Erion Veliaj: Unë dhe Saimir Tahiri, bashkë në fushatën e Tiranës

Nga Anxhela Ferra

U inaugurua sot “Pazari i Ri”, në pamje një vepër arti. Bashkia ka vendosur që paraditja është në dispozicion të shitësve dhe pasdite ambientet do të shërbejnë si pedonale. Kjo hapësirë mendohet të ndryshojë jetën e atyre që punojnë, banojnë te Pazari dhe vizitorëve do ju tregojë një Tiranë tjetër, Tiranën nga Erion Veliaj.

Kryetari i Bashkisë e Tiranës, në këtë intervistë për dritare.net, flet për kontrollin e produkteve që do të ofrohen, rehabilitim e ambienteve të Pazari i Ri. Dhe jo vetëm. Ai tregon edhe garën për çdo votë në zgjedhjet e Qershorit, betejë që e ka bashkë me Saimir Tahirin.

Dritare.net– Keni thënë që do të jenë rreth 308 tregtarë që do të punësohen. Mbi cilat kritere janë shpërndarë licencat?

Së pari një familje nuk mund të ketë më shumë se një tezgë. Në të kaluarën nuk kishte një treg, por ishte një hapësirë matrapazësh, ku katër a pesë të fortë merrnin tezga për të gjithë familjen e vet. Një nga arsyet pse çmimet kanë qenë të tmerrshme të Pazari i Ri, ishte fakti që kontrollohej nga këto katër-pesë duar. U thye ky monopol dhe sa herë që ndodh kjo krijohet tension. Por tani nga katër familje, janë 169, pra më shumë mundësi për njerëzit.

Janë rreth 308 biznese, me mesatarisht katër punonjës, tezgat me nga 1 person. Mesatarisht çdo numër nipti ka gjeneruar tre-katër vende pune. Në total më shumë se 1000 vet të punësuar.

Dritare.net– Produktet të cilat do të ofrohen, janë të kontrolluara më parë?

Së pari, ne kemi praninë e Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, kryesisht për të mbajtur në kontroll çmimet, sepse duke qenë se u kthye në një vend atraktiv edhe mund të abuzohet me çmimet. Porsa i përket mishit, vetëm mishi i vulosur nga veterinerët e Bashkisë do të ofrohet. Ne do ta mbajmë gjithë situatën në kontroll për çështjen e higjenës. Shumë prej produkteve që janë tashmë të ambalazhuara, si djathi, qumështi, sallamet etj., e marrin certifikatën nga Ministria e Bujqësisë. Ne do sigurohemi për skadencën e gjëra të kësaj natyre.

Dritare.net– Cilët janë pronarët e Pazarit të Ri, Bashkia apo privatët?

Njësitë rreth e rrotull pazarit, në fakt janë njësi private. Bashkia ka bërë rregullimin por ajo ka një pronar.

Markata dhe pjesa e tezgave në pazar, janë të Bashkisë. Gjithë pjesa që e rrethon janë të privatëve, disa i kanë investuar vet e disa i kanë dhënë me qira. Pra, është bërë një partneritet mes publikes që është Bashkia dhe privates. Gjithashtu është edhe Komuniteti Musliman që ka gjashtë dyqanet artizanale.

Dritare.net– Ka kapacitet për të tjerë që duan të tregtojnë në ambientet e kioskave dhe biznese?

Disa nga dyqanet janë ende në përpunime, nuk kemi okupim të plotë. Ne kemi hapësira për njerëz shtesë. Në këto momente kemi një listë të gjatë pritje. Kjo është edhe arsye që ne morëm bashkë me Fondin Amerikan, për të bërë një bashkë financim në rrugën Kont Urani.

Dritare.net– Është ky një investim që do të rrisë buxhetin apo nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë e shërben më së shumti si një vepër e bukur estetikisht?  

Ne bëjmë transformime urbane, ku thjesht gjëja duket bukur estetikisht por nuk është se prodhon diçka të mirë ekonomike. Ky transformim është ndryshe nga shumë të tjera. Janë para që hidhen, sipas analizave tona, vlera që i është shtuar zonës është mbi 20 milion dollarë. Është një investim, që si ajo fara e mirë që mbjell, shumëfishohet kur riprodhohet në skema ekonomike, si bizneset që po hapen.

Dritare.net– Pse nuk është bërë reabilitimi i Pazarit të Ri në kohën kur Edi Rama ishte Kryetar Bashkie?

Së pari, sepse Tirana ishte shumë e degraduar në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Kryetari që erdhi më pas ndoshta nuk bëri asgjë, por të paktën nuk kishte të njëtën situatë se Edi Rama në vitin 2000, kur flitet për degradimin. Ju e mbani mend si ishte Lana, Parku Rinia etj. Kishte një betejë shumë të vështirë. Unë e kam betejën pak më të lehtë, sepse njerëzit thonë ky vërtetë do prishi disa gjëra por më pas do vijë gjëja e bukur e investimi do kthehet. Unë e kam një standard, ai i punës së Ramës, ku njerëzit referohen, e kuptojnë se ku përfundon. Mbas eskavatorit të verdhë, vjen gjelbërimi.

Dritare.net– E quajtët veten së bashku me ministrat “ekipi i Edi Ramës”. Me ndryshimet e bëra në parti, a është përçarë skuadra?

Jo, madje jemi më të bashkuar se kurrë. Unë dhe Saimiri kemi një sfidë të madhe, për të drejtuar fushatën në Tiranë dhe besoj se do arrijmë një sukses të jashtëzakonshëm. Ne të gjithë kemi punuar fort, qeveria e ministrat gjithashtu. Kemi arsye për të dal në publik e për të takuar njerëzit. Në dallim nga ata të çadrës që nuk kanë guxim të dalin në rrugën e Tiranës e t’i kërkojnë votën publikut. Ka një kontrast midis një çadre që siguron punë për njerëzit dhe një çadre që thotë mblidhuni këtu e mbrojmë gjithë gjyqtarët./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*