Vjosa që zbukuron vipat/ Nga garazhi në akademi bukurie

Nga Anxhela Ferra

Vjosa Metaj Cena ka nisur të punoje që në moshën 16 vjeçare. Shumë ndryshe nga të gjitha bashkëmoshataret e saj, vajza nga Prishtina rrëfen për dritare.net se jetën e saj e ka planifikuar që në vitet e adoleshencës dhe gjithmonë ka qenë e pavarur.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Vjosa ka qenë e vogël, por i mban mend mirë detajet e atyre ditëve që kaloi ajo dhe familja e saj. Një fëmijë i ndjeshëm i cili donte të ndihmonte prindërit, por nuk dinte sesi.

“Luftën unë e kam përjetuar vetëm për një javë, se nuk na kanë lenë prindërit më gjatë aty, na dërguan në Maqedoni. Por, për një javë kam parë mjaft, kam parë të marrin babin, na kanë larguar nga shtëpitë policia me turma të mëdha.

Ato kohe, për sa i përket kushteve financiare, familja ime ishte mesatare, por prindërit i larguan nga punët dhe normal që kishim vështirësi. Këto gjëra edhe pse ti je një fëmijë përsëri i kupton, sidomos nëse je një fëmijë si unë që doja të dija gjithçka. Isha rreth 13 vjeçe dhe shqetësohesha shumë, pasi kam qenë e jam shumë e ndjeshme e merrja shumë afër zemrës gjithçka që ndodhte. Doja të ndihmoja familjen, por nuk dija sesi dhe kjo më mërziste.

Qëndruam në Maqedoni për tre muaj e gjysmë dhe pastaj u kthyem në Kosovë. Në familjen time nuk ka pasur të vdekur nga lufta, por përsëri të gjithë që e kanë përjetuar atë kohë e ndjejnë edhe sot,”- shton Vjosa me sytë e përhumbur në turmën e njerëzve që kalon në rrugë, duke dashur t’i ikë kujtimeve të asaj kohe.

Pastaj me optimizmin që e karakterizon, menjëherë nis të tregojë gjërat e bukura që i kanë ndodhur në ato vite, më e bukura, njohja me Shkumbinin, bashkëshortin, mbështetja e saj më e madhe. Dhe prova më e fortë e dashurisë së tyre janë Broni dhe Iva.

“E kam parë të ulur në shkallë me disa shokë, ishte dashuri me shikim të parë dhe unë i besova asaj dashurie. Unë doja t’i tërhiqja vëmendjen, Shkumbini ishte një fëmijë i llastuar, deri sa i rashë në sy pa i thënë unë që më pëlqen. Në atë kohë unë isha 16 vjeçe, kurse Shkumbini ishte 19 vjeç. Që prej asaj kohe nuk jemi ndarë asnjëherë, përveç kur jemi në udhëtime pune, por dhe atëherë në rastin e parë që na del, kthehemi në shtëpi pranë njëri-tjetrit dhe fëmijët.

Edhe pse ata nuk janë të lidhur më shumë me mua apo Shkumbinin, por me njëri-tjetrin, pasi janë binjakë. Nëse nuk jam unë apo Shkumbini nuk e kanë problem , por pa njëri-tjetrin kanë 4 vjet e gjysmë që nuk ndahen asnjë ditë. Takimi me ta është pjesa më e mirë e ditës dhe terapia më efikase.”

Si u be Vjosa, mjeshtre make up-i!

Me një familje intelektuale, babai jurist dhe mamaja gjuhëtare, Vjosa e kishte të vështirë të bindte prindërit që nuk do të ndiqte një fakultet. E vendosur për t’ia dale mbanë, vetëm dhe me një valixhe të vogël vjen në Tiranë për të studiuar, më pas shkon në Shkup. Por, as këto nuk mjaftonin dhe do të ishte Londra që do ta mësonte më shumë, për të qenë profesionistja që është sot.

“Unë që 16 vjeçe e dija se çfarë doja të bëja në jetë, e kisha të qartë profesionin që duhej të kisha.  Në atë kohë nuk ka pasur shkolla për make-up dhe grimieret cilësoheshin “ato që rregullojnë nuset”. Nëna ime e mbante shumë veten dhe ajo ka qenë gjithmonë inspirim për mua. Mbaj mend ditën kur babai më ka pyetur se ku do të shkoja për shkollë të lartë dhe unë i them që dua të bëhem grimiere.  Për disa ditë patëm debat, pasi ata e kishin të vështirë ta pranonin që unë nuk do të shkoja në fakultet.

Pasi binda familjarët vij në Tiranë, pasi kisha dëgjuar për një shkollë grimi. Isha shumë e entuziazmuar, por zhgënjehem kur vij këtu. Pasi ajo nuk ishte shkollë, ishte thjesht një parukeri.

Por, nuk guxoja t’i thosha babait që nuk më pëlqen dhe vendosa të qëndroja. Kalova një muaj e gjysmë, duke qenë se nuk ishte ajo që unë doja, shkoj në Maqedoni. Atje kisha një shoqe, me të kemi kërkuar në të gjithë Shkupin për make-up artist, deri sa e gjetëm. Ajo ishte maqedonase dhe kishte akademi, menjëherë u regjistrova, erdha në Tiranë ku mora rrobat dhe më pas shkoj në Prishtinë, që ia them prindërve.

Mbaj mend ditët që më duhej të vrapoja për të kapur autobusin, për të shkuar deri në Shkup sepse nuk doja të mungoja asnjë ditë, atje qëndroja te disa të afërm. Nuk kisha shumë të holla, por ajo periudhë më ka bërë shumë mirë, pasi jam forcuar e pjekur.

Pas Maqedonisë shkoj në Londër, atje kam mësuar shumë.

Kur shkova, nuk e dija gjuhën shumë mirë dhe mendoj se kjo gjë ka qenë në favorin tim. Pasi make-up-i është diçka që mësohet duke parë me sy, më shumë se të dëgjosh teorinë. Është të vjedhësh atë që sheh dhe duke qenë se nuk e njihja gjuhën, mundohesha të shihja çdo lëvizje të dorës së profesionistëve.”

Pasi kthehet nga Londra, Vjosa synonte të realizonte planin e radhës, të hapte një biznes të vetin. Në një hapësirë 20 metra katror, ia del të krijojë dyqanin e saj të parë.

“Kur u ktheva nga Londra doja të hapja një dyqan, por nuk mundesha vetë, pasi nuk kisha mundësi financiare. Prindërit e Shkumbinit kishin një bodrum rreth 20 metra katror, më erdhi ideja ta rregulloja atë ambient e ta përshtatja për parukeri. Babai më ndihmoi financiarisht për ta rregulluar, por unë duhet ta paguaja çdo muaj. Këtë gjë e bëri vetëm për të më mësuar me pasjen e obligimeve, ishte gjëja më e mirë.

I kujtoj ato ditë të para, kur nuk kisha punë, shkoja në shtëpi duke qarë. Deri sa klientela ime nisi të rritej dhe ato vajzat cilat kanë ardhur para 13 vitesh, vijnë përsëri edhe tani. E ato tanimë janë mikesha të mija, pasi më kanë ndihmuar të rritem, të më njihnin më shumë njerëzit. Pasi në atë kohë nuk ka pasur Instagram apo rrjete sociale, marketingu bëhej me broshura ose përçohej fjala.”

Klientela e Vjosës në sallonin “Angels” po rritej çdo ditë e më tepër dhe si rezultat vajza nga Prishtina filloi të kërkohej për bashkëpunim edhe nga profesionistë të tjerë ndërkombëtarë. Sot, Vjosa bashkëpunon me Zvicrën, Suedinë, Anglinë. Prej tre vitesh edhe me Shqipërinë, ku çdo muaj vjen në kryeqytet për disa ditë, për të realizuar vetulla perfekte tatuazh nëpërmjet teknikës së njohur “mikroblading”. Teknikë të cilën, Vjosa e ka mësuar prej një artisti nga Beogradi dhe së bashku do të hapin një akademi në kryeqytetin serb.

Çfarë i thonë mësueses nga Prishtina, studentet nga Beogradi!

“ Është shumë e nevojshme të ketë shkolla profesionale dhe Shqipëria e Kosova janë ende shumë mbrapa në këtë pjesë. Së bashku me një mikun tim shumë të çmuar, do të hapim një akademi në Beograd, ku unë do të jap mësime make-up-i. Do të jenë kurse intensive dhe më pas do të kalojnë edhe online.

Bashkëpunimi na shkon shumë mirë pavarësisht se është Beograd-Prishtinë, ne nuk jemi të ngarkuar negativisht dhe asnjëherë nuk është diskutuar ajo pjesë. E respektoj shumë e gjithashtu edhe ai, ma do punën e më vlerëson. Akademia e tij ka shumë degë, por pjesën e make-up ma ka besuar mua. Puna po ecën perfekt dhe mendoj se pas një viti do të jetë një prej akademive më të mira në rajon.

Kur është bërë prezantimi im për make-up-in në Beograd kanë qenë 600 veta, gjithashtu kam pasur edhe shumë studente të mija që janë serbe. Nuk kam pasur asnjë problem, kur më pyesin nga je e i them nga Prishtina, përgjigja e tyre gjithmonë është “o sa më ka marr malli, unë kam lindur atje” e dikush tjetër ka kaluar një kohë, ose pyesin si është Prishtina tani.

Definitivsht të rinjtë janë më të butë, nuk janë të ngarkuar me urrejtje. Luftën e konfliktet i bëjnë politika, por unë nuk merrem me politike, vetëm me art dhe arti nuk ka kufij e kombësi.”

Vjosa ka një keshillë për ty!

Një artiste e respektuar nga të gjithë dhe shumë pozitive, mikesha e kujtdo që është klient i saj,  Vjosa ka një këshillë për të gjithë lexuesit e dritare.net.

“Sido qoftë muri përpara teje, në karrierë e jetë, mos e lejoni t’iu mposhtë, rrëzojeni atë! Nuk ka gjë që është e paarritshme, vetëm duhet ta duash shume atë që do të bësh e të punosh fort përditë. Dhe do ia dalësh./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*