Piktori turk kujton takimin me Dritëro Agollin: Nuk do ta harroj çfarë më tha

Nga Anxhela Ferra

Piktori i mirënjohur Atanur Dogan, ishte përsëri pjesë e Bienales së Akuarelit në kryeqytetin shqiptar. Njëkohësisht edhe President i Shoqatës Botërore të Akuarelistëve, Dogan në edicionin e parë të Bienales së Akurelit në 2015, pikturoi të ndjerin Dritëro Agolli.

Edhe këtë edicion, i rikthehet shkrimtarit të mirënjohur, por kësaj radhe me më shumë emocione dhe ngrohtësi. Një portret i pavdekshëm në telajon e një piktori, për të cilin realja është muza më e mirë.

Në një intervistë për dritare.net, Atanur kujton takimin me Agollin, duke shprehur se u trondit kur mori vesh lajmin e ndarjes nga jeta.

“E dija që ishte i sëmurë, por përsëri u trondita shumë kur dëgjova për largimin nga kjo botë të të madhit Agolli. Unë kam takuar shumë njerëz, por Dritëro Agolli ishte më tepër se frymëzim, gjithmonë do ta kujtoj ditën kur kam shkuar në shtëpinë e tij. Ai është një figurë shumë e rëndësishme dhe e nderuar për shqiptarët dhe jo vetëm.

Idenë për ta pikturuar në edicionin e parë të Bienales në Tiranë, ma dhënë organizatorët. Më treguan disa histori e detaje të jetës së Agollit dhe pamë shumë foto. Fytyra shprehëse dhe sytë plot jetë të Agollit, më bënë të pranoja menjëherë. Ishte një foto bardh e zi, e unë zgjodha t’i shtoja ngjyrat.

Dritëroi u prek kur pa pikturën dhe na ftoi në shtëpinë e vet. Nuk do ta harroj fjalinë që tha: “nuk është bardh e zi njeriu”, vlerësoi ngjyrat që unë i shtova. Ishte një moment që më emocionoi shumë.

Qëndruam për më shumë se një orë, pimë kafe, raki e hëngrëm tortë, gjithashtu folëm për shumë gjëra. Na tregoi disa prej historive të tij, disa foto të hershme të tij kur ishte i ri, shumë gjëra për Turqinë, ai madje dinte disa fjalë turqisht. Më tha që e pëlqente shumë Turqinë edhe turqit, kishte një simpati të veçantë për ata. Bënte shaka, ishte shumë i zgjuar, i thellë në mendime dhe ndjenja. Kuptohej që çdo gjë që ai shkruante apo thoshte, ishte me shumë vlerë.

Kur e pikturova para disa ditësh përsëri, ishte një kënaqësi shumë më e madhe. U mundova të hidhja emocionet e tij, mendimin filozofik, shprehitë.  Kjo sepse e takova personalisht, fitova një takim emocional. Për këtë arsye në pikturën e dytë, krijova diçka më shumë se thjesht një imazh. Dhash shpirtin në atë pikturë, impresionet e mia, së bashku me emocione reale.

Më thanë që vajza e tij, ishte shumë e emocionuar që unë e pikturova përsëri portretin e tij. Pasi nëpërmjet artit të të bukurës, i bëhet një homazh.”

Për Atanurin, nuk janë të rëndësishme dritat e një qyteti të madh apo njerëzit e sforcuar, për të çdo rrudhë është një histori që vlen të pikturohet.

“Më shumë më pëlqen të pikturoj njerëz të vërtetë, jetesën natyrale, njerëz emocional, më afër natyrës. Ju keni njerëz shumë të bukur, takova disa gra të moshuara nga fshatrat shqiptare dhe i pikturova ato. Mund të them që janë ndër portretet më të bukura që kam parë”, shprehet piktori turk, për dritare.net.

Bienalja e dytë e Akuarelit në Tiranë, ka nisur në datën 12 mars dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur deri në 22 mars, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar për të gjithë dashamirësit, të cilët mund të prekin nga afër disa prej punëve të më shumë se 400 artistëve ndërkombëtarë./ dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*