Çfarë më tha Ilir Meta pas intervistës?

Nga Dritan Hila

Pas intervistës me Ilir Metën, qenë të shumtë që më pyetën: “Çfarë të tha diçka, që nuk e tha përpara kamerave? Çfarë do të bëjë?”
Të gjithë me siguri prisnin përgjigjen time pa doreza të tipit “pas x ditësh do të futet në zgjedhje”, ose “do të braktis qeverinë”, apo “do ta çojë Ramën drejt votëbesimit”.
Në fakt në kafen e kortezisë të pas intervistës edhe unë i bëra pyetjen që bëhet në të tilla raste, “Si e shikon dhe mendon se do të vejë situata?”.
Ajo që kuptova nga biseda ishte se ai situatën e shikonte shumë të komplikuar; se mes tre figurave qëndrore të sotmet ai ishte i vetmi që kishte eksperiencën e drejtimit të vendit në kushte të vështira dhe kishte qenë lojtar i dorës së parë gjatë 25 vjetëve; se nuk e dinte sesi silleshin nën presion Rama dhe Basha; se nuk e njihte atë që inxhinierët e quajnë pika e thyerjes së tyre dhe kjo ia vështirësonte parashikimin; se nuk e dinte se deri ku mendonte ta shtynte Rama mospërfilljen e tij dhe deri ku mund të shkonte Basha me bojkotin; se nëse Berishës i njihte fuqinë dhe kontrollin mbi turmat, nuk e dinte sesa Basha do të mund t’i mbante ndjekësit e tij të disiplinuar dhe a e kishte fuqinë të fuste prapë në shishe djallin që mund të dilte; se në 25 vjet politikë kishte pasur rastin të ishte adoleshenti i çakërdisur dhe kryeministri në ditë të vështira që kishte parë vendin të rrënohej, dhe e dinte sesa një mospërllogaritje e saktë e humorit të turmave, mund të çonte në revolta vetëshkatërruese; se ndërkombëtarët shpesh nuk njohin pulsin e popullsisë dhe janë të saktë vetëm në misionet humanitare; se mendonte që asnjeri nga interlokutorët e tij vendas apo të huaj nuk e njihnin kompleksitetin e ngjarjes; se i mungonin zërat autoritarë në kampet e palëve të tjera që të mund të këshillonin liderët për paqe dhe jo për luftë; se as ai as Rama as Basha nuk e dinin cila do të ishte zgjidhja, por fatkeqësisht vetëm ai kishte eksperiencë dhe e dinte sesa e vështirë është të ndalosh nëse do të fillonte rënia e lirë e krizës; se nuk mund të bënte kamikazin që prisnin demokratët dhe as vasalin e bindur që prisnin socialistët, pasi kjo nuk do t’i shërbente as votuesve të tij, dhe askujt nga palët; se ndërkohë ekonomia po bllokohej dhe shumë biznesmenë kishin bllokuar investimet, ndërsa të huaj po iknin; se tensioni social po rritej çka ishin faktorë shtesë që do të vononin zgjidhjen; se kjo nuk ishte një frikë që kishte për veten por për vendin, i cili nuk mund ta përballonte një ’97-të tjetër të cilën ai do të bënte çfarë kishte në dorë ta ndalonte.
Sigurisht për shumë lexues që kanë qenë edhe dëgjues, do të thonë se këto pak a shumë i dëgjuam; se këto nuk thonë asgjë; se ashtu si gjithë politikanët as ai nuk jep një përgjigje të prerë. Por kush e njeh politikën e di mirë se kjo është e vërteta: një lojë hijesh, hamendësimesh dhe pasqyrash që shoqërojnë çdo politikan. Si vetë jeta./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*