Disa deduksione

Nga Dritan Hila

Ca pak gjëra lidhur me reformën në drejtësi.
Nuk do të jetë shkopi magjik që do t’i japë zgjidhje problematikën shqiptare. Do duhen shumë vite që të ndihet në mentalitetin tonë dhe ca më shumë në ekonomi.
Ekziston rreziku që për të zgjidhur një problem, të shkaktohet një problem më të madh. Mbetet për t’u parë.
Ata që do të punojnë në të ardhmen në drejtësi janë njerëz të këtij sistemi dhe të përzgjedhurit do të vijnë po nga sistemi. E shumta mund të skualifikohen rreth 10% e atyre që janë. Ndaj mos u zhgënjeni kur të shikoni të njëjtët në sallat e gjyqit.
Sistemi i emërimeve dhe përzgjedhjeve të këshillave dhe drejtuesve të tyre, i jep fuqi të pakontrollueshme gjykatësve dhe prokurorëve që do të bëjnë pjesë në sistem. Nëse deri më sot ata kontrolloheshin në një farë mënyre nga politika (për mirë ose për keq ky fakt), pas hyrjes në fuqi të reformës, ata do të kontrollojë vetveten.
Pas implementimit të plotë, askush nuk do mundet të ndërhyjë në sistem. 400 prokurorë dhe po ëkaq gjykatës do të promovojnë, shkarkojnë apo emërojnë vetveten. Sa është e mundur të ruhet ky sistem nga moskorruptimi, është e vështirë të thuhet. As vetë krijuesit e tij nuk kanë një garanci.
Nëse pas kësaj, sistemi i drejtësisë del nga kontrolli, as politika nuk do të mundet ta kontrollojë, pasi sistemi i drejtësisë që do të kemi krijuar mund ta hajë edhe politikën.
Askush nuk jep garanci pse ka më ndershmëri një gjykatës apo prokuror që nuk kontrollohet nga askush, krahasuar me një politikan i cili testohet çdo 4 vjet nga publiku. Ekziston frika se po kalohet në “juristokraci”, dhe pasi të jetë bërë operativ sistemi, askush nuk do të mundet ta kontrollojë dhe do të mbetet vetëm shpresa që mos të dalë jashtë shinave.
Reforma në drejtësi që po aplikohet në Shqipëri është shumë më radikale se ajo rumune ose kroate. E thonë edhe vetë hartuesit. Mesa duket ata janë të etur për rezultate të shpejta. Ndaj edhe shmangën rrugën e reformës politike e cila do të ishte rrugë më e gjatë por do të jepte mundësi që shqiptarët të vetkorrigjoheshin.
Gjithsesi nuk është fundi i botës. Kemi parë edhe më keq./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*