Kur gratë e Agollit, Pashkos, Godos dhe Kalakullës tregonin sekretet e burrave të tyre

Në 6 gusht 1995, katër gra politikanësh, gruaja e Gramoz Pashkos, Petrit Kalakullës, Sabri Godos dhe Dritëro Agollit, dhanë katër intervista për gazetaren Rudina Xhunga.

22 vjet më pas, jo të gjithë njerëzit e përmendur janë gjallë, por këto intervista janë prapë të bukura.Dritare.net i sjell të plota dhe pa ndryshime.

POLITIKA E GRAVE DHE GRATË E POLITIKANËVE

A ka politikanë të mirëfilltë në Shqipëri? Për t’i shkuar përgjigjes afër është e vështirë. Ndaj, duke i anashkaluar pyetjes, po marrim për të mirëqenë gjithçka ekzistuese.

Veç, kësaj here, s’do të shkruajmë për politikanët, por për zonjat e tyre.

Si quhen, si vishen, bashkëshortët në sytë e tyre, ku jetojnë? A besojnë politikanët tek intuita e bashkëshorteve?

Është e vërtetë se politikanët, të cilët kanë në krah gra që dinë të shtyjnë, të ngacmojnë trurin e burrit, që dinë të vishen, të qeshin, të flasin, janë dhe politikanë të së ardhmes?

Ndoshta shumë shpjet një prej arsyeve të besimit tek një politikan, do të jetë pikërisht gruaja e tij. Burrat që zgjedhin gra të mençura, pak probabilitet ka të jenë të pamençur. Për këtë arsye e të tjera, atyre u jepet vota.

Janë katër intervista: me Mimoza Pashkon, Bardha Selenicën, Sadije Agollin dhe Nevin Godon, katër gra të pazakonta shqiptare…

PUTHJA NË AEROPORT  E MIMOZA PASHKOS

Rudina Xhunga: Thuhet se Moza Pashko është më politikane se i shoqi. E vërtetë?

Mimoza Pashko: Unë kurrë s’mund të jem më politikane se Gramozi. Jam pranë tij dhe krah tij. Kjo ndodh sepse jemi shokë, siç jemi bashkëshortë.

Rudina Xhunga: Është bukur?

Mimoza Pashko: Është shumë bukur. Shkalla më e lartë e një marrëdhënieje martesore arrihet kur dy bashkëshortë janë shokë. Unë nuk kam hequr dorë nga detyrimet familjare, gjë që s’më pengon të punoj.

Rudina Xhunga: Ç’kujtoni nga dhjetori?

Mimoza Pashko: Ato ditë dhjetori kanë qenë kaq të tejmbushura me ngjarje, kaq intensive dhe emocionuese, sa vështirë do t’i harroj ndonjëherë. Vetëm diçka s’arrij të kujtoj; kush gatuante dhe kush kujdesej për fëmijët e mi?!

Rudina Xhunga: Thonë se kuzhinën e Moza Pashkos e kanë provuar gjithë politikanët.

Mimoza Pashko: Kjo ndodhte atëherë, kur shtëpia jonë u kthye në zyrë. Këtu punohej, hahej, flihej, debatohej. Veç, ata që e pranonin me dëshirë ushqimin tim s’mund të përtypnin bashkë me të faktin që një grua mund të jetë po aq e aftë sa një burrë politikan. Ata nuk mund të besonin se një mendim i zgjuar mund të vijë dhe nga një grua.

Rudina Xhunga: Kë do dallonit për më patriarkalin?

Mimoza Pashko: Të gjithë njësoj.

Rudina Xhunga: Po Gramoz Pashko?

Mimoza Pashko: Ah jo, Gramozi është liberal.

Rudina Xhunga: Ku jeni njohur?

Mimoza Pashko: Ishim studentë, miq, 21 vjeçarë që komunikonim, besonim

Rudina Xhunga: Ç’kujtoni nga dasma?

Mimoza Pashko: 1 janar 1972. Dita e parë e vitit të ri. Unë me të bardha. Dasmë e thjeshtë dhe pak njerëz.

Rudina Xhunga: Ju ka falur shumë kënaqësi jeta në një shtëpi si kjo?

Mimoza Pashko: Kjo është ana e dukshme. Në të vërtetë unë dhe Gramozi pas martesës, u shkëputëm nga pjesa tjetër e familjes. Gjatë gjithë kohës, ne vetëm të dy, kemi përballuar vështirësitë, siç kemi shijuar komoditetet.

Rudina Xhunga: Kush kujdeset për ekonominë e shtëpisë?

Mimoza Pashko: Unë kujdesem për gjithë gjërat e vogla, që në fakt s’janë aq të vogla, me qëllim që ai të jetë krejt i lirë nga këto detyrime.

Rudina Xhunga: Po jashtë shtëpisë?

Mimoza Pashko: Tentoj të merrem me biznes, pavarësisht nga im shoq. Besoj se do ia dal mban. E rëndësishme është të punosh dhe kurrë të vegjetosh.

Rudina Xhunga: Është xheloz Gramoz Pashko?

Mimoza Pashko: Kurrë.

Rudina Xhunga: Po ju?

Mimoza Pashko: Gruaja bëhet xheloze, kur s’arrin t’i kapërcejë kufijtë e shtëpisë. Është amvisë e mirë, por vetëm kaq.

Rudina Xhunga: Ç’veti të kundërta të karakterit ju kanë lidhur?

Mimoza Pashko: Gramozi është ekspresiv. Unë më e ngurtë. Kështu plotësojmë njëri–tjetrin.

Rudina Xhunga: Jeni çift ëndërrimtar?

Mimoza Pashko: Ëndërrojmë gjithë s’mund e duam të realizojmë.

Rudina Xhunga: Sa ndikoni ju në politikën e Gramoz Pashkos?

Mimoza Pashko: Vendimet i marrim bashkë, pasi konsultohemi. Një politikan është një qenie njerëzore, që ka nevojë të dëgjojë, të këshillohet. Po s’e bëri këtë së pari me gruan e vet, me kë tjetër do ta bëjë?

Rudina Xhunga: Po të mos vetësakrifikoheshit, ju do të ishit tashmë një personazh publik si Gramoz Pashko?

Mimoza Pashko: Unë nuk jam vetësakrifikuar. Ka pasur një tërheqje të kushtëzuar. Person publik nuk jam, por kam një emër. Më vjen keq kur më përmendin si motra e Genc Rulit, apo gruaja e Gramoz Pashkos, e vetëm kaq. Ata që vërtetë më njohin e dinë që unë jam Moza.

NË SHTËPINË E PETRIT KALAKULLËS VETËM KËNDOHET

Rudina Xhunga: Pasi u njohët me Petrit Kalakullën, ç’ndjesi ju shkaktonte mbiemri i tij, që s’ndërruat tuajin, por vazhdoni të quheni Bardha Selenica?

Bardha Selenica: Unë njihesha atëherë si gjyqtarja Selenica dhe veç kësaj kisha aq shumë respekt për tim atë sa këto u bënë dy arsye të forta, që s’më lejuan të ndërroj mbiemër.

Rudina Xhunga: Jeni martuar me dashuri?

Bardha Selenica: Jo.

Rudina Xhunga: Me llogari?

Bardha Selenica: Po të bëja llogari s’do e merrja.

Rudina Xhunga: Atëherë ç’ndodhi?

Bardha Selenica: Isha gjykatëse, ai shef sektori në një stacion hekurudhor. Na prezantuan dhe kuptova se kishte ato cilësi që unë kërkoja tek bashkëshorti. Edhe pse me diferencë të madhe moshe, u fejuam dhe u martuam pa e zgjatur.

Rudina Xhunga: Pastaj erdhi lumturia?

Bardha Selenica: Në fejesë po. Martesa ndryshon. Unë kuptova se herë- herë duhej të lëshoja pe për gjëra të vogla dhe të rrija urtë nëse ai ngrinte zërin. Kjo, për ekuilibër dhe për hir të bashkëjetesës.

Rudina Xhunga: Pra ti je aq ekuilibruese sa në shtëpinë tuaj s’ka asnjë herë zënka?

Bardha Selenica: Jo ç’ne, vetëm këndojmë (qesh). Zënka kemi sigurisht. Jo për gjithçka gjejmë gjuhën e përbashkët. Herë-herë acarohemi, pastaj e lëmë bisedën.

Rudina Xhunga: Keni fëmijë?

Bardha Selenica: Një djalë 11 vjeçar tepër të llastuar.

Rudina Xhunga: Ç’mendon djali për babin politikan?

Bardha Selenica: Ai s’kupton gjë, por di që babi ka gjithmonë të drejtë. Petritin e do shumë, pasi i duket më i ëmbël e më tolerant.

Rudina Xhunga: Kush kujdeset për ekonominë e shtëpisë?

Bardha Selenica: Unë kam pasur probleme shëndetësore, ndaj shumë herë rolin e amvisës e ka luajtur Petriti.

Rudina Xhunga: Ç’gjellë gatuan më mirë Petrit Kalakulla?

Bardha Selenica: Ka gatuar një herë fasule shumë të mira, sipas tij, që i hëngri të gjitha vetë.

Rudina Xhunga: Në shtëpinë tuaj flitet më shumë për problemet e gjykatës, apo për politikë?

Bardha Selenica: Sipas momentit. Edhe flasim, edhe debatojmë. Pastaj unë marr dosjet e punës dhe mbyllem në dhomë e punoj. Në dhomën tjetër punon Petriti.

Rudina Xhunga: A ndërhyn burri juaj kur duhet të gjykoni një kundërshtar politik të tij?

Bardha Selenica: Nuk ndërhyn sepse beson që politika bëhet me bindje dhe jo me pasione.

Rudina Xhunga: Po ju, ndërhyni në punën e tij?

Bardha Selenica: Patjetër. Më shumë të më kishte dëgjuar, do evitonte mjaft probleme. Kjo s’do të thotë që s’më dëgjon fare.

(Petrit Kalakulla futet në bisedë: “Gruan e kam oponente, por konstruktive, jo destruktive”)

Rudina Xhunga: Miqësitë tuaja janë në varësi të politikës?

Bardha Selenica: Kam miq nga PS-ja, PD-ja dhe pa parti. Unë me Petritin mblidhemi shpesh me miqtë në darka familjare dhe kalojmë në gojë tërë dynjanë (bëj shaka). Para disa ditësh ishim tek Limoz Dizdari. Ai luajti diçka të bukur dhe bashkë u kënaqëm shumë. Kur harron, kur ndjehesh mirë ke pak kohë dhe dëshirë të flasësh për politikë. Kemi nevojë të ndjehemi njerëz. Bota është aq e mbingarkuar me politikë sa po kalojmë në neveri.

Rudina Xhunga: I kushtoni rëndësi veshjes?

Bardha Selenica: Pak. Edhe më pak tualetit. Preferoj veshjen sportive. Urrej najlonin dhe bizhutë false.

Rudina Xhunga: Sipas jush si vishet gruaja e Abdi Baletës?

Bardha Selenica: Është pedagoge. Grua e thjeshtë, e urtë. Grua pa ekstravaganca, si unë.

Rudina Xhunga: Ju vjen keq që po ju intervistoj si grua politikani dhe jo si gjykatëse?

Bardha Selenica: Si gjykatëse s’do jepja intervistë.

NEVIN GODO, TRASHËGIMTARJA E VRIONASVE, HUMBËSJA E MADHE E PROGRAMIT TË PR

Rudina Xhunga: Prej sa vjetësh jetoni me Sabri Godon?

Nevin Godo: Jemi martuar kur unë isha 18, ai 20 vjeç. Gati 50 vjet bashkë aq sa më duket se kemi lindur binjakë.

Rudina Xhunga: Si ndodhi që u dashuruat pikërisht me të?

Nevin Godo: Ishim komshinj. Ramë në dashuri dhe shumë shpejt u martuam. Në atë kohë Sabriut i thanë: “Lër gruan ose partinë”. Ai la partinë.

Rudina Xhunga: Edhe pse burri la për ju partinë, kujtimet tuaja të bukura mbarojnë në moshën 18 vjeçare.

Nevin Godo: Në fakt mbarojnë në moshën 13 vjeçare. Deri atëherë isha e lumtur. Isha trashëgimtarja e vetme e një familjeje Vrionase. Do të studioja jashtë. Pasi mbaroi lufta më pushkatuan babanë. Filluan internimet, burgimet. Kujtoj se nëna ime jetonte në një kasolle të Myzeqesë dhe jetonte me paratë që fitonte duke qepur. Sabriu e mori në shtëpi, por çdo mesnatë trokiste Fronti, për ta shpërngulur.

Rudina Xhunga: Ku punonte ndërkohë trashëgimtarja e Vrionasve?

Nevin Godo: Pa punë. Kur nxorën nga puna dhe Sabriun, ngelëm keq. Mandej unë nisa të punoj në Grumbullim. Kam bërë punë nga më të rëndomtat, por për fat edukata e familjes sime ishte të respektoja çdo lloj pune. Unë kam punuar bashkë me kaq njerëz të thjeshtë që i kujtoj me simpati, pse më kanë rrethuar me dashuri.

Rudina Xhunga: Tani vuajtjet janë harruar?

Nevin Godo: Kanë kaluar. Veç fyerjet s’kam mundur t’i harroj. Fyerjet të rëndojnë kur nuk i meriton. Sidoqoftë jam e lumtur sepse kam dy vajza që më kanë falur lumturi dhe katër nipër të mrekullueshëm.

Rudina Xhunga: Dikur, diku, është folur për një bibliotekë madhështore, që burri juaj e ka trashëguar nga familja Vrionase.

Nevin Godo: Familjes sime i kanë konfiskuar gjithçka. Ajo çka unë dhe im shoq kemi trashëguar janë këto dy tavlla cigaresh.

Rudina Xhunga: Ç’tipare, ç’cilësi Sabri Godo ka marrë prej jush?

Nevin Godo: Kemi marrë reciprokisht. Ai është i qetë. Flet pak, gjë që mua më bezdis. Punon shumë. Gjithmonë e nis diçka për pak kohë dhe pastaj s’e lë dot. Lexon po shumë. E megjithatë është i dhembshur e familjar.

Rudina Xhunga: Cilat janë raportet e tij me vajzat?

Nevin Godo: Ato e adhurojnë babanë e tyre.

Rudina Xhunga: Po ju?

Nevin Godo: Adhurimin tim për tim shoq ua kam mëkuar vajzave.

Rudina Xhunga: Për gati 45 vjet, shumicën e problemeve e ka pasur prej jush. A ua ka përmendur shpesh?

Nevin Godo: Asnjëherë aluzionin më të vogël. Sidomos për këtë unë e çmoj.

Rudina Xhunga: Ç’ju ka lidhur aq pazgjidhshmërisht, edhe pse partia s’e kishte bekuar lidhjen tuaj?

Nevin Godo: Lidhjen tonë e ka bekuar dashuria. Mirëkuptimi, qetësia na ka shoqëruar gjithë jetën.

Rudina Xhunga: Ju ka ndodhur shpesh të lexoni librat e tij në dorëshkrim?

Nevin Godo: Sabriu ka shkrim të keq dhe unë s’e deshifroj dot.

Rudina Xhunga: Si është, sipas jush, politikani Sabri Godo?

Nevin Godo: Politikan i matur, i ekuilibruar, që di të argumentojë dhe sillet me arsye.

Rudina Xhunga: Ç’i thatë ditën që ju tregoi se do merrej me politikë?

Nevin Godo: Gati u zumë, sepse më dukej e kotë, t’i kushtohej politikës, kur ajo për 45 vjet na kishte sjellë vetëm të këqija. Më tha se po hynte për pak kohë, por ende s’po shkëputet.

Rudina Xhunga: Sa përkon programi i Partisë Republikane, me dëshirën tuaj për të ripasur pronat?

Nevin Godo: Unë jam më e humbura nga programi i Partisë Republikane, i cili parashikon që çdo trashëgimtari t’i takojë 60 ha tokë. Jam trashëgimtarja e vetme e pronave të tim eti dhe sime mëje e nuk duhet të marr gjithë ç’më takon, por 60 ha sipas programit.

Rudina Xhunga: Në të vërtetë ju jeni duke i marrë pronat që ju takojnë?

Nevin Godo: Me zvarritje, por po i marr. Kjo ka sjellë ndryshime në gjendjen financiare dhe mua më duket shumë larg koha kur kërkoja një 500 lekësh. I falem çdo ditë babait tim, që unë po përfitoj në këtë moshë nga pasuria e tij. I falem atij njeriu që e doja dhe e adhuroja e tani s’di ku i ka kockat. Babanë tim e vranë, pse duhej vrarë i pari i Beratit.

Rudina Xhunga: Provoni shumë hakmarrje, shoqëruar nga lakmia për të pasur gjithçka të humbur?

Nevin Godo: Jo. Kërkoj vetëm shëndet për njerëzit që dua.

SADIJE AGOLLI E MAJTE DERI NË…

Rudina Xhunga: Ju jeni grua shkrimtari, apo politikani?

Sadije Agolli: Dritëroi është sidomos shkrimtar. Politikën e sheh në shërbim të krijimtarisë. Janë të dyja profesione të vështira, por kur je i bindur në idealet e tua, kalohen lehtë. Siç thotë në një poezi Dritëroi:

“Kur zgjohem nga gjumi, s’nxitohem

vë këmbën në truall, i humbur, i vrarë

Ndez një cigare dhe rri e mendohem

se ç’ëndërr kam parë

këtu ndryshoj unë nga ti, o i marrë”

Rudina Xhunga: Ku ndryshoni ju nga Dritëro Agolli?

Sadije Agolli: Dritëroi është devolli. Ndoshta hapësira e fushave ka ndikuar që të jetë më shumë tolerant në gjykimin e problemeve. Unë rrjedh nga shqiptarët e Malit të Zi. Jam më e prerë, më e egër. Ndërsa tek Dritëroi kam vënë re elasticitet në gjykimin e problemeve që në kohën e totalitarizmit, kur të merreshe me politikë ishte shumë më e vështirë se sot. Ai i jep të drejtë dhe kundërshtarit, kur sheh se gjen një ide të mirë. Edhe kur vë re, se shokët e idealit nuk kanë të drejtë, i kundërshton publikisht në parlament, në shtyp dhe mbledhjet e tyre. Ai kërkon kulturë në politikë.

Rudina Xhunga: Dritëroi është i majtë, ndërsa rrjedh nga pronarë tokash të Menkulasit.

Sadije Agolli: Dritëroi është idealist. Në kohët e para të martesës më dukej revizionist dhe agjent i rusëve, siç u akuzuan disa shokë të tij që kishin studiuar në Rusi, apo ishin martuar me gra ruse. Dritëroi i kishte mbledhur gjithë fotografitë e Rusisë me shokë, shoqe, disa prej tyre të dënuar nga regjimi, me gruan, djalin, disa libra të ndaluar dhe i kishte futur në një valixhe dërrase, me të cilën kishte studiuar në Rusi. Kjo valixhe më fuste frikën dhe vitet e para jetoja me ankthin se mos dhe atë e fusnin në burg.

Rudina Xhunga: Ku ndodhet tanimë kjo valixhe?

Sadije Agolli: Valixhja është përsëri në shtëpi. S’është më e frikshme. Aty janë bashkuar tabutë e hershme me kujtimet, fotografitë tona.

Rudina Xhunga: Në martesën tuaj, gruaja e parë e tij dhe djali ekzistonin si hije?

Sadije Agolli: Foton e djalit ne e mbanim në mur. Dhe fotografitë e tij të martesës i kishim. Dritëroi nuk u nda se s’shkonte mirë me të. Ata i ndau politika. Në atë kohë ai nisi të pinte shumë. Kështu që unë se ngacmoja me xhelozira, apo inate.

Rudina Xhunga: Herë pas here është folur për të pirën e Dritëroit. Ju e toleroni?

Sadije Agolli: Dritëroi nuk është pijanec, është pijetar. Ai mund të pijë me këdo, të dehet, por nuk ndodh të mos kthehet me diçka të shënuar, qoftë dhe në një kuti shkrepseje. Dritëroi është njeri i gëzuar. I pëlqen të pijë dhe të këndojë.

Rudina Xhunga: A e ndiqni pas Dritëroin në politikë?

Sadije Agolli: Unë nuk bëj pjesë në asnjë parti politike. Por jam e majtë si Dritëroi dhe do jem derisa në Shqipëri shumicën e popullsisë do ta përbëjnë të varfrit, derisa të jemi të rrethuar në çdo hap nga lypsarët, derisa të ngrihemi si lugetër netëve për të mbushur ujë, derisa pronarët që kanë marrë dyqanet të gërmojnë në themelet e pallateve tona, e askush të mos i ndalojë, derisa të vihet dorë mbi kioskëzimin e Shqipërisë, derisa…/dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*