’97 in memoriam– Nga njëra tragjedi në tjetrën

Nga Rudina Xhunga

Berati i një mbi një varreve

Presidenti Meidani  ishte dje në Berat.

Ndalesa e parë e Meidanit ishte në Urën Vajgurore. Në atë qytet, më 17 qeshor 1997, 4 policë vendas dhe një i ri nga Berati, u goditën me antitank, ndërsa udhëtonin me një makinë të blinduar. Pesë të rinjtë u dogjën brenda. Po atë ditë lideri socialist Nano udhëtonte nga Kuçova për në Tiranë, por në një rrugë tjetër dhe dukej se prita kriminele ishte përgatitur për të. Ndërkaq, hetimet për të zbardhur krimin janë ende në proces. Deri tani është zbuluar se njerëzit që qëlluan ishin veriorë dhe bashkëpunonin me vendasit. Para tre ditësh është arrestuar Zef Gjoni, për implikim në krim. Gjithashtu janë duke u hetuar edhe Azem Hajdari e Genc Pollo. Nga ekspertiza e njërës prej armëve të gjetura në vend, ka rezultuar se ajo i përkiste njërit prej anëtarëve të PD-së.

Ndonëse drejtësia ende nuk i ka shqiptuar emrat e vrasësve dhe nxitësve të tyre, në Urën Vajgurore e kanë ngritur memorialin për 5 rojet e rendit, që dhanë jetën në krye të detyrës. Pikërisht për ta inauguruar obeliskun, ndaloi dje në qytet Presidenti i Republikës. Ai u takua edhe me familjarët e viktimave, që nuk ndaheshin dot nga fotografitë e të dashurve të tyre, duke i mbuluar me të puthura. Ndërsa skena i preku të gjithë dhe pakkush mundi t’i mbante lotët, në Urën Vajgurore nisi shiu, i cili e shoqëroi Meidanin edhe në Berat.

Qyteti i një mbi një dritareve, apo një mbi një varreve?

Ajo ç’ka të bën më tepër përshtypje në qytet wshtw qetësia, që s’duket të jetë gënjeshtare. Është e kuptueshme që, kur vjen presidenti merren masa, por në Berat të tregojnë se ka kohë që në qytet nuk dëgjohet të flitet për vrasje dhe luftë bandash. Ata shprehen me superlativa për ministrinë e Brendshme, por e shpjegojnë qetësinë edhe me faktin se në qytet nuk kanë ngelur më banda për t’u përleshur. Të gjithë kriminelët janë vrarë mes tyre. Shifrat e vdekjeve në Berat i kupton po të shkosh në varreza. Për të vdekurit nga marsi në dhjetor është hapur një parcelë e re dhe numri i të varrosurve aty, kap shifrën 400. Ndërsa të plagosurit e atyre muajve janë 1374, nuk dihet ende numri i të zhdukurve. Para disa kohësh një qen afër punishtes së vajit, ndihmoi të zbulohen 20 kufoma. Vrasjet kanë ndodhur sidomos për larje hesapesh, ose për të marrë “gjoba”. Berati kryeson për nga numri i djemve që janë marrë me drogë në Zvicër dhe vajzave që kanë bërë prostitutën në Itali. Gjobat që u viheshin kujt merrej me drogë, nisnin me minimumin 100 milionë. Nëse dikush nuk jepte para e zhduknin. Tregojnë një rast, kur një burrë s’pranoi të jepte gjë, e betonuan të gjallë, ndërsa i lanë jashtë vetëm një dorë, ku i dukej byzylyku, si i vetmi mjet identifikues. Shumë vdekje kanë ndodhur edhe si hakmarrje e vëllezërve për motrat e rrëmbyera dhe bërë prostituta. Janë vrarë aq shumë djem në Berat, sa në rrugë tani sheh vetëm vajza dhe të moshuar. Por së paku, tek ata nuk ndihet ankthi i trokitjeve në mesnatë që kërkojnë paratë, ose kokën, as tmerrin e përdhunimit dhe dërgimit në Itali./Berat, qershor 1997

BULQIZË/ KRONIKË VDEKJESH TË PARALAJMËRUARA

Kur arrijmë në minierën 30 vjeçare Zona e re, veç maleve të kromit dhe vagonëve të braktisur nuk ndeshim frymë njeriu.

Mandej, pas një dere kolibeje mbyllur më tutje, nxjerr kokën një burrë i dobët dhe i veshur keq, që me stërmundim del nga gjysma e derës dhe prezantohet si roja e minierës. Dilaver Skanja dje ishte i vetmi frymor në minierën e braktisur nga 70 punëtorët e saj, që e kishin kthyer të martën në ditë zie të përgjithshme. Ai na tregon se të hënën, ndërsa në minierë binte shi pareshtur, shtatë minatorët u futën në dhomën e llambisterisë, apo siç quhet ndryshe, dhoma e mbledhjeve para pune, ku pasi përcaktohet detyra e ditës, ata marrin llambën me karbit dhe largohen drejt galerisë. Në orën 9:30, në këtë barakë, dy prej minatorëve nisën të ndezin zjarr në sobën që nuk përdorej prej dimrit të shkuar. Morën dru, kartona dhe hodhën shkrepësen e ndezur mbi to. Nuk kaluar as disa sekonda, kur gjithçka u shndërrua në asgjë. Vdiqën gjashtë vetë: Hamdi Milloshi, shef i zonës, Azis Qerimi, brigadier i prapavijës, llambistieri Xhevdet Shehu, roja i depos Jashar Skara dhe dy punëtorë, Mehmet Ilami e Agim Ilami.

Tani në vend të ish-barakës shikon një rrënojë bërë nga gurë e dërrasa. Sobës vdekjesjellëse i kanë ngelur vetëm disa llamarina, ndërsa në gjithë vendin janë shpërndarë rrobat e minatorëve të grisura e gjakosura. Kudo ka gjak, madje dhe ndonjë mbeturinë nga trupat e tyre, harruar pa u hequr. Roja kujton se kur minatorët kishin arritur në vendngjarje, kishin gjetur vetëm një njeri që ende merrte frymë, ndërsa të tjerët ishin shndërruar në gjashtë qenie të karbonizuara, me rroba dhe gjymtyrë shpërndarë gjithandej nga trysnia e shpërthimit. Duke qenë se miniera nuk kishte telefon, as grup avari-shpërthimi, as makinë, një punëtor u nis me vrap drejt Krastës, qytezës qendër për tre minierat përreth. Pasi lajmëroi në drejtori, në minierë mbërriti një autobus, i cili transportoi gjashtë trupat pa jetë në Krastë dhe dërgoi të mbijetuarin në spitalin e Bulqizës.

Shahir Pasha, roje në minierë, i mbijetuari pas tmerrit, i cili për fat u gjend poshtë një tavoline. Ai ndodhet në kirurgjinë e spitalit të Burrelit dhe rrëfen për “KJ”:

“Ishim duke folur. Dy kushërinjtë Ilami, njëri 23, tjetri 30 vjeç, u futën me rroba të lagura në dhomë dhe ngaqë nuk kishin me se të ndërroheshin, nisën të ndezin sobën. Nga momenti që ata vunë shkrepësen e më pas s’arrij të kujtoj gjë. Dëgjova vetëm një shpërthim të tmerrshëm dhe ndjeva një zjarrmi që më rrethoi të gjithin. Thirra “Medet fëmijët” e pastaj siç duket humba ndjenjat.” Ndihmësmjeku i Krastës, Qemal Gasha, i cili është kujdesur për trupat e të vdekurve, të thotë: “Edhe sikur të kishin ardhur gjysmëgjallë në ambulancë, nuk besoj se do mund t’i shpëtonim. Tek ne mungojnë që nga fashot e deri te serumet. Nuk kemi asgjë. Askush nuk kujtohet që në minierë mund të ndodhin avari dhe askush nuk interesohet për nevojat tona në medikamente e ndihmë të shpejtë. Po të vazhdojë kështu për të vdekur kemi të gjithë”.

… “Nuk na vjen mirë ta pranojmë – thonë banorët, por gjithçka shkonte më mirë në kohën e Enverit. Me ardhjen e demokracisë 1300 familjet dhe 5000 banorët e qytezës u harruan në braktisje të plotë. Pas shkatërrimeve në gjithë Shqipërinë, Krasta nuk mund të shpëtonte dhe tani gjendja në qytezë është e krahasueshme me Bosnjën gjatë lufte. Jetojmë më keq se kuajt dhe vdekjet tona janë të gjitha të paralajmëruara, por asnjëherë të parandaluara. Politikanët vijnë ndonjëherë për të ngushëlluar dhe ndonjëherë për votime. Kaq. Na duket sikur jetojmë prapa diellit dhe askujt nuk i shkon ndërmend që ekzistojmë. E keqja është se na ka humbur çdo shpresë dhe s’presim kënd të na zgjasë dorën…/Bulqizë, 1997

MASAKRA E CËRRIKUT, NJË DITË MË PAS

Qyteza vetëm 16 km larg Elbasanit, ishte deri pardje nga më të qetat në Shqipëri. asnjë dhunim, vjedhje, plagosje, vrasje e qëllimshme, apo ngjarje përtej të zakonshmes, në këta muaj të jashtëzakonshëm. Banorët e saj, deri në ’90, punësuar në Metalurgjik, TEC, Uzinën e Naftës, SMT, NB, e më pas ngelur në mëshirë të fatit, asistencës sociale të emigracionit, nuk demonstruan në këta pesë vjet, asnjë zemërim të dhunshëm, madje edhe në ditët e përgjakura të marsit, duke qenë se nuk kishin pasur ç’të humbnin në format piramidale, ata qetësisht vazhduan të jetonin vuajtjet dhe hallet e veta. Nuk është se bënë dallim nga pjesë tjetër e Shqipërisë, ndaj shpërthyen depot e Mjekësit e morën gjithë armatimin e ndodhur aty me shumicë. Pasi shtinë të gjithë në ajër, për netë të tëra, qyteti sërish u qetësua dhe dukej sikur s’kishte për të ndodhur kurrfarë çudie. Kështu deri më datën 22 maj, kur në Cërrik u përhap lajmi për ardhjen e Berishës. Para policisë grumbullohen njerëz që kundërshtojnë paqësisht ardhjen e presidentit. Policia e Cërrikut, ndërkaq lajmërohet nga Elbasani se në qytet do vijnë forcat speciale. Banorët e ndodhur pranë policisë, dëgjojnë dhe marrin vetë radiomarrësen e policisë, duke kërkuar të mos guxonte kush të shkelte në Cërrik.

Radio mbyllet pas të sharave dhe fyerjeve nga të dyja palët. Sipas cërrikave nga shefi i porsaemëruar i Komisariatit të Elbasanit është përdorur shprehja: “Do vimë t’ju shtypim kokën!”. Përgjigja që ai mori ka qenë: “Hajdeni dhe do e shikoni kush do i shtypë kokën njëri-tjetrit”. Në çast, gjashtë të rinj të armatosur janë nisur drejt Malastenit dhe ka improvizuar një postbllok për të mbrojtur qytetin. Ndërkaq alarmi është dhënë. Forcat politike mblidhen në mesnatë në shtëpinë e Kryetares së Bashkisë, zonjës Mishelina Xhelo dhe diskutojnë për masat e mundshme që do të ndihnin të binte tensioni i krijuar. Kur kryetarja u përpoq në orët e vona të natës të lidhej me policinë e Cërrikut, askush s’ju përgjigj. Telefonatat e mesnatës, ndërkaq vazhdonin. 23 MAJ ’97. Ora 8:30.Ndërsa forcat politike ishin mbledhur sërish për të diskutuar para nisjes në Elbasan, një plumb godet dritaren e shtëpisë së Kryetares së Bashkisë, ku zhvillohej mbledhja. Forcat speciale kishin hyrë në qytet. Kishte nisur dita e tmerrit. Në SMT dhe Fermë kishin hyrë 6 makina të blinduara, një IFA me ushtarë dhe një makinë e Bankës së Kursimeve me targë 1797 Z. Pasi parakaluan në gjithë qytetin, duke shtënë në ajër, makinat ndaluan nëpër shtëpi. Në të parën morën peng Ilir Çengelin, të cilin pasi e rrahën, e futën në makinë. Në një tjetër shtëpi, Afrim Dekalin, i cili, pasi u dëmtua rëndë nga rrahja u dërgua në spital nga vetë ata. I pari u hodh nga makina, ndërsa udhëtohej drejt Elbasanit, ndërsa udhëtohej drejt Elbasanit, ndërsa i dyti u arratis nga spitali, duke u hedhur nga dritarja. Agim Azizi, i cili nuk ndodhej në shtëpi, kur e vizituan forcat speciale, tregon: “Kërcënuan nënën time 65 vjeçare me fjalët: “Djalin tënd do ta çojmë në Tropojë”. Ofenduan me shprehje që s’shkruhen në gazetë motrën time dhe rrahën keq kunatin, pse guxoi t’i kundërshtonte”. Burri i rrahur kishte ende gjurmët e tytës së pushkës mbi ballë. Në shtëpinë e Rrapush Tavë, vdekur pak kohë më parë, qëlluan të venë e tij, në moshë dhe pasi i rrahën djalin, nisën të preknin turpshëm nisen shtatzënë, me pretendimin se fshihte armë në bark. Dëshmi që flasin për terrorin e ushtruar nga vizitorët e 23 majit në Cërrik, janë gjurmët e plumbave në pallate, xhamat e lokaleve të gjithë të thyer, plagët e fashuara të kujt po pinte kafen qetësisht dhe u qëllua, gratë që thërrasin nga ballkonet për të treguar gëzhojat që kanë shpuar muret, fëmijët që kanë mbledhur fishekë të të gjitha përmasave. Të gjithë duan të tregojnë me një frymë, ç’kanë parë dhe ç’ka ndodhur atë ditë prej orës 8:30 deri në orën 13:00 dhe asnjë dëshmi nuk ndryshon nga tjetra.

Pasi qyteti u përfshi nga dhuna dhe fyerjet, çdo burrë e grua rrëmbeu një armë dhe çdo dritare u kthye në një pozicion luftarak, nga ku shtihej papushim. Ishte tanku, viktima e parë. Brenda tij u dogjën dy njerëz, që pasi u nxorën prej andej u dërguan në spital, por tashmë të vdekur./Cërrik, maj 1997

DURRËS – 17 NËNTOR, 17 TË VDEKUR

Në orën 16:00 të 17 nëntorit, shumëkujt i ka qëlluar të drekojë tek “anija e prishur”, ka parë një gomone gri, 11 metra, me dy motorë, që fare pa u bezdisur nga sytë kureshtarë bënte xhiro rreth bregut. Gomonia ishte blerë në Vlorë, një muaj më parë për 50 milionë lireta, nga durrsaku Naim Dervishi 35 vjec, në bashkëpronësi me kavajasin Zamir Xhihani. Kishte ditë që asnjë skaf nuk bënte rrugën e zakonshme për shkak të motit të keq. Atë ditë deti dukej i qetë dhe gënjente ndonjë sy të pastërvitur, si dhe ndonjë njeri të lodhur nga pritja e gjatë. Pa u menduar shumë skafisti Dervishi nisi udhëtimin me 28 persona në gomone, midis të cilëve 1 fëmijë. Me klandestinët të cilët ishin kryesisht nga Durrësi, por dhe nga Shkodra dhe Lezha, udhëtonin edhe dy kavajas, Shkëlzen Goseni, 19 vjeç e një tjetër që thirrej Memo. Për çfarë ka ndodhur mbrëmjen tragjike, hipotezat janë të ndryshme, por e vërteta mund të rrëfehet vetëm nga 11 protagonistët e mbetur gjallë, një pjesë e së cilëve vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e policisë së Brindizit.

Ajo çka është më pranë të besueshmes dhe rrëfehet nga policia e Kavajës dhe vendasit, është: “Atë mbrëmje janë nisur nga “anija e prishur”, tre gomone, dy prej të cilëve u kthyen të trembur nga deti dhe të ndihur nga fati. Gomonia e tragjedisë, vazhdoi rrugën për dy orë. Njëri prej shkaqeve që ajo s’është kthyer, mendohet të jetë se aty ka pasur gati 120 kg marijuanë që duhej të shkonte medoemos në bregun tjetër. gjithsesi asgjë nuk ka rënë në duart e policisë italiane. Duket se në gomone ka plasur një sherr mes Dervishit që donte me çdo kusht të vazhdonte, kavajasve dhe njerëzve të tjerë që iu trembën detit. Në zënkë e sipër kush ka kërkuar kërcënueshëm të kthehet, mund ta kenë hedhur në det, ose të jetë hedhur vetë për të shpëtuar, (variant i të mbijetuarve ky). Ndërkaq taka me majë e këpucës së një gruaje të llahtarisur nga sherri në mes të detit, ka mëshuar fort, duke shpuar njërën prej dhomave të gomones, ndonëse kjo nuk ka sjellë shfryrjen e plotë të saj. Mandej motorët janë fikur, për të mos u ndezur dot më. Deri në atë moment, për gjithçka ndodhte, ishin të informuar Xhihani në Kavajë dhe njeriu që priste në Itali, me anë të celularëve. Në gomone kishte katër celularë. Mandej gomonia ka ngelur në mëshirë të detit të keq dhe stuhisë që i ka shoqëruar të mbijetuarit në tre netë. Celularët nuk funksiononin më, apo të paktën kështu është thënë, nga Xhihani i cili tani ndodhet në duart e policisë së Tiranës. Ndërsa priste kthimin e gomones, ai nuk lajmëroi në polici për mundësinë e mbytjes së saj, me frikën se mund t’i ndodhte gjë, apo dhe me shpresën se ata do kishin përfunduar në Mal të Zi, siç ndodh në raste të tilla. Kjo zgjati deri të mërkurën, kur dërgoi lajm, indirekt, në komisariatin e Kavajës. Shefi i Komisariatit Avni Jasharllari, lajmëroi menjëherë Ministrinë e Brendshme dhe Interpolin italian, i cili nisi kërkimin dhe vetëm të enjten, më 21 nëntor, ora 14:30 në Kavajë erdhi lajmi nga Brindizi. “U gjetën në një gomone 11 të mbijetuar dhe 5 të vdekur. Është arrestuar skafisti dhe Goseni, në xhepat e të cilit u gjetën celularë, ora dhe bizhuteri të pasagjerëve të gomones. Gjithë të tjerët janë nën mbikëqyrjen e policisë”.

Gomonia ishte gjetur vetëm 20 milje larg Brindizit. Pasi e tërhoqën drejt portit, në breg zbritën pas udhëtimit treditor me tmerrin, një fëmijë dhe 4 të rritur të vdekur nga të ftohtit, uria dhe frika, si dhe 11 të mbijetuar në gjendje shumë të keqe shëndetësore. 12 njerëz të tjerë u konsideruan të humbur. Ende nuk dihen emrat e tyre, as arsyet e zhdukjes, pasi të vdekur, apo të gjallë, duhej të mbërrinin 28 vetë në Brindizi. Në ka pasur përleshje dhe hedhje në det, në janë hedhur vullnetarisht, kjo do të mësohet vetëm pas përfundimit të hetimeve. Dihen ndërkaq shumë pak hollësi për të humburit. Grupi i atyre që është nisur me atë gomone ka pritur për një javë dhe ndërsa pjesa më e madhe që ishin nga Durrësi qëndronte në shtëpi, të tjerët kanë qëndruar në dy motele në Golem, emrat e të cilëve thuhen nëpër dhëmbë. Pronarët e hoteleve nuk kanë bërë asnjë deponim deri tani. Por në Kavajë të thonë edhe ndonjë prej emrave të të zhdukurve. Një djalë nga Durrësi, i cili ishte dhëndri i Drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Hollësia që tregojnë për të është se ai nuk pagoi për të vdekur, pasi Xhihani “donte t’i bënte nder”.

Një tjetër e humbur është dhe një vajzë nga Fieri e quajtur Klodi. Në njërin prej restoranteve pranë anijes së prishur, të tregojnë se vajza vinte me një grup prej katër vetësh, për gati një javë e gjysmë, të hante aty. Pronari i restorantit kujton se: “Të tjerët ishin të heshtur, ndërsa Klodi me gjallërinë e saj u bë shpejt mikja e të gjithëve. Kishte lënë studimet për fizikë në vitin e dytë, fliste mirë anglisht dhe donte të shkonte ne Itali tek motra. Nuk kishte pamje prostitute, nga ato që jemi mësuar të shohim shpesh këtu. Për të fjetur, vajza me grupin e saj shkonte në një motel afër. Kjo zgjati 1 javë derisa deti u qetësua dhe të dielën në mbrëmje Klodi erdhi të na takojë për të na përshëndetur. I uruam gjithë të mirat. Kur morëm vesh për tragjedinë dhe nuk gjetëm emrin e saj tek të mbijetuarit, e qamë të gjithë. Nuk di në ka qenë vërtetë nga Fieri dhe si e kishte mbiemrin, sepse do të shkoja vetë në shtëpinë e saj për të lajmëruar prindërit” – e mbyll rrëfimin e vet pronari i restorantit./Durrës, 17 nëntor 1997/dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*