Torturat gjatë komunizmit, reagon Fatmir Xhafaj: Ja e vërteta për akuzat!

Ministri i Brendshëm i dekretuar, Fatmir Xhafaj ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave që i janë bërë gjatë ditëve të fundit. Në një deklaratë publike Xhafaj hedh poshtë akuzat për torturë gjatë regjimit komunist.

“Në vitin 1982 kam përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti jam emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë. Në maj 1983 jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë. Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendshëm. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysmë, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë. Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare.
Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme.

Këto ditë, kam dëgjuar në media, gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim. Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në Janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar.
Ndërkohë, janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gjykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986, periudhë kur unë nuk isha më pjesë e sistemit të drejtësisë”, sqaron Xhafaj.
“Jam i befasuar edhe nga mënyra që opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike”, thekson Ministri i ri i Brendshëm./dritare.net

Mos humbsni oferten nga Spitali Continental,per cdo vizitë perfitoni deri ne 50% ulje. Kliko ketu per te marre Kuponin

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*