Të mos kesh shok për kokë një Ipad

Nga Rudina Xhunga & Alana Hila

Pitilushja është një vajzë e vogël që ka një Ipad të madh.

Nuk është i saj, por i babit. Vetëm se Pitilushja nuk e lëshon nga dora dhe babit nuk i bie kurrë në dorë. Nëse babi ia kërkon, Pitilushja qan dhe nuk e lejon.

E kështu babi ia lë edhe pak, edhe pak, derisa Pitilushen e zë gjumi mbi Ipad.

Babi ia merr atëherë ngadalë dhe e çon në dhomë të flejë, por Pitilushes i del gjumi nëpër shkallë dhe e kërkon prapë Ipad-in. Do të flejë bashkë me të, se e ka shok për kokë dhe vëlla.

Por  ja se ç’ndodhi një ditë!

Një ditë, pra, kur Pitilushja po rrinte me sytë mbërthyer në Ipad duke parë kukullat e saj në tub, befas nisi të fërkonte syrin fort.

Me dorën e majtë filloi ta kruante, pastaj me të djathtën dhe pastaj me të dyja. Syri nisi t’i dhembte. Babi, i trembur, e mori në krahë dhe filloi t’i frynte në syrin e bukur që ishte bërë i kuq dhe nxirrte lot.

– Pitilushe, – i tha babi, – syri yt është sëmurë, është lodhur nga Ipad-i.

– Jo, jo, – nisi të qante Pitilushja, – syri nuk lodhet nga Ipad-i, syri im e ka shok Ipad-in.

– Po dhe me shokët, ndahesh për pak,- i tha babi.

– Jo, jo, – tha Pitilushja, – se shoku mërzitet vetëm.

– Po shikoje në pasqyrë Pitilushe, sa i lodhur është syri yt i vogël, – i tha babi dhe e çoi para pasqyrës.

foto-ilustruese-pitilushja-me-ipad

Ç’të shikonte Pitilushja, bobo, sa u tremb ajo dhe nisi të bërtiste më shumë.

– Pse, babi, pse ka rënë shi në sytë e mi?

– Nuk është shi, Pitilushe, janë lot. E ke lodhur syrin, vogëlushe. Nuk i ke ngritur nga Ipad-i gjithë ditën. Syri po qan, do që të pushojë.

– Po çfarë të bëj, ba, si ta pushoj syrin?

– Lëre të ketë edhe shokë të tjerë, Pitilushe, lëre të flejë, të qeshë, të luajë me Sofinë, me Anën, jo vetëm me Ipad, se nuk mundet më.

– Po edhe Sofia do të ma lodhë syrin, – tha Pitilushja.

– Jo, – i tha babi, – syri e do Sofinë, e do edhe Anën. Syri yt më do edhe mua. Do të rrimë pak bashkë Pitilushe. Do t’i këndoj një këngë syrit tënd?

– Çfarë kënge, babi?

– Këngën që të këndova kur erdhe në këtë botë. Atëherë ishe e vogël, sa gishti im dhe unë të mora në dorë dhe nuk të lëshova gjithë natën.

– Po mami, ku ishte, ba? – pyeti Pitilushja.

– Mami ishte e lodhur dhe po flinte, e lodhur si syri yt tani. Mami pushonte dhe unë të këndoja. Ti më shikoje me këta sy të bukur, që pastaj i mbylle dhe fjete.

– Po pastaj, ba, po pastaj? – pyeti prapë Pitilushja.

– Pastaj u zgjove dhe mami u zgjua dhe erdhëm në këtë shtëpi, ku u bëre e madhe dhe unë prapë po të këndoj si atë ditë.

– Babi, dua të jem gjithmonë e vogël, që të më këndosh ti.

– Do të të këndoj përditë, – i premtoi babi, – por edhe ti më jep fjalën që nuk do ta lodhësh syrin e bukur.

– Mirë, ba, të premtoj, do të rri vetëm pak me Ipad-in.

– Jo pak, sa thua ti, por pak sa them unë, – i tha babi dhe i premtoi se do t’ia linte një herë në javë për pak minuta, sa të shikonte një film me Peppa Pig.

Që nga ajo ditë, sa herë Pitilushja kërkon Ipad-in, kujtohet që babi do t’i këndojë një këngë dhe shkon me vrap dhe i ulet në prehër.

– Ba, ba, – i thotë, – dua atë këngën që më këndove, kur mami flinte gjumë./dritare.net

Marrë nga libri “Përrallat e Pitilushes”

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*