Historia e Klodit, vajzës që themeloi Akademinë e Bukurisë në Shqipëri

Nga Anxhela Ferra

Klodi Mengri nuk është një prej shumë fashionisteve që shohim sot nëpër rrjete sociale. Klodi është unike, është ndryshe, është origjinale.  Ndaj nuk mund të ndodhte ndryshe, përveçse të kthehej në ikonë stili dhe jo vetëm. Klodi Mengri është vajza që themeloi  Ti Institute.

Në një rrëfim për dritare.net, tregon rrugëtimin e saj në vende të ndryshme të botës, edukimin në shkollat më prestigjioze, eksperiencën në sallonet më moderne. Nevojën e vazhdueshme për t’u larguar nga Shqipëria dhe forcën me të cilën atdheu e tërhiqte pranë vetes.

E frymëzuar nga mamaja e saj, Klodi e krijonte të bukurën që në fundin e viteve ’80.

“Dëshirën për të bukurën e kam marrë nga mamaja ime. Mbaj mend që e vogël, mamaja ka qenë shumë e fiksuar pas modës dhe të bukurës. Dhe në atë kohë që nuk kishte shumë mundësi financiare, nuk i mungonte kurrë grimi apo flokët e stiluara. Edhe unë gjatë gjithë adoleshencës sime i rregulloja flokët mikeshave të mia, motrës. Më pëlqente dhe e bëja mirë.”

Shkollën e lartë dëshironte të vazhdonte për Juridik, por duke qenë se ishte nxënëse e mirë, i nxorën inxhinieri mekanike. Kjo degë nuk ishte për Klodin dhe këtu nis rebelimi i brendshëm i saj. Si pasojë, vendos të mos shkonte në shkollë atë vit.

Por, ky nuk ishte aspak një vit i humbur për Klodin, pasi aty u përcaktua e ardhmja e saj.

“Doja me patjetër të merresha me diçka, duke qenë se e kisha me shumë pasion e talent, fillova të bëja nuse motrat e shoqeve të mia që ishin më të mëdha. Pas një viti, vij në Tiranë, duke qenë se kisha nisur që rreth pesë vjet që merresha me stilim, gjeta punë. Punova me dy mikeshat e mija Lili Ismailin dhe Armelën në dyqanin e tyre privat.

Aty kanë ardhur të gjithë njerëzit e famshëm, të kohës, nga Inva Mula, Manjola Nallbani, të gjitha gocat e Akademisë së Arteve. Por, ajo që më impresiononte me bukurinë e saj sa herë që vinte në dyqan ishte Rajmonda Bulku. Ishte kaq e bukur.”

Rruga drejt Amerikës, rruga drejt perfeksionit

Edhe pse po i ngjiste shkallët e suksesit me hapa të shpejtë, Klodi nuk mjaftohej. Pasi, Shqipëria nuk i mjaftonte kurrë. Çdo projekt ishte trampolinë për të qenë më afër ëndrrës amerikane.

“Rreth viteve ‘95 hapa një dyqan te Shallvaret, i cili edhe pse ishte i vogël u bë një pikë takimi për të gjitha vajzat. Deri në ’98 kam punuar te Shallvaret. Por, gjithmonë mendoja se ishin gjëra të përkohshme, e kisha të ngulitur në kokë të ikja në Amerikë.”

Mirëpo, Amerika do të ishte përsëri një ëndërr larg, pasi në 1998 Klodi shkon në Itali.

“Në 1998 fillova studimet  në Akademinë L’Oreal në Torino, Itali, njëkohësisht edhe punoja. Profesionistët që ishin atje më veçuan dhe më bënë një propozim fantastik që e qaj gjithë jetën tani, pasi nuk e pranova. Një nga emrat më të mëdhenj në botë, Aldo Copola, mes shumë parukiereve të tjera më zgjodhi mua të punoja në një prej dyqaneve të tyre në Kremlin, Moskë. Për tre vjet rresht ma kanë bërë atë propozim, por unë isha e fokusuar te ëndrra amerikane.

Dëshira ime për t’u larguar nga Shqipëria nuk shteronte ndonjëherë, me gocën dy vjeçe ika në Kanada pasi mora një vizë 1 vjeçare. Aty bëra shkollën time të dytë, një program të avancuar profesional për ‘make-up’ në Edir Serei Montreal. Synoja të punoja si make-up artist në industrinë e kinematografisë dhe ishte profesoresha ime që donte të më mbante pranë. Duke qenë se unë isha pa dokumente, nuk mund të qëndroja më në Kanada.”

Përsëri Klodi nuk u dorëzua fatit, i cili dukej se donte ta shtynte vetëm drejt Shqipërisë. Drejt një vendi që nuk ishte ende gati për të pranuar idetë dhe propozimet moderne të vajzës nga Pogradeci.

“Rreth vitit 2005 hapa një sallon me emrin “KLO”, i cili ndodhej në zonën e Bllokut. Salloni ishte shumë avangard për kohën, aty bëja festa, klientela ime ishte shumë e mirë kryesisht intelektuale. U bënë shumë vjet në këtë profesion edhe u lodha. Në atë kohë mendoja se me profesionin, por tani që e mendoj jam lodhur me përpëlitjet e mia për të kuptuar se çfarë doja në jetë. Unë propozoja gjëra që ishin shumë të reja për vendin dhe kjo më mërziste, për faktin se nuk mi pranonte ambienti.  Isha e humbur pasi unë doja të bëja shumë gjëra, kjo u përkthye në një shpërthim dhe brenda tre ditëve thash që këtë punë do ta lë.

Çdo të ardhur që kisha e shpenzova për të shkuar në Amerikë, bashkë me vajzën u nisa për një periudhë 1 mujore dhe qëndrova një vit me anë të vizës.”

Përpëlitjet për të ikur, provuar gjëra të reja, njohur botën e veten;  finalizohen me qëndrimin në Amerikë.

“Ai ishte viti më i bukur dhe më me vlerë i eksperiencës sime. Shkova me idenë që nuk di se çfarë do bëj, por thjesht dua të kem një pushim. Atje u njoha me Institutin e Modës Fashion Institute of Technology dhe bëra një kurs ku u certifikova si konsulente imazhi.

Ishte një botë e mrekullueshme, e madhe, moderne, me ekzibicione, një përvojë e çmuar.”

Realizmi i një ëndrre  “TI Institute”

Që prej vitit 2009 Klodi ishte drejtoreshë imazhi në Tv Klan, një pozicion që e mbajti për tetë vjet. Por, dëshira për të krijuar gjithmonë gjëra të reja e kanë shtyrë Klodin të jetë e para që ndërmerr projekte dhe me shumë këmbëngulje hapi “TI Institute”.

Një shkollë për të gjithë, duke nisur që nga mësimet e parukerisë, estetikës, deri te konsulencat për imazhin.

“Janë disiplina të reja në Shqipëri, por jo të huaja. Shqiptarët e kanë shumë të rëndësishëm imazhin, e kanë shumë të domosdoshme njohjen me veten. Nga historia jonë ne e kemi pasur pak të vështirë të njohim veten, të kemi një trashëgimi tonën në formën e të mbajturit, në formën e të jetuarit. Vetëm kemi kopjuar, është fat i mirë që ka qenë Italia nga kemi marre, por përsëri mbetej një kopjim, pa origjinalitet. Për mua është një fatkeqësi që nuk kemi mundur të ndjekim traditat tona të vërteta, pasi kemi shumë dhe janë shumë të bukura.

Filozofia jonë është një TI personale dhe më pas një TI më e madhe, por le ta nisim me atë vetjaken. Ti vjen te ne me dëshirën që të zbulohesh, ekzaminohesh, të gjesh gjëra të reja si në të brendshmen, ashtu edhe në të jashtmen. Pasi një formë e jashtme e bukur, nuk mund të jetë kurrë pa të bukurën e brendshme.

Instituti është i ndarë në katër dimensione; “Ti mëson”, “Ti ndriçon”, “Ti gjen”, “Ti kuron”. Shkollën e parukerisë do ta nisim në shtator, ndërkohë atë të make-up e kemi nisur që tani.

Në fund marrin një certifikatë të certifikuar nga Ministria e Mirëqenies dhe Punës, e cila njihet.

Çdokush të marrë atë që meriton, ne do t’i ndihmojmë ta formojnë dhe tregojnë talentin që kanë.

Shqiptarët e duan të bukurën, janë shumë kuriozë, nuk ka racë që e do të bukurën më shumë se shqiptarët. Por kjo nuk mjafton. Ka ardhur koha që të zbulosh një TI dhe jo të ndjekësh steriotipet që vijnë nga shtetet e zhvilluara.”

Klodi ka një mesazh për TY                                    

TI Institut është akademia e parë në vend, ku çdokush mund të mësojë për të bukurën, pasi është më shumë se një shkollë, është një kompleksitet dimensionesh të mësuar edhe nga profesionistë nga vendet e modës.

Në fund të tregimit të saj, Klodi tregon se tashmë e ka gjetur vetveten. E kërkoi në të gjitha rrugët drejt suksesit, shkolla, institutet, gjuhët që mësoi, e kërkoi në çdo rrugë dhe eksperiencë që pati. Dhe e gjeti. Të gjesh veten, do të thotë ta pranosh atë. Të pranosh atë që Klodi di tashmë për veten.  Ajo nuk është një qytetare e një shteti, është e botës, ndryshe në shije, stil, por edhe ëndrra. Me origjinalitetin që e karakterizon, 46-vjeçarja jep një këshillë për të gjithë lexuesit e dritare.net:

“Duhet të jesh një TI, të zbulosh atë që ke brenda. Duhet të nisësh e të njohësh veten, kjo është shumë e rëndësishme e këtë e transmeton në pamjen e jashtme. Vetë kjo shkollë është një këshillë, bëhu një TI./ dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*