Berati i një mbi një varreve

Nga Rudina Xhunga

Presidenti Meidani ishte dje në Berat.

Ndalesa e parë e Meidanit ishte në Urën Vajgurore. Në atë qytet, më 17 qeshor 1997, 4 policë vendas dhe një i ri nga Berati, u goditën me antitank, ndërsa udhëtonin me një makinë të blinduar. Pesë të rinjtë u dogjën brenda. Po atë ditë lideri socialist Nano udhëtonte nga Kuçova për në Tiranë, por në një rrugë tjetër dhe dukej se prita kriminele ishte përgatitur për të. Ndërkaq, hetimet për të zbardhur krimin janë ende në proces. Deri tani është zbuluar se njerëzit që qëlluan ishin veriorë dhe bashkëpunonin me vendasit. Para tre ditësh është arrestuar Zef Gjoni, për implikim në krim. Gjithashtu janë duke u hetuar edhe Azem Hajdari e Genc Pollo. Nga ekspertiza e njërës prej armëve të gjetura në vend, ka rezultuar se ajo i përkiste njërit prej anëtarëve të PD-së.

Ndonëse drejtësia ende nuk i ka shqiptuar emrat e vrasësve dhe nxitësve të tyre, në Urën Vajgurore e kanë ngritur memorialin për 5 rojet e rendit, që dhanë jetën në krye të detyrës. Pikërisht për ta inauguruar obeliskun, ndaloi dje në qytet Presidenti i Republikës. Ai u takua edhe me familjarët e viktimave, që nuk ndaheshin dot nga fotografitë e të dashurve të tyre, duke i mbuluar me të puthura. Ndërsa skena i preku të gjithë dhe pakkush mundi t’i mbante lotët, në Urën Vajgurore nisi shiu, i cili e shoqëroi Meidanin edhe në Berat.

Qyteti i një mbi një dritareve, apo një mbi një varreve?

Ajo ç’ka të bën më tepër përshtypje në qytet wshtw qetësia, që s’duket të jetë gënjeshtare. Është e kuptueshme që, kur vjen presidenti merren masa, por në Berat të tregojnë se ka kohë që në qytet nuk dëgjohet të flitet për vrasje dhe luftë bandash. Ata shprehen me superlativa për ministrinë e Brendshme, por e shpjegojnë qetësinë edhe me faktin se në qytet nuk kanë ngelur më banda për t’u përleshur. Të gjithë kriminelët janë vrarë mes tyre. Shifrat e vdekjeve në Berat i kupton po të shkosh në varreza. Për të vdekurit nga marsi në dhjetor është hapur një parcelë e re dhe numri i të varrosurve aty, kap shifrën 400. Ndërsa të plagosurit e atyre muajve janë 1374, nuk dihet ende numri i të zhdukurve. Para disa kohësh një qen afër punishtes së vajit, ndihmoi të zbulohen 20 kufoma. Vrasjet kanë ndodhur sidomos për larje hesapesh, ose për të marrë “gjoba”. Berati kryeson për nga numri i djemve që janë marrë me drogë në Zvicër dhe vajzave që kanë bërë prostitutën në Itali. Gjobat që u viheshin kujt merrej me drogë, nisnin me minimumin 100 milionë. Nëse dikush nuk jepte para e zhduknin. Tregojnë një rast, kur një burrë s’pranoi të jepte gjë, e betonuan të gjallë, ndërsa i lanë jashtë vetëm një dorë, ku i dukej byzylyku, si i vetmi mjet identifikues. Shumë vdekje kanë ndodhur edhe si hakmarrje e vëllezërve për motrat e rrëmbyera dhe bërë prostituta. Janë vrarë aq shumë djem në Berat, sa në rrugë tani sheh vetëm vajza dhe të moshuar. Por së paku, tek ata nuk ndihet ankthi i trokitjeve në mesnatë që kërkojnë paratë, ose kokën, as tmerrin e përdhunimit dhe dërgimit në Itali./Berat, qershor 1997/dritare.net

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*