Historia prekese e jetimit që u gjet i vdekur në Sarandë

Nga Ilir Çumani

Në edicionet e lajmeve të mbrëmjes, disa televizione përmes kronikave të zeza, transmetuan një lajm të shkurtër që bënte fjalë për vdekjen e një endacaku 54 vjeçar në qytetin e vogël bregdetar të Sarandës. Sipas lajmit që u transmetua, u tha se vdekja i kishte ardhë për shkak të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Mediat, duke mos qenë të sakta me burimin e lajmit, komunikuan të pasaktë emrin e viktimës, që në fakt emri i vërtetë i tij është Leonard Arapi.

Kaq u tha për fatkeqin, kur në fakt drama e jetës së të njderit i kalon caqet e dhimbjes njerëzore, sepse historia e jetës së tij lidhet pazgjidhshmërisht me qindra e mijëra fate tragjike jetimësh. Si për ironi të fatit, këto foto që shoqërojnë radhët që po shkruaj, kanë fiksuar në celuloid momentet më kulmore që fati i serviri në jetë jetimit të gjorë dhe që asnjë çast të vetëm nuk do t’i falte buzëqeshje. Përmes këtyre fotove,  dokumentohet qartazi dramaciteti i njeriut të vetmuar që nuk njohu dashuri dhe nuk ndjeu ngrohtësi që në lindje e deri në vdekje.

img_1788

Nardi erdhi në jetë më 03.11.1962, i braktisur në një dhomë të maternitetit të Tiranës, nga një nënë që nuk dihet se kush ishte, por që nuk do të kishte fatin të gëzonte foshnjën e saj. Nuk dihen arsyhet e kësaj braktisje, por një gjë ishte i sigurtë: për foshnjën do të niste kalvari i gjatë i sakrificave dhe privacioneve sfilitëse e torturuese duke u endur institucioneve të jetimoreve të Shqipërisë, pa ditur psenë e shumë pikëpyetjeve të kësaj braktisjeje që do ta mundonte gjithë jetën e tij. Leonardi filloi shkollën fillore dhe 8 vjeçare në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Ishte një fëmijë shumë i zgjuar, i dashur dhe i shoqërueshëm me shokët dhe me shoqet, të cilët aty në jetimore i konsideronte të gjithë motra e vëllezër.

Më pas do të mësonte profesionin e gurëgdhëndësit në një shkollë profesionale në Korçë, profesion që e përvetësoi dhe e bëri mjeshtër të zot në këtë zanat. Mirëpo, ndërrimi i sistemit e gjeti të riun jetim Leonard Arapin të papërgatitur, në mes të katër rrugëve, pa shtëpi, pa punë, pa të ardhura, pa asnjë mbështetje. Në kaosin e tranzicionit shqiptar, viktimat e parë ishin pikërisht ata, jetimët, të cilët nuk gjenin ashtu si më parë në zyrat e shtetit,  institucionet që duhet të përgjigjeshin për nevojat dhe zgjidhjen e halleve dhe problemeve që kishin.

Mes tyre, nuk bënte përjashtim  edhe Leonard Arapi, i cili e ndjente në lëkurën e tij  hipokrizinë, shpërfilljen, injorimin, përbuzjen e zyrtarëve të shtetit kur u trokiste në derë dhe kërkonte punë apo një strehë ku të fuste kokën. Kudo që shkonte,  i përplasej dera në fytyrë. Duke humbur shpresat për ndihmë, mes përpjekjeve raskapitëse e torturuese për mbijetesë, ai vendosi të mbyllet në vetvete dhe i nënështrohet  mjerisht fatit, duke zgjedhur të bëjë jetën e një endacaku vetmitar. Prej vitesh jetonte në rrënojat e një ndërtese si invalid, ku ç’farë binte jashtë, hynte brenda. I pafuqishëm për t’ia dalë mbanë, i pa asistuar nga shteti për të përfituar së paku një ndihmë ekonomike, ai zgjodhi këtë mënyrë jetese, sepse Nardi për karakterin që kishte, kurrë nuk do pranonte ti nënshtrohej rrugëve të pandershme; vjedhjeve, mashtrimit, trafikut, prostitucionit, drogës….

Leonardin e njohin të gjithë në qytetin e Sarandës.Të gjithë bashkëqytetarët ndjenin dhembshuri e respekt për të, secili prej tyre, sipas mundësive e ndihmonin me ushqim e veshmbathje. Vetëm ata që e kishin dhe e kanë për detyrë të interesoheshin e kujdeseshin për të, ishin zyrtarët  e shtetit dhe të pushtetit lokal atje në Sarandë, të cilët, për fat të keq tregoheshin të huaj për të. Si për çdo jetim,  këta zyrtarë gjithmonë e kanë bërë një vesh surdh e një sy qorr edhe për fatkeqin jetim, sepse për ta, Leonard Arapi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte asnjëherë.

Edhe pse Ligji “Për Statusin e Jetimit” u jep përparësi jetimëve si Leonardi që të ndihmoheshin dhe përkraheshin nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj, kurrë nuk ka gjetur zbatim nga agjensitë e ligjitzbatues të përfaqësuar nga njerëzit e shtetit dhe të pushtetit. Për sa kohë politika do tregohet e pa dhembshur, e ftohtë, arrogante, hipokrite dhe demagoge me shtresat në nevojë, për aq kohë do të kemi viktima ta pafajshme si jetimi Leonard Arapi, të cilët zgjedhin pa dëshirën e tyre të ikin për fare nga kjo botë, pa zhurmë, duke na lënë pas në mënyrë kolektive njollën e zezë të një krimi të shëmtuar social. Ikja i Tij, është revolta kundër padrejtësisë sociale, kundër kulltukofagëve shpirtëzinj dhe pa sentiment njerëzor që keqpërdorin pushtetin duke jetuar në luks mbi fatkeqësinë e shumicës, është protesta më e paqtë që na bën me turp të gjithëve si shoqëri.

U prehësh në Paqe o Engjëll i Mirë i Zotit!

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*