Foto/ Sulmi në Mekë ku vdiqën 1 mijë njerëz, ora kur lindi terrorizmi islamik

Nga Andreas Foerster, Spiegel

Gjatë sulmit në Xhaminë e Madhe në Mekë në vitin 1979, vdiqën rreth 1 mijë njerëz. Për të mposhtur terroristët, qeveria e Arabisë Saudite bëri një pakt faustian- me pasoja edhe sot: ishte ora kur lindi terrori islamik

‘La ilaha ila Allah’- me thirrjen ‘Nuk ka asnjë zot tjetër përveç Allahut’, nisën lutjet e mëngjesit nga minarja e shtatë e xhamisë së Mekës. Është ora 5:18 e 20 nëntorit 1979.

Mijëra besimtarë janë mbledhur në oborrin e xhamisë në këtë mëngjes të veçantë: Nis një shekull i ri sipas kalendarit islam, data 1 Muharrem e vitit 1400. Por bota nuk e dinte se pikërisht këtu, në vendin më të shenjtë të Islamit, do niste për herë të parë terrori islamik.

Në këtë mëngjes nëntori, një hordhi me fondamentalistë të armatosur, sulmoi xhaminë, nën udhëheqjen e Juhayman ibn Muhammad ibn Sayf al-Otaybi, një ish- ushtarak i Gardës Kombëtare të Arabisë.

Pelegrinët u mbajtën peng për ditë të tëra, përpara se ushtria saudite të niste aksionin, që përfundoi pas dy javësh me një pellg gjaku dhe rreth 1 mijë të vdekur. Në Arabinë Saudite, edhe sot e kësaj dite ky sulm është një tabu dhe atje zyrtarisht kjo njihet si një vepër e një grupi të vogël, të izoluar fanatikësh, pa lidhje me terrorin e sotëm.

Por Juhayman, lideri i rebelëve të Mekës, është idhulli i ‘udhëheqësve të terrorit’. Osama bin Laden dhe Abu Musab al-Zarkawi, janë shprehur hapur jo vetëm për luftën ndaj jobesimtarëve, por edhe për një Islam të pastër.

Edhe propaganda dhe ideologjia e Shtetit Islamik bazohet në shkrimet e Juhayman, që sot shpërndahen dhe shiten me sukses në një pjesë të madhe të botës myslimane.

Gazetari me origjinë nga Ukraina, Yaroslav Trifomov ka publikuar në vitin 2008 një libër për shkaqet dhe pasojat e sulmit mbi Xhaminë e Madhe. Më vonë, ekspertët e Islamit dhe historianët e shohin këtë sulm si ditën e lindjes së terrorit islamik.

Nga Meka nisën gjurmët e gjakut, që vazhduan në botën islamike e deri në Perëndim, në Nju Jork, Madrid, Londër dhe Paris.

Ishte një mëngjes i ngrohtë atë 20 nëntor të vitit 1979, kur nisën të dëgjohen krismat e para, ndërkohë që njerëzit faleshin. Të hapësh zjarr në këtë vend të shenjtë është një mëkat i rëndë, një sakrilegj. Të arratisesh është e pamundur, portat e xhamisë janë të mbyllura me zinxhirë të rëndë.

Një burrë me flokë të gjata e të përdredhura deri në shpatulla i rrëmben mikrofonin imamit dhe nis të japë urdhra ushtarakë. Të rinj të armatosur rëndë patrullojnë në Qabe, faltoren kryesore të Islamit.

Ata tërheqin mitralozët pas vetes dhe i vendosin mbi minare. Pelegrinët i ndajnë sipas kombësisë, përkthyesit përkthejnë çdo fjalë.

Të gjithë duhet të kuptojnë mesazhin e udhëheqësit, që shpërndahet përmes altoparlantëve të xhamisë për mbarë botën: Më në fund po plotësohej një profeci e lashtë, fundi i botës siç njohim dhe fitorja finale e Islamit mbi jobesimtarët.

Por kush është njeriu me flokë të zeza kaçurrele, Juhayman-i (përkthehet: i errëti) që ka marrë peng mijëra besimtarë?

Ai është një vahabist i devotshëm, i lindur në vitin 1936 në një familje beduine, një kundërshtar i njohur i familjes mbretërore saudite dhe i modernizimit të shpejtë ekonomik e shoqëror të Arabisë Saudite, në kohën kur vendi po përjetonte bumin e naftës.

Kinematë, klubet, ekspozitat e artit janë të papajtueshme me Islamin njësoj si futbolli, televizori apo materialet e luksit. Juhayman sulmon edhe familjen mbretërore, anëtarët e së cilës bëjnë udhëtime luksi në vendet perëndimore me të gjitha veset e imagjinueshme.

Ai gjen përkrahës mes të rinjve vahabistë arabe, që kanë studiuar në universitetet e Medinës, Mekës dhe Riadit.

Juhayman beson se studenti Mohammed Abdullah al-Kahtani është një Mehdi: Një i përzgjedhur nga Zoti për të udhëhequr një betejë apokaliptike kundër të krishterëve dhe hebrenjve, për të krijuar një shoqëri ideale, që tani e tutje do udhëheqë botën islamike.

Sipas profecisë, Mehdiu do të shfaqet në fillimin e një shekulli të ri islamik në Qabe, në Mekë. Që në vjeshtën e vitit 1978, Juhayman përgatit sulmin mbi Mekë.

Më 20 nëntor të vitit 1979, ai shpall fundin e botës dhe prezanton mikun e tij, studentin al-Kahtani si Mehdi. Në hijet e Qabesë shfaqet Mohammed Abdullah al-Kahtani me një automatik në dorë.

Disa nga pelegrinët bien në gjunjë dhe i premtojnë besnikëri. Ata lirohen nga rebelët.

Qëllimi: të shpërndajnë në mbarë botën lajmin se Mehdiu mbërriti.

Mbreti Saudit, Khalid dëshiron që të vendosë ushtrinë kundër terroristëve- por profeti e ka ndaluar shprehimisht që të luftohet në qytetin e shenjtë të Mekës.

Klerikët dhe dijetarët e thirrur prej mbretit janë përpara një dileme. Një fatva mund të zgjidhë çështjen, por ata hezitojnë. Mehdiun nuk e njohin, por ndajnë disa prej ideve me rebelët, pasi kritikojnë modernizimin e Arabisë Saudite.

Zgjidhja është një marrëveshje me pasoja: Ata do lëshojnë një fatva, që regjimi të përdorë forcën për t’i dhënë fund krizës së pengjeve, por nga ana tjetër, udhëheqësi saudit duhet t’i japë fund tendencave të liberalizimit shoqëror në vend.

Familja mbretërore duhet të përdorë një pjesë të mirë të miliardave nga tregtia e naftës për të përhapur në botë islamin vahabist.

Në fakt, dijetarët myslimanë e detyruan mbretin që të zbatojë programin e Juhayman, për ta hequr qafe atë. Kështu, Arabia Saudite ndryshoi përsëri, duke u bërë një shtet konservator islamik.

Ndërkohë ishin përhapur thashetheme në mbarë vendin për ngjarjet e Mekës. Edhe diplomatët amerikanë vetëm sa mblidhnin mbeturina informative. Në Uashington mendohej gabimisht se pas terrorit qëndronte regjimi i shitëve në Iran.

Irani reagoi me zemërim duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin. Spekulimet u përhapën me shpejtësi në botën myslimane. Në Pakistan, ambasada amerikane u sulmua dhe iu vu flaka.

Edhe në Indi e Bangladesh u sulmuan konsullatat amerikane. Në Mekë, pas dy ditësh, nisi sulmi ushtarak në Xhaminë e Madhe.

Më vonë, qeveria saudite bëri të ditur se ka 300 të vdekur. Vëzhguesit e pavarur dhe dëshmitarët thonë se janë rreth një mijë të vdekur në të dy krahët. Edhe gazetari Trofimov thotë se kjo është shifra e saktë. Ndërtesa dëmtohet rëndë.

Rebelët tërhiqen në brendësi të kubesë, në disa prej labirinteve nëntokësore. Beteja zgjat dhjetë ditë.

Ushtria saudite, e ndihmuar nga një njësit special anti-terror francez, i nxjerr disa rebelë nga tunelet me gaz lotsjellës.

Kur ushtarët shpërthejnë edhe derën e fundit të çelikut, ku fshiheshin rebelët, përtokë gjenden të shtrirë një duzinë burrash. Mes tyre dhe Juhayman. Më 4 dhjetor të vitit 1979, pushtimi i xhamisë kishte marrë fund.

Për ditë të tëra, televizioni saudit tregoi trupin e Mohammed Abdullah, Mehdiut të pretenduar, që duhej të ishte i pavdekshëm.

Juhayman-it iu pre koka më 9 janar 1980, përpara mijëra njerëzve. Edhe 63 pasues të tij u ekzekutuan.

U falën vetëm ata që ishin më të rinj se 16 vjeç.

Që Juhayman do bëhej një idhull për princërit e terrorit, që do vinin më vonë, nuk konsiderohej e mundur.

Uashingtoni e mbylli shpejt këtë dosje, kjo edhe për shkaqe pragmatiste. Më 12 dhjetor 1979, Bashkimi Sovjetik kishte nisur pushtimin e Afganistanit, SHBA kërkonte që të devijonte zemërimin islamik.

Me para, armë dhe ndihmën e familjes mbretërore saudite, amerikanët formuan një front me fondamentalistë islamikë kundër pushtuesve sovjetikë.

Në të njëjtën kohë, me ndihmën e sauditëve, ata ndërtuan një bazë të madhe ushtarake në sulltanatin e Omanit dhe u përkushtuan për mbështetje ushtarake për vendet e rajonit. Doktrina e qeverisë Carter është ende në fuqi.

Në këtë mënyrë, prania masive amerikane në Gji është gjithashtu pasojë e sulmit në Mekë.

Por kjo prani ushtarake, siç shkruan gazetari Yaroslav Trofimov, ka motivuar turmat e luftëtarëve të shenjtë për të krijuar organizata të tilla si Al Kaeda dhe Shteti Islamik.

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*