Vdekja tragjike e Rigelsit, endacaku i ish-Bllokut që refuzonte lëmoshën

Mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet një 36-vjeçar humbi jetën. Sipas burimeve, atë e zuri korrenti në praninë e të atit, teksa tentoi të futej me forcë në kabinë. Vdekja tragjike e tij nuk mori ndonjë vëmendje të madhe mediatike, ndoshta sepse e patën të vështirë ta identifikonin. Rigels Patoku ishte një endacak që prej vitesh flinte në kabinën që i mori jetën, ndërsa ditën e kalonte duke i dhënë ngjyrë rrugëve të kryeqytetit.

Të gjithë ata që kanë kaluar të paktën njëherë në zonën e ish-Bllokut, është e pamundur të mos e kenë vënë re. Prania e Rigelsit nuk bezdiste askënd. Përkundrazi,kishte nga ata që edhe argëtoheshin sa herë e shihnin apo e dëgjonin. Ai zinte një cep të rrugës nga ku niste të këndonte, ndonjëherë edhe fliste rrjedhshëm italisht me kalimtarët.

Rigelsi ishte një njeri që dukej se e mbanin në jetë pasionet. Kishte një pasion të dukshëm për modën, saqë e kishte kthyer rrugën nga sheshi Wilson e deri tek Libri Universitar në një pasarelë. Për të s’kishte shumë rëndësi sa të shtrenjta ishin ato që kishte veshur. Me siguri imagjinata i thoshte diçka krejt ndryshe.

Sot, teksa komentohej në rrjete sociale, binte në sy respekti që të gjithë gëzonin për personazhin simpatik të kryeqytetit. Komentuesit binin dakord në një pikë: Rigelsi nuk e pranonte asnjëherë lëmoshën, madje edhe kur ishte vërtet në vështirësi, ai nuk kërkonte para. Vetëm diçka për të ngrënë! Dhe besojeni ose jo, por kishte dhe nga ata që qanin për njeriun që s’e njohën kurrë deri sot. Në mënyrë të pavetëdijshme, Rigelsi ka fituar zemrën e atyre që e njohën kalimthi. Atyre që njihnin zërin e tij, që njihnin cepin ku qëndronte gjithmonë, por nuk njihnin emrin dhe historinë.

Gjithsesi, ç’rëndësi kanë të gjitha këto tani që ai s’është më. Ndoshta Rigelsi ka qenë vërtet në Itali, ndoshta edhe ka qenë për disa kohë prapë hekurave të burgut. Por, Rigelsi mund të ketë qenë dhe një i ri me dëshirën për të studiuar, një i ri që e donte dhe vlerësonte jetën dhe gjërat e vogla të saj, më shumë se të gjithë ne. Rigelsi iku, por ai nuk e di sesa njerëz e vlerësonin dhe e njihnin. Dhe ndoshta tani është tepër vonë për t’i thënë se ashtu me krenarinë, energjinë, butësinë dhe të vërtetën që përcillte na fuste në dyshime. Teksa mbytemi në përgjegjësi, ambicie, fasadë e shtirje që s’na duhen, po harrojmë të jetojmë.

Ai jetoi pak, por më shumë se secili prej nesh. Meriton një falje dhe mirënjohjeje endacaku i kryeqytetit qe refuzonte mëshirën tonë. Nuk dihet se në cilën botë jetonte Rigelsi që ishte aq i lumtur dhe entuziast për jetën, por duhet të ishte një botë më e mirë se kjo e jona./Ergisa Bejkollari/Anabel.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*