Nuk ka vota të majta për Agron Dukën

Nga Dritan Hila

Në një intervistë, kryetari i Partisë Agrare Agron Duka, shpjegon situatën në vend dhe strategjinë e tij elektorale, ku ajo që veçohet është dëshira e tij që të marrë bashkë me Blushin, votat e socialistëve të zhgënjyer.
Kuptohet që kjo mbetet vetëm dëshirë e tij, pasi deri sa të arrijë në atë pikë ka shumë malore. Malore që vështirë se ka kohë dhe fuqi t’i ngjisë.
Së pari, socialistët janë një masë votuesish konservatore në orientimin e tyre, për vetë faktin se trupa kryesore e tyre janë brezi i tretë që votojnë të njëjtën parti, gjithë jetën. Por ky nuk është i vetmi shkak. Ai edhe mund të kapërcehet.
Vjen maja e dytë që ka lidhje me orientimin e tij politik. Nëse për zotin Duka, kalimi nga PS në PR ka qenë i thjeshtë, dhe në kohërat e pragmatizmit nuk ka asgjë të keqe, një pjesë e konsiderueshme e të majtës e konsideron çështje nderi , rreshtimin politik të saj. Për këtë duhet të pyesë edhe Ilir Metën, sesa ka hequr që t’i shkëpusë copa, partisë ku, dikur, militonte.
Dhe meqë ra fjala tek Ilir Meta, duhet të ketë parasysh se këtë masë votuesish përveç Edi Ramës që nuk ka qejf t’i dalin nga gardhi, tek dera i pari që i pret ikanakët është Ilir Meta, i cili nuk do të gjejë aspak dëshirë t’ia lerë Dukës.
Problem tjetër i tij, është sepse sigla e partisë që drejton, Partia Agrare, është formuar nga Lufter Xhuveli i cili ishte i pari që bëri kapërcimin e ylberit në politikë në vitin 2005, duke transferuar votën e majtë tek Berisha dhe shpikur xhuvelizmin.
Për të kuptuar tërbimin e votuesit të majtë, le të lexojë vargjet e kushëririt, Arben Dukës, se çfarë përjetimesh kanë pasur.
Gjithashtu, ka një problem siç është struktura e Partisë Agrare që zoti Duka drejton. Ajo po formatohet si parti ku shefat e rretheve janë biznesmenë. Kjo mund t’i thjeshtojë punën që të marrë votën e të punësuarve të tyre, por jo zemrën e tyre. Ndërsa të marrë edhe votën edhe zemrën e socialistëve, duket e pamundur. Shiko se ç’po heq Edi Rama që ti mbushë mendjen atyre të pranojnë reformat e djathta dhe sa hoqi që të pranonin Koço Kokëdhimën (i cili për të qenë të ndershëm me realitetin, si personazh është socialist i thekur). Kjo duhet t’i shërbejë si provë pa pasur nevojën e testit.
Dhe së fundi por jo pa rëndësi, ngjan se dëshira e Dukës ka inkoherencë parimore. Nëse socialistët janë zhgënjyer nga Edi Rama, kjo mund të përkthehet në vota të munguara për PS. Por kjo nuk do të thotë që do të shkojnë tek Agron Duka i cili ka garantuar në vazhdimësinë e qëndrimit të tij në aleancë me PD. Edhe Ilir Meta që është një shembull që të tjerët po përpiqen të imitojnë, qoftë në 2009-ën apo në 2013-ën, votat i ka fituar si i majtë: herën e parë si antiberishë dhe të dytën si aleat me PS.
Po atëhere a ka shpresë që të marrë vota të majta, Partia Agrare e Dukës?
Përveç ato të feudit të tij politik, nuk është çudi të ketë edhe të tjera. Por këto do të jenë nga e djathta. Kaq është pak, por e sigurtë./dritare.net

4 Comments

  1. AGRON DUKA ESHT FIGURA E POLITIKANIT TE DUHUR QE I DUHET SHQIPERISE. KETU NE BELGJIKE KEMI SHUME DEPUTETE, QE VIJNE PIKERISHT NGA SHTRESAT E BIZNESIT. MESA KAM DEGJUAR ESHTE NJE NJERI I FJALES DHE KA DHENE NJE KONTRIBUT SHUME TE VYER SI MINISTER I BUJQESISE.

  2. A ka shpresa? Ka siguri,nga forca politike si partia agrare do filloj ndryshimi i shqiperise,dhe zoti duka do i japi ndryshimin shume kerkuar ne shqiperi

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*