Kush është i interesuar për arrestimin e Ramushit

Bedri Islami

Haradinaj, disa ditë më parë, është arrestuar në aeroportin e Bazelit, pjesës franceze dhe tani ndodhet në paraburgim, në një qytezë në afërsi të Strasburgut, në Colmar.

Nuk është hera e parë që arrestohet ai. Nga të gjithë politikanët shqiptarë të Kosovës ai është ndodhur më shumë se secili prej tyre pas hekurave dhe, po ashtu, është shpallur i pafajshëm. Asnjëherë si në këtë rast nuk është ngritur kaq shumë zëri kundër arrestimit të tij. Të gjithë institucionet dhe strukturat politike e shtetërore kanë qenë njëzëri kundër arrestimit. Në këtë valë janë përfshirë që nga shefi i qeverisë shqiptare, si kurrë më parë, me një diskurs të gjatë politik, ku ther disa plagë të politikës; kryetari i Kuvendit, Meta, që ndodhet në Prishtinë pranë njerëzve të Aleancës, shefi i qeverisë së Prishtinës, që po të kishte ndodhur kjo disa vite më parë do të kishte qenë dakord që Haradinaj të ndodhej në një burg serb të sigurisë së lartë, si janë ndodhur shumë shokë e miq të tij kur Isa Mustafa ishte ministër në një kabinet millosheviqian, mes tyre edhe xhaxhai i Ramushit, atdhetari i njohur Ismajl Haradinaj; presidenti i Kosovës, Thaçi, ministra, deputetë, njerëz të zakonshëm.

Më parë nuk ka ndodhur kështu. Ka pasur më shumë heshtje se sa zemërim. Shkaqet janë të ndryshme. Jam ndodhur pranë Ramush Haradinajt kur ka ndodhur arrestimi i tij i parë nga gjykata Ndërkombëtare e Hagës, pikërisht në atë kohë kur ai ishte kryeministër i Kosovës. Duke qenë njëri nga këshilltarët politikë të tij, emërim i ndërmarrë bashkarisht nga qendra studimore ku bëja pjesë dhe kryeministri i Kosovës, lajmi për arrestimin e tij, më ishte njëri ndër më të papriturit. Diplomatë të niveleve më të larta sapo e kishin përgëzuar atë për vrullin që po u jepte punëve dhe krijimin e një detante politike mes forcave çlirimtare dhe linjës paqësore të Rugovës. Të gjithë ishin të alarmuar, njerëzit nguteshin të merrnin vesh diçka të re, ec e jake të jashtëzakonshme, nervozizëm, thirrje për protesta dhe përmbysje të rendit të gjërave. I vetmi njeri që rrinte krejt i qetë, si gjithë ata që e kanë kryer detyrën e tyre deri atëherë ndershmërisht e kështu mendojnë ta vazhdojnë atë, ishte vetë ai, njeriu që pas pak do të arrestohej, Ramush Haradinaj. Në fakt, edhe me arrestimin, gjykimin dhe rikthimin e tij ai i shërbeu Kosovës.

Pas dy gjykimeve ndërkombëtare, nga të cilat doli një e vërtetë saktësisht e verifikuar, ai ishte i pafajshëm, bashkë me shokët e tij të gjykuar.

Në hapësirën mes dy gjykimeve dhe ngjarjes së tashme, zoti Haradinaj ka udhëtuar gjithandej, ka qenë edhe në Francë, ka qenë i ftuar në Shtetet e Bashkuara, në Këshillin e Europës, në Institucione të rëndësishme të Sigurisë dhe të Stabilitetit, ka marrë përkrahje ndaj vijës së tij politike nga mjaft burra shtetesh, sidomos anglosaksonë, e kudo që ka vajtur, askujt nuk i ka shkuar mendja tek arrestimi.

Përse ndodhi tani?

Ka ndonjë shkak më shumë nga ajo e paraqitur prej shumë kohe nga shteti serb ndaj figurave politike e ushtarake të luftës në Kosovë, diçka shtesë, apo është një risi re në vetë politikën e Kosovës dhe më gjerë se kaq, një shtrirje në rajon?

Shteti policor serb, që pak gjë ose asgjë nuk ka mësuar që nga rënia e një regjimi fashist, prej shumë kohe ka paraqitur pranë Interpolit, por edhe në instanca të tjera të sigurisë një listë shumë të gjerë të drejtuesve kryesorë të luftës çlirimtare në Kosovë. (Kosova vetë ende nuk e ka bërë këtë).

Në këtë listë, e cila tani thonë se është reduktuar, kanë qenë më shumë se 150 vetë, që nga drejtuesit kryesorë të Shtabit, të zonave operative e deri tek luftëtarë të spikatur. Herë-herë njerëzit janë vendosur në atë listë vetëm se dikush është kujtuar për emrin e tyre, pavarësisht nëse kanë qenë në luftë apo jo.

Institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet, edhe kur bisedimet janë zhvilluar intensivisht, nuk e kanë lidhur vazhdimin e tyre me shprishjen përfundimtare të kësaj liste, ose, duke e ndërlidhur atë me një listë të ngjashme, që duhej bërë që në fillim, të krimeve të makinerisë shtetërore serbe në Kosovë. Disa herë, pjesëmarrësit në bisedimeve më shumë kanë qenë të interesuar se ku është emri i tyre, në cilën listë e për çfarë akuzohen, se sa me arritjen e një marrëveshje, krejtësisht parimore se, askush nga pjesët drejtuese të UÇK-së, nuk kishte bërë krime dhe akte vrastare mbi popullsinë civile serbe në Kosovë.

Në detyrën që kam pasur gjatë luftës, si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, nga organizatat që hulumtonin ngjarjet në Kosovë, vetëm në muajin shkurt 1999, pra një vit pas fillimit të luftës, na është paraqitur një listë me pesë persona serbë të zhdukur, për të cilët kërkonin hetim dhe, që më pas, ata u gjetën të strehuar në shtetin serb. Më pas, pas përfundimit të luftës, lista serbe u bë aq e rritshme gjeometrikisht, saqë as vetë ata nuk e besojnë.

Pra, pafajësia e Ramush Haredinajt është e provuar dy herë, në dy shkallët më të larta të gjyqësorit ndërkombëtar dhe, pavarësisht akuzave të stërsajuara të Karla del Pontes apo huazimit të sajesave nga prokuroria serbe të Dik Martyt, ai vazhdon të jetë njeriu i saktësuar, i pafajshëm, ashtu si edhe është.

Dy vëllezër ka humbur në luftë zoti Haradinaj, Luanin , anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, vrarë në një pritë serbe në majin e vitit 1997, pritë e organizuar edhe me ndihmën e strukturave udbashe në shtetin shqiptar, dhe Shkëlzenin, njërin nga drejtuesit kryesorë të luftës në zonën e Dukagjinit. Më pas, po nga forca proserbe, është vrarë në një pritë edhe Enveri, vëllai tjetër Haradinaj.

Përse tani rindodh arrestimi i tij?

I vetmi njeri që nuk ka faj është polici që bëri ndalimin e tij. Rifutja në listë e zotit Haradinaj është jashtë fuqive të tij për ta hequr nga lista. Ai do të bëjë detyrën e tij. Thirrjet që i bëhen shtetit francez si një vend dashamirës i lirisë janë thjeshtë patetike dhe nuk kanë të bëjnë me shtetin ligjor francez.

E fshehta është diku tjetër.

Në Kosovë ka forca politike që nuk e duan fuqizimin politik të zotit Haradinaj, e për më tepër do të kishin dashur që kthimi i tij të zgjaste sa më shumë të jetë e mundur.

Edhe në Shqipëri ka forca të tilla që duan heqjen e mitit Haradinaj, pasi kundër tij dhe në dëmin e tij, jo vetëm që kanë investuar pjesë të së shkuarës politike, por edhe kanë vënë pasuri të mëdha. Informacione të besuara të shpien drejt mendimit se struktura të veçanta, në dy shtetet shqiptare, kanë ngritur prej disa kohësh ngrehinën e arrestimit të mundshëm të zotit Haredinaj, dhe jo vetëm të tij, por edhe të disa drejtuesve të tjerë politikë, të cilët kanë lidhje me luftën në Kosovë.

Një elitë drejtuese e luftës është rivënë në listën e atyre që duhet sa më parë të mos jenë pjesë e politikës në Kosovë, sidomos e asaj elite që edhe sot, në qëndrimet e saj politike është për një linjë të vendosur ndaj shtrirjes serbe në Kosovë, për të krijuar një raport të drejtë në dënimin e krimeve të luftës dhe, pa u zgjidhur disa çështje themelore, si të zhdukurit, ndjesa politike, mos krijimi i asasocionit të komunave me shumicë serbe, pariteti në bisedime, çështja e Trepçës, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, etj. Këto figura politike, të cilat gjenden në katër strukturat politike që kanë lidhje me Luftën, ose me një fillesë burimore nga lufta, janë vënë edhe një herë në shenjën e dërrmimit të staturës politike e morale të tyre.

Subjekte të caktuara, qofshin mediale apo jo, që prej disa kohësh, me një frymëzim thellësisht antishqiptar, kanë filluar ngritjen e ngrehinës së dërrmimit të këtyre figurave, duke i quajtur vrasës, edhe pse nuk ka dëshmi për vrasje, terroristë, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi të terrorit shqiptar ndaj popullsisë civile serbe, duke ngritur në një kohë të shkurtër, si parapërgatitje për të ardhmen, të një furie morale e politike kundër luftës e bartësve të saj.

Haradinaj është pasojë e këtij kori shtrigash, një kor i përbashkët i ngritur jo rastësisht në këtë kohë.

E megjithatë, ai do të jetë edhe një herë, i rikthyeri i madh në Kosovë.

Kosova ka nevojë për figurën politike e morale, aftësitë drejtuese dhe shpirtin e zotit Haradinaj./GAZETA DITA

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*