Urgjenca e re e shqiptarëve/ Ja ku të lajmërosh, kur ndihesh keq!

Nga Anxhela Ferra

Më në fund, Urgjenca e Tiranës do të ketë fytyrë evropiane. Sapo ka përfunduar instalimi i pajisjeve të Qendrës Kombëtare të Komandës së Kontrollit të Urgjencave Mjekësore. Çdo telefonatë e qytetarëve ndaj urgjencës do të pritet nga personeli, i cili do të bëjë rakordimin me ekipet mjekësore duke marr parasysh vendndodhjen e pacientit dhe autoambulancën më të afërt.

Në datën 3 prill Qendra Kombëtare e Urgjencave Mjekësore do të jetë në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Ndërkohë brenda vitit priten të futen në sistem të gjitha qarqet e Shqipërisë. Godina e re e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore është pranë spitalit të Traumës, me pajisje të teknologjisë së fundit.  Salla trajnimi për mjekët, infermierët dhe dhënësit e ndihmës së parë. Salla e operatorëve, të cilët nëpërmjet teknologjisë së zhvilluar do t’i përgjigjen qytetarëve e t’i vijnë në ndihmë.

Drejtori i QKUM, Skënder Brataj thotë për dritare.net se vendosja e autoambulancave në nëntë pika të kryeqytetit është bërë me qëllim mbulimin sa më të mirë të urgjencave dhe shmangien e trafikut.

“Tirana si qark ka 20 autoambulanca, ndërkohë si qytet janë 9 stacione. Problemi më i madh i tyre ishte përqendrimi në një pikë të vetme dhe kjo gjë vështirësonte arritjen në kohë te pacienti. Për këtë arsye autoambulancat janë në 9 pika të ndryshme. Këto autoambulanca duke u bërë në një rreth, për 8-10 minuta janë në çdo cep të Tiranës. Duke shtuar numrin e tyre do të jetë edhe më mirë, pasi nuk do të jenë aq të ngarkuara me misione siç janë sot.

Brataj tregon për dritare.net sesi do të funksionojë Qendra e Komandës së Kontrollit për t’i asistuar qytetarët të cilët telefonojnë urgjencën.

Numrat ku çdo qytetar mund të telefonojë 24/7, pa pagesë janë 112 dhe 127

“Përqendrimi i thirrjeve, bërja e një akt-marrëveshje me AKEP-in dhe më gjithë operatorët që këto thirrje të shkojnë në një numër unik të vetëm nga çdo cep i Shqipërisë, garanton lidhjen e menjëhershme të qytetarit me shërbimin e urgjencës. Kemi kapacitet për 60 linja hyrëse dhe 30 linja hyrëse dhe dalëse.

Do të bëhet dalja menjëherë e të dhënave dhe numrit të telefonit. Kështu bëhet shkurtimi i kohës.

Kur telefonon për herë të parë urgjencën, personit i bëhen disa pyetje për gjendjen e pacientit. Dhe këto të dhëna hyjnë në një database e ne i ruajmë në arkivin tonë. Pra, bëhet një histori e pacientit.”

Njerëzit mund të marrin në telefon jo vetëm për të kërkuar ndihmë mjekësore, por edhe për këshillim

“Risia më e madhe është këshillimi që ne i bëjmë personit që na telefonon për pacientin. Pra, ndërkohë që ambulanca niset për në vendngjarja, ne i themi atij personi sesi mund ta ndihmojë, nëse ka nevojë për masazh kardiak etj. Operatorët të cilët do t’i përgjigjen thirrjeve të qytetarëve do të jenë mjekë dhe infermierë.

Autoambulancat do të kenë kontakt direkt me ne, më pas ne kontaktojmë më mjekët, ku i dërgojmë të dhënat që kemi marrë për pacientin. Kjo bëhet me qëllim që kur pacienti të shkojë në spital, mjeku të jetë në dijeni për shqetësimet që ai ka.”

Paralelisht me ngritjen e Qendrës së Kontrollit, po bëhet edhe trajnimi i personelit dhe vendosja e autoambulancave me pajisje të reja

“Autoambulancat kanë si bazë të tyren sistemin e oksigjenit, barelat, disa kanë defibrator. Qëllimi është të plotësohen me aparatura bashkëkohore. Është realizuar kompletimi me medikamente dhe mjete mjekësore, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e dhënies së shërbimit mjekësor.

Çdo autoambulancë do të ketë një mjek, infermier dhe shoferin. Mjekët dhe infermierët prej disa kohësh janë duke u trajnuar. Por përveç tyre, edhe dhënësit e ndihmës së parë, shoferët i kemi marrë për ti trajnuar në mënyrë që të japi ndihmë mjekësore bazike.”

Përsa i përket mbulimit të zonave me infrastrukturë të vështirë e rurale, Skënderaj thotë se çdo qendër shëndetësore do të ketë një autoambulancë, për rastet e rënda është edhe helikopteri.

Nëse doni të denonconi shërbimin ambulator të urgjencës, siç bëri Eneda Tarifa, mos iu drejtoni rrjeteve sociale, por gjeni zgjidhjen kështu

Brataj bën thirrje që njerëzit të denoncojnë çdo rast të jashtëligjshëm por të mos shkruajnë të pavërteta. Referuar këngëtares Eneda Tarifa, e cila shkroi në facebook-un e saj një status indinjues për vonesën e autoambulancës. Brataj i tregoi foto të autoambulancës e cila kishte shkuar për 4 minuta në rastin e denoncuar nga këngëtarja.

Sipas tij, raste të tilla sjellin dëme të mëdha kur ajo që thuhet nuk është e vërtetë. Nëpërmjet shërbimit të ri dhe pajisjes me GPS të autoambulancave gjendet lehtësisht e vërteta.

“Iu lutem njerëzve që të nxjerrin në pah anën profesionale të mjekëve dhe jo t’i përbaltin. Pasi ka pasur disa raste kur ndodh një gjë e tillë, sidomos kur shkruan një figurë publike. Nëse shkruan diçka të padrejtë dhe të pavërtetë dëmi është shumë i madh. Por ne tani nëpërmjet GPS që ka çdo autoambulancë dhe sistemit të ri që po vendosim, ne e vërtetojmë shumë lehtë për sa kohë mjeti ka shkuar te pacienti. Sigurisht, nëse ka diçka që nuk shkon, të marrin në telefon Urgjencën në numrat 112 dhe 127, e të denoncojnë çdo rast.”/ dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*