Pse shkova sot në çadër!

Nga Dritan Hila

Ftesës së ardhur nga PD për të qenë pjesë e panelit që do kishin të hënën paradite, nuk ju përgjigja pa mëdyshje. Pjesëmarrja ime aty do të dëmtonte imazhin publik të një moderatori emisioni dhe paanshmërinë e medias ku punoj. Por jo vetëm. Shumë nga njerëzit e së majtës apo të pavarur do ta kishin të vështirë ta kuptonin dhe ca më pak që ta justifikonin këtë hap timin. Kjo ka rëndësi për mua, pasi janë njerëz që i vlerësoj. Shto edhe faktin se ndaj PD nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë afeksion shpirtëror, ma bënte më të vështirë vendimmarrjen. Me PD-në më ndajnë më shumë gjëra, se më bashkojnë. Më ndan qëndrimi ndaj pronës, shtetit, individit, varfërisë, të shkuarës 50 vjeçare dhe luftës nacionalçlirimtare.
Por në fund vendosa të shkoj.
Shkova së pari për të biseduar dhe njohur njerëz që kanë dalë në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre të cilën e mendojnë të shkelur.
Me siguri janë më shumë se ata që janë në çadër. Ka më shumë njerëz sesa janë në çadër që mendojnë se këtu është në rrezik vota e lirë, se krimi i organizuar po merr dhenë dhe kërcënon zgjedhjet e lira. Unë jam një ndër ata, dhe shkova në çadër dhe ju thashë se ashtu si në 2009-ën kam protestuar për zgjedhje të lira, edhe sot bashkohem me ata që mendojnë se ky institcion është i rrezikuar.
Shkova në vendin e protestës për të qenë koherent me veten time, pasi nuk mundem që të kritikoj gjithë ditën dhe pastaj të bëj qibarin, sikur këta nuk e meritojnë të dëgjohen. Edhe ata janë njerëz që thithin të njëjtin ajër si unë, hanë të njëjtat ushqime dhe duan të bëhet ky vend.
Një arsye tjetër ishte, sepse shikoj shumë shqiptarë që po ikin. Nuk janë 20 apo 30 vjeçarë në kërkim të aventurës. Janë 50 vjeçarë, miq të mij, që po marrin nga sytë këmbët në një moshë kur njeriu fillon udhëtimin përmbyllës të jetës. Dhe këtë ta bën vetëm një hall i madh. Ky vend duhet të ishte 4.2 milionë, por ka 1.5 milionë banorë më pak. Në 26 vjet është plakur më shumë dhe nuk ka një rreze shprese në fund të tunelit. Dhe arsyeja është se shumë pak politikanë mendojnë me përgjegjshmëri për këtë dramë. Shkova t’iu them atyre që janë në çadër që në këtë mesele kush më shumë e kush më pak, të gjithë jemi fajtorë, por është koha t’i thërrasim mendjes.
Isha për t’iu treguar se dhe nga ana tjetër e llogores ka njerëz që shqetësohen për këtë vend, se jemi dy palë që duhet të komunikojmë dhe duhet të gjemë gjuhën e përbashkët.
Isha poshtë kryeministrisë për t’i kërkuar kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit të mos jenë arrogant me opozitën. Në ditën më të keqe, ajo përfaqëson një të tretën e shqiptarëve. Nuk zgjidhet puna duke i injoruar.
Aq më pak do të ketë rrugëdalje duke e deligjitimuar.
Maxhoranca e sotme mund t’ia dalë në të dyja versionet të arrijë qëllimin e saj. Madje mund ta nxjerrin edhe jashtë sistemit. Por ajo që do mbjellin është vetëm fara e një konflikti të ardhshëm.
Isha aty edhe për t’iu thënë se kjo opozitë do të ishte më e besueshme nëse betejën do ta bënte edhe për të tjerët, nëse në kauzën e saj fuste ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke bërë të mundur votimin e alternativave të reja politike. Kjo po, që do të ishte një kauzë sublime kur luftohet edhe për të tjerët. Isha për t’iu kërkuar nevojën e reformimit, që të linin historinë të merrej me njerëzit që bënë historinë e PD dhe të shikonin në ngritjen e lidershipit të ri dhe modern, duke ju kërkyar që të hiqnin dorë jo vetëm nga Berisha, por edhe bashkëpunëtorët e tij.
Nevoja që të përkrahim një lidership të ri ishte edhe arsyeja tjetër që shkova aty. Dhe kjo nuk mund të bëhet ex katedra, por duke ju dhënë mundësinë.
Ironia e fatit ishte se pasi dola nga çadra dhe shkuam me Lulzim Bashën të pinim kafen e rastit, tek Rogneri u përballëm me ish drejtorin tim në MPJ. Ishte ai që dikur mbiu tek zyra e Bashës, kur ky ishte ministër, të më pushonte nga puna si të majtë. Ai sot punon në shtet, dhe unë i uroj gjithë të mirat. Jo se jam natyrë ekumenike, por nëse sot po kërkojmë pajtimin kombëtar duke u përpjekur të mirëkuptojmë se pse disa shqiptarë bashkëpunuan me fashizmin, duhet të jemi në gjendje ta bëjmë këtë me ca shqiptarë të tjerë, të një kohe tjetër./dritare.net

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*