po aq sa ajo njerëzore. Në vende të caktuara rritet në mënyrë spontane. Prodhohet gati në të gjitha vendet e botës. Ka dy forma konsumi. E para është në formën e fletës së tharë dhe quhet marihuanë. Dhe në formën e rezinës që quhet hashash. Është substanca psikotrope më e konsumuar sot në botë.

Bazuar tek informacionet e agjencive të specializuara në luftën kundër këtij fenomeni, ka një rritje të ndjeshme të siteve të kultivimit në Finlandë, Belgjikë, Poloni, Sllovaki, Bullgari dhe Republikën Çeke. Por vendet me më shumë site kultivimi mbeten Holanda me 5.500 site dhe Britania e Madhe me 4.000 site.

Rrjetet më të mëdha kriminale të shpërndarjes së këtij produkti janë vietnamezët. Në radhë të dytë vijnë organizatat shqiptare që trafikojnë produktin vendas, por edhe atë afgan nëpërmjet rrugës ballkanike, me destinacion Italinë ose vendet e Evropës Qendrore. Të tretët vijnë marokenët që transportojnë prodhimin e tyre vendas dhe pastaj holandezët, të njohur më shumë për shpërndarjen e njohurive mbi kultivimin e kësaj bime dhe farërave të reja të modifikuara gjenetikisht.

Aktualisht prodhuesi më i madh botëror i kanabisit është Meksika me 350 mijë hektarë të kultivuara dhe me destinacion kryesor tregun e Shteteve të Bashkuara.

Me 96 mijë familje që punojnë në sektorin e prodhimit të kanabisit dhe sidomos të formës së tij vajore hashashit, Maroku është prodhuesi më i madh dhe eksportuesi më i madh i tij në Evropë. Sipas Ministrisë së Brendshme Marokene vendi prodhon 1.000 ton hashash. Por burime të pavarura e çmojnë diku mes 5.000 dhe 7.000 tonëve.

Kjo sasi hyn në Evropë nëpërmjet rrugëve detare ku Spanja është porta kryesore. Prej këtej produkti kap vendet e Evropës veriore, por edhe Italinë. Vendet kryesore të magazinimit të produktit maroken janë Spanja ku çdo vit sekuestrohen mbi 350 ton të këtij produkti, por edhe Holanda.

Po sa është pjesa e shqiptarëve në këtë trafik?

Sipas të dhënave të Drejtorisë Qendrore për Shërbimet Antidrogë të Italisë, shqiptarët kanë si treg kryesor Italinë. Për shkak të rënies së peshës së mafies italo-amerikane, ajo shqiptare e ka rritur peshën e saj.

Shqiptarët zënë vendin e dytë pas marokenëve për denoncime në trafikun e drogave, ose 1.555 denoncime, nga të cilat 44% për bashkëpunim në trafik dhe vetëm 14% si shpërndarës të fundit.

Ky është një tregues që mafia shqiptare ka bërë një hop cilësor.

Por a është Shqipëria një prodhuese e madhe e kanabisit?

Sipas të dhënave të policisë së shtetit Italian, të përditësuara deri në muajin nëntor 2016, sasia e sekuestruar e marihuanës në brigjet e Pulias kap sasinë e 19 tonëve. Piku i saj janë muajt e vjeshtës, çka përkon edhe me muajt e korrjes dhe përpunimit të produktit vendas.

Por gjithsesi krahasuar me 560 tonë të sekuestruar në Evropë, sasia shqiptare është modeste që vendi të cilësohet si furnitori më i madh i Bashkimit Evropian.

Sekuestrimi i bimëve ka njohur rritje. Kështu nëse në vitin 2002 numri i bimëve të asgjësuara në Evropë ku përfshihej edhe Turqia kapte shifrën e 1.5 milion, për të arritur në vitin 2013 në 3.7 milion. Krahasuar me vitin 2016 ku Shqipëria ka asgjësuar 2.1 milion, janë shifra që tregojnë se trendi në terren i luftës kundër drogave dhe ai që paraqet media ka hapësirë të madhe mes realitetit dhe propagandës.

Ndërkohë vendi akuzohet si kultivues i 220 hektarëve me bimë narkotike. Një shifër gjithsesi modeste krahasuar me Meksikën dhe Marokun.

Atëherë, a është shqiptari delja e zezë që do t’i hidhen të gjitha paudhësitë? Kemi të bëjmë thjesht me luftë politike brenda vendit që reflektohet edhe jashtë? Apo toka e shqipeve tashmë mund të quhet toka e hashashit?/dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*