Shëndetësia, 4 koncesione të reja do të jepen këtë vit

Koncesionet me partneritet publik-privat janë vënë në themel të politikave shëndetësore edhe për këtë vit.
Koncesionet e shërbimit laboratorik, monitorimit online të barnave, monitorimit online të recetave dhe regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore do të nisin punë ketë vit.

Lajmi u njoftua në strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020, ku behet e ditur se përveç implementimit të Check-up-ëve për popullatën e grupmoshës 40-65 vjeç, Partneriteti Publik Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si për shembull instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, etj. Gjithashtu partneriteti publik privat do të përfshijë edhe monitorimin oline të barnave dhe të dhënave shëndetësore.

Përveç koncesionit të shërbimeve laboratorike që tashmë është lajmëruar që do të jepet këtë vit, tre koncesione të tjera janë planifikuar të nisin këtë vit.

Koncesioni i laboratorëve do të paguhet nga arka e shtetit me 13 miliardë lekë afërsisht 100 milionë dollarë për vitet në vijim. Shërbimet laboratorike që tani kryhen në qendrat spitalore do të bëhet nga privatet.

Koncesioni i dytë është për monitorimin ‘on line” të lëvizjeve të barnave në depot e kontraktuara. Ky koncesion ka për qëllim realizimin e regjistrimit on- line të aktivitetit të distributorëve farmaceutikë. Autoriteti kontraktor do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Koncesioni i tretë është regjistri Elektronik i Rekordeve Shëndetësore (Electronic Health Record (EHR) që do të funksionojë nga ky vit e në vazhdim.  Ky regjistër do të jetë një portal mbi historikun e pacientit nga informacioni i sistemeve që Fondi disponon. Do të krijohet një databazë shëndetësore për çdo pacient.

Koncesioni i katërt është “Receta Elektronike” (e-Prescription) që ka në themel përshkrimin on line të barnave të rimbursuara. Autoriteti kontraktor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky projekt me partneritet publik-privat ka nisur të aplikohet që në disa qytete pilot dhe më pas do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. /Monitor/

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*