Problemi i Ilir Metës me protestën

Jo vetëm Meta por edhe politikanë të tjerë kanë shprehur opsionin e tyre për protestën. Këto janë disa prej tyre:

Ilir Meta
Ka filluar e më pëlqen kjo protestë. Është e mbushur me qetësi dhe dashuri. M’u bë qejfi që kanë prurë edhe stola të ulen, se kur filluan të vinin të ndenjurat për tokë, pata frikë se do ftoheshin. Dhe ju e dini që e ftohura në tajare mezi del. Atë dixhejin e kanë për faqe të zezë se vetëm tre këngë ka. Mbase duhet të paguanin ndonjë më të hajrit. Jo për gjë, po e kam avazin gjithë ditën poshtë dritares.

Sali Berisha
Ky është revolucion demokratik i cili do marrë përpara Edvin Kristaq Ramën dhe banditokracinë e tij. Vala popullore do ta fshijë nga zyrat e tij, por që të arrijë dallga deri në kat të dytë ku e ka zyrën Rama, na duhet edhe Ilir Meta. Ndaj i bëj thirrje që të bashkohet me ne në çadër.

Edi Rama
Nuk e marr vesh ça duan këta mor vëlla? Këta kishin frikë të mbillnin hashash dhe e lejonin vetëm në Lazarat, unë ju nxora frikën dhe po i lë të mbjellin në gjithë Shqipërinë! Ça faji kam unë që këtyre ju ka ra nervi fare dhe kanë frikë edhe Sajmir Tahirin. Tani bëjnë protestë në bulevard. Punë e madhe. Unë për Surrel i bie nga krahu tjetër, Iliri e ka problem se i ka poshtë penxheres.

Flamur Noka
Jam shumë i gëzuar për protestën që po bëhet në shesh. Të them të drejtën kohët e fundit kisha filluar po demoralizohesha. Doktori kishte filluar dhe po ligështohej. Nuk ishte më ai i pari. Imagjinoni, u detyrova që të shkoja t’i bija Erjon Braçes me top letre. Kuksiani i fundit që ka ngrit dorën në parlament ka qëlluar me revole Azem Hajdarin. Ndërsa unë shkova me top letre. Lere, lere, ça t’i bëja doktorit që ka thënë se po të jetë për të shame e kam vetë monopolin, pa ia tregoja unë atij Braçes.

Spartak Ngjela
Berisha është rural në protestën e tij. Ky ka mbetur komunist. Ka mbetur akoma tek historia e partisë së tij që thoshte se Enver Hoxha mori pushtetin me 200 petrita dhe ky do ta marrë me një çadër halabakësh pushtetin. Duhet ta lexonte mirë historinë. Hoxha kishte pas gjithë lindjen komuniste, ky ka mbrapa vetëm Xhelal Mziun. Nuk shpëton dot, në burg do të shkojë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*