Pazari i Ri/ Ylli nga Petrela e nisi me një tezgë dhe përfundoi me një vilë restorant

Nga Anxhela Ferra

Rehabilitimi i Pazarit të Ri, solli shtimin e bizneseve dhe shërbimeve për qytetarët. U ngritën tezga të reja, u hapën dyqane e disa ekzistuese u rikonstruktuan.

Ylli Hidri është një prej biznesmenëve që 25 vjet më parë nisi të tregtonte në ambientet e Pazarit të Ri. I rritur në një fshat të zonës së Petrelës, në vitin 1990 vjen në Tiranë.

Gjatë dimrit shiste me arkë peshk, kurse në verë shkonte në fshat e merrej me punët e fshatit. Në fillim ishte vetëm një shitës peshku, në një cep të Pazarit të Ri. Ndërkohë sot, numëron një sërë biznesesh, ku ofron konsumin por edhe shitjen e peshkut.

Pasi disa kohësh, si shitës mori një tezgë me qira, pasi donte që të ecte vetëm në këtë biznes. Por, për Yllin as kjo nuk ishte mjaftueshëm e vendos të blej një dyqan në 1998, për të shitur në mënyrë sa më cilësorë.

“Nga pak e nga pak, me korrektësinë që kisha në punë krijova besim te njerëzit e më pas kjo u përkthye në rritjen e biznesit. Rreth vitit 1998 mora një dyqan, përsëri në zonën e markatës.”

Në atë kohë në zonën e Pazarit të Ri, ishte vetëm markata e mishit, por prej vitit 2011 ajo quhet markata e mishit dhe peshkut. E gjitha kjo sepse Ylli vendosi të investonte në hapjen e restorantit të parë të peshkut në atë zonë.

“Në 1 dhjetor 2011, hapa restorantin tim të parë, ku lindi nevoja edhe e emrit. Te ish-markata e vjetër ishte markata e mishit dhe unë në krah. Pasi e diskutuam, vendosa që të lija një emër të thjeshtë, vetëm “Markatë e peshkut”.

E hapa restorantin me mendimin që do të vinin ta frekuentonin njerëzit që vinin te pazari. Pasi, kisha shumë miq që më thoshin që nuk vinin dot të hanin, vetëm nga kushtet e mjerueshme që ishte zona e Pazarit të Ri.

Ndryshe nga çfarë e mendoja unë, restoranti mori rrjedhë tjetër, filloi një klientelë që unë nuk e kisha parë ndonjëherë, ndoshta ata as nuk e dinin që ekzistonte Pazari i Ri.

Në 6 dhjetor 2012, mora një ambient tjetër në zonën e Xhamllikut, pasi kërkesat ishin të shumta dhe nuk e përballoja dot klientelën vetëm me një ambient.”-tregon Ylli për dritare.net

 

Ndërkohë që Yllit bizneset e veta po i shkonin shumë mirë, projekti i rikonstruktimit të zonës së Pazarit të Ri, kërcënonte “Markatën e Peshkut”.

“Në 2015, kur u prezantua projekti për rikonstruksionin e zonës së Pazarit të Ri, na erdhi urdhër për lirimin e ambienteve. Unë nuk doja ta lija, pasi ishte një investim prej tre vitesh dhe kisha frikën se me ndryshimin e ambientit, do të më lëvizte dhe klientela. Për këtë arsye pata edhe përplasje me policët. Pavarësisht se kontratën me Bashkinë e Tiranës e kisha deri në 2020, unë pranova të liroja ambientin. Për të mos humbur klientelën, magazinën që mbaja peshkun, e ktheva në restorant.”

Ylli tregon për dritare.net, si u bë pronari i vilës që ndodhet në zonën e Pazarit të Ri dhe e ktheu atë në vendin ku shkojnë të gjithë.

“Para disa kohësh, më thanë se një vilë në zonën e Pazarit të Ri është bosh dhe shitet. Më plëqente shumë si vilë, nuk doja të shkëputesha nga Pazari i Ri, prandaj e bleva edhe pse pazari ishte në fillim të ndërtimeve e ishte me rrezik si do të shkonte. Vila ishte e rrethuar me pesë dyqanet e veta, për ta hapur më tepër ambientin,  i kërkova Bashkisë të vinin për t’i shembur.

Në datën 16 dhjetor është inauguruar si biznes. Nga 30 tavolina që kisha në ambientet e para, tani janë 90 tavolina. Por mendoj të mos ndalem këtu, në atë cepin ku kam pasur restorantin e parë, do të shtoj shërbimet, do të jetë diçka ndryshe e shpejtë.

Klientët janë ata që kanë qenë në fillime por edhe prurje të reja. Një prej tyre është edhe Kryebashkiaku, Veliaj, i cili ka ardhur së paku njëherë në muaj.”

Për Yllin çelësi i suksesit është shërbimi cilësor dhe peshku i freskët që ai ofron, por edhe çmimet të cilat përballohen nga të gjithë.

“Ofroj vetëm shërbim peshku, njerëzit gjejnë atë që duan në çdo moment, nuk kam pasur ndonjëherë mungesë. Unë bashkëpunoj me Durrësin shumë, janë katër barka peshkimi që janë të prenotuara nga unë për çdo lloj peshku.

Nuk ka shans që një lloj peshku t’i sherbet klientëve, nëse ai nuk është i cilësisë së lartë. Unë çdo ditë vij vetë që bëj kontrollin dhe për këtë pjesën nuk bëj lëshime fare. Nëse ndodh të shërbehet produkt jo i mirë, atëherë përgjegjësit për këtë gjë, largohen menjëherë nga puna.

Produktet që shërbehen në restorante janë të gjitha vendase, përshembull, vajin e ullirit këtë vit e kam marr në Berat. Këto produkte që ofrohen këtu, unë i përdor e në familjen time.

Për çmimet nëse dikush do shkonte të harxhonte 50 mijë lek diku tjetër, për të njëtën sasi dhe produkte më të freskëta do të harxhojë 30 mijë lek. Edhe pse zona e Pazarit të Ri u rregullua dhe është në gjendje shumë të mirë, unë përsëri nuk do t’i rris çmimet e shërbimeve që ofroj në restorant dhe dyqanit ku shes peshk.”

Thotë për dritare.net, se Pazari i Ri për të është më shumë se vendi i punës.

“Unë kam 25 vjet në Pazar të Ri, po të më pyesësh për shtëpinë time, nuk ia di rruazat, kurse Pazarin e Ri, e njoh më mirë se çdo vend tjetër. Nuk mund të largohem kurrë prej këtu, prandaj jam i lumtur që u vendos të përmirësohej.”/ dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*