A jemi larg Qeverisë Teknike?

Nga Dritan Hila

Nuk është vetëm portali i gazetarit Blendi Fevziu, ai që përhapi lajmin mbi qeverinë teknike dhe madje edhe emrin konkret që duhej ta kryesonte, atë të Ermelinda Meksit. Edhe burime të tjera afër kryeministrit apo poleve të tjera të politikës flisnin për këtë eveniment. Emri që u fut në lojë, ai i zonjës Meksi, e bënte më të besueshëm.
Ermelinda Meksi i plotësonte të gjitha kushtet për këtë post. Ajo është ndër femrat që i është bashkëngjitur politikës që me fillimin e pluralizmit dhe bën pjesë tek grupi i reformatorëve të PS. Pedagoge në Fakultetin Ekonomik dhe ministre e ekonomisë ose integrimi, ajo nuk hyn tek figurat konfliktuale të forcës politike. Edhe në debatet politike, është përpjekur të ofrojë argumentin dhe jo retorikën partizane. Profesioniste më shumë se politike, tani punon pranë OSBE. Nuk do të kishte kandidaturë më të mirë për një post si ai i qeverisë teknike, madje pse jo edhe për më gjatë. Jo më kot në kur duan të bëjnë reforma, partitë politike në botë zgjedhin figura të tilla.
Kjo është dëshira e mirë nëse do të kishte edhe vullnet për të dalë nga impasi ku jemi. Por ne jemi ende larg qeverisë teknike. Të paktën Edi Rama, i cili ka edhe çelësin e kësaj zgjidhjeje nuk e ka në planet e tij. Kjo duket nga fakti pasi sapo bëri ndërrimin e katër ministrave me një gjest politik të pakuptimtë. Për faktin se përveçse u dobësua duke hequr ministrin më besnik të tij, u detyrua ta shoqëronte me një kontorno prej tre të tjerësh. Duke shfaqur dobësi në pozicionim, paqartësi aksioni dhe veç kësaj ishte një gjest që as u vlerësua nga opozita.
Në këtë situatë kur katër ministrat e rinj nuk kanë bërë ende betimin, duket e pakuptimtë që Rama të pranojë qeverinë teknike.
Gjithsesi, është një situatë, ku askush nuk mund të vendosë baste. Jo vetëm për faktin se lëvizjet politike të sotme bëhen në mungesë të plotë transparence. As sepse llogjika normale nuk funksionon. Por ç’ka është më e rëndësishmja, ne ende nuk e dimë sesi reagon Rama në momente presioni. Pasi vërtetë ai ka 18 vjet në pushtet, por asnjëherë nuk ka kaluar testin e krizave, të operojë nën presion kur është në një pozicion kyç, ku askush nuk i mbulon shpatullat si dikur Nano, Majko apo Meta. Ndaj edhe mund të kalojë në qeveri teknike ende pa votuar ministrat. Megjithëse ashtu si i pari, edhe këtë rradhë do tregojë mungesë qartësie. Por kjo ende nuk është vërtetuar. Llogjika normale thotë se edhe për ca javë do të kemi këtë qeveri që është./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*