KE, asnjë reagim zyrtar për Haradinajn

Nga Arta Tozaj- Bruksel

Komisioni Europian thotë se “ndjek me vëmendje” zhvillimet e javës së kaluar lidhur me ndalimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë.  Por, megjithëse ndërmjetëson për normalizimin e marrdhënieve mes Kosovës e Serbisë në një sërë fushash, përfshirë bashkëpunimin policor e gjyqësorin, ekzekutivi europian ngurron të shprehet, nëse urdhër-arrestet e vjetra serbe kundër qytetarëve të shteteve fqinje, që nuk i përkasin më ish Jugosllavisë, janë diskutuar ndonjëherë, ose jo, qoftë dhe në tryezat bilaterale.  

E pyetur disa herë mbi këtë çështje, zëdhënsja e KE, Maja Koçijançiç, përsëriti synimet e Dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli  në fushën e bashkëpunimit policor dhe gjyqësor, që nuk kanë të bëjnë fare me rastin “Haradinaj”.  Njësoj, përfaqësuesja e KE gjatë diskutimit të raporteve të posaçme për Kosovën dhe Serbinë në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian,  e shmangu këtë çështje. Ndërkohë që shqetësimi “Haradinaj” u  përmend sidomos nga eurodeputetët kroatë, të cilët, me të futur këmbët në seancë plenare, kur u anëtarësua Kroacia në BE, kanë kërkuar ndërhyrjen e Brukselit për këtë ligj problematik të Serbisë, që i mundëson Beogradit të gjykojë këdo në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë”, u shpreh raportuesja Ulrike Lunacek, njëhkohsisht zëvendës Presidente e PE. “Beogradi duhet t’i tërheqë mbrapsht urdhër-arrestet e vjetëruara”, sipas eurodeputetes austriake.

Kreu i Delegacionit të PE për Kosovën, Tonino Picula, deklaroi se  “i ashtuquajturi juridiksion rajonal, që i mundëson Serbisë të akuzojë qytetarë të shteteve fqinje, siç dëshmon edhe rasti i zotit  Haradinaj, nuk i ndihmon aspak  stabilitetit të rajonit dhe mardhënieve të fqinjësisë së mirë”. Përkrah socialdemokratit kroat,  reagoi dhe Dubrakva Šuica e PPEsë duke kërkuar nga Serbia  që të përballet me të kaluarën e vet, “pasi në të kundërt nuk do të mund të shkojë larg në procesin e integrimit europian”.

Marijana Petir, kroate gjithashtu, ftoi raprotuesin për Serbinë, të djathtin gjerman David McAllister, që të ndihmojë “me njohuritë e tij” për ta detyruar vendin që të heqë nenet e papranueshme në ligjet serbe,” në mënyrë që mos të pretendohet ngritja e akuzave për qytetarët e vendeve fqinje, siç është rasti me Ramush Haradinaj, por potencialisht edhe për shtetasit e 18 vendeve të tjera  të BE-së që kanë marrë pjesë në luftën ballkanike duke mbrojtur Kroacinë kundër agresionit serb”.

Gjatë debatit mbi Serbinë, disa eurodeputetë ftuan Beogradin të qartësojë pozicionin, nëse synon të anëtarësohet në BE, apo të përafrohet edhe më shumë me Rusinë, çfarë u konsiderua e rrezikshme për stabilitetin në rajon, si dhe u kritikuan qëndrimet e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Ndërkohë që përsa i takon Kosovës, eurodeputetët shprehën shqetësime për “polarizimin ekstrem të skenës politike” dhe mungesën e rezultateve për dy kushtet e mbetura për procesin e liberalizimit të vizave (ratifikimi nga kuvendi i marrveshjes së demarkacionit me Malin e Zi e rezultatet në luftën ndaj krimit e korrupsionit, sidomos në nivel të lartë). Liria e medias përmendet si shqetësim serioz dhe kërkohet që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë për sulmet ndaj gazetarëve. Me keqardhje vërehet se shumë raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar kalojnë pa u ndëshkuar gjithashtu, veçanërisht në veri të vendit, ku kërkohet shpërbërja e plotë e strukturave paralele, ndërsa theksohet se nuk është formuar ende asociacioni i komunave serbe.

Mirëpritet krijimi i Gjykatës speciale në Hagë, kodi i ri telefonik dhe shtimi i përpjekjeve kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. Por autoriteteve të Kosovës u bëhet thirrje për të zbatuar një politikë efikase për parandalimin e fenomenit dhe reintegrimin, pasi theksohet se shumë luftëtarë të huaj janë kthyer dhe vendi, sipas disa eurodeputeteve, duhet të marrë masa edhe ndaj financimit të lëvizjeve ekstremiste fetare në Kosovë nga Arabia Saudite e vende të tjera të Lindjes së Mesme.

  Ndaj të dy vendeve u kërkua që të rriten përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në Dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe si gjithmonë, raportuesja Lunacek përsëriti thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 shtetet e mbetura të BEsë. /dritare.net

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*