Beqaj: Sulmet ndaj meje për shkak të politikës së re me barnat

I ftuar në emisionin “Dritare me Rudinën”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka folur për cilësinë e barnave dhe rënien e çmimit të tyre, duke sqaruar se cilësia mbetet e njëjtë. Ministri e quajti arritje realizimin e programit të PS, që shqiptarët të mos paguajnë më shumë për barnat, sesa paguhet në vendet e origjinës.

“Për barnat jam shumë krenar, besoj se ka qenë këmbëngulja e kryeministrit dhe e imja që kjo gjë ka ndodhur në Shqipëri. E kemi shkruar në 2011 në program dhe bashkë me kryeministrin e tre kolegë të tjerë, për çfarë shkruhet në atë program jemi marrë fjalë për fjalë. Kur kemi thënë se nuk do të kushtojnë barnat në Shqipëri, më shumë se në vendet e origjinës, e dinim për çfarë ishte fjala dhe patëm vendosmërinë për ta bërë. Të gjitha sulmet ndaj meje dhe sistemit të shëndëtësisë, e kanë gjenezën tek historia e barnave. Por nuk mund te lejonim qe t’i shitej shqiptarit më shumë se gjermanit dhe italianit, e njëjta gjë.”

dritare-dt-9-1-17-pj1-mpg-still009

Beqaj sqaroi se nuk është e vërtetë që kompanitë farmaceutike po ikin nga Shqipëria. Sipas tij, nuk po mjekohemi me barna me cilësi të dobët, apo fallco siç thonë dhe atij i vinte keq që ka ngjitur ky mashtrim.

“Janë të njëjtat barna, nga të njëjtët prodhues, vetëm se është ulur çmimi. Sepse ne edhe Meksika ishim të vetmet vende, ku ndodhte një çudi e tillë me çmimet e barnave. Nuk është ndërhyrë fare në cilësi. Nëse në 2013, në barnat që vinin në Shqipëri, patentat ishin 35%, sot janë 55%, pra sot shqiptarët konsumojnë më shumë barna patentë. E ndiej që ka ngjitur propaganda dashakeqëse për të sulmuar politikat e ministrisë, që barnat nuk janë të sigurta, edhe pse janë të njëjtat barna. Ka njerëz që kur kanë shkuar në farmaci e kanë marrë të njëjtin ilaç, nga 400 në 150, i kanë thënë, ‘mos më jep këtë fallco’. Sigurisht, është e lehtë ta prekësh dhe ta frikësosh tjetrin tek siguria e barit”, u shpreh Beqaj./dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*