E Premtja e Shenjtë e Pashkëve, ja çfarë nuk duhet të bëni sot!

Festa më e rëndësishme për besimtarët e krishterë është shumë afër dhe çdo familje është duke bërë përgatitjet për të Dielën e Pashkëve. Dita ku festohet rilindja e Jezusit nga vdekja, tre ditë pas kryqëzimit të tij.

Dom Matteo Di Fiore, drejtor i Qendrës Sociale Don Bosko, thotë për dritare.net, se gjatë ditës së sotme, të gjithë besimtarët duhet të sakrifikojnë më tepër dhe të evitojnë mishin, deri ditën e dielë.

“Jezusi është i biri i Zotit dhe ka sakrifikuar jetën e vetë për të shpëtuar nga mëkatet e skllavëria që kemi në këtë Tokë. Sot është e Premtja e Madhe dhe është dita më e rëndësishme e sakrificës. Nuk duhet të hamë mish dhe vaktet duhet të jenë të pakta, pra të hamë pak bukë. Kjo për të kuptuar vuajtjen dhe sakrificën.

Në mesnatë, duke afruar e diela, njerëzit mblidhen në Kishë për të pritur ringjallja e Jezusit. E diela vazhdon me meshën e mëngjesit, më pas me një drekë të bollshme, ku tradicional është mishi i qengjit, gjithë familja qëndron së bashku. Ata që nuk kanë shkuar në meshën e mëngjesit, mund të shkojnë në meshën e pasdites.”

Dom Matteo Di Fiore

Dom Matteo na tregon se simboli i Pashkëve nuk janë vetëm vezët e kuqe, por më tepër është vera e buka, drita dhe uji, si simbolika shpirtërore.

“Veza simbolizon lindjen edhe rilindjen, por shenja më e vërtetë për këtë festë janë buka, vera, drita dhe uji. Buka dhe vera simbolizojnë trupin e gjakun e Jezu Krishtit, drita e Krishtit që ndriçon botën e zemrat e njerëzve; kurse uji është simboli i pagëzimit. Festa e Pashkës është festë shpirtërore, është pushim për të festuar misterin e besimtarëve.”

Data e festës së Pashkëve ndryshon në varësi të kalendarit dhe këtë vit edhe besimtarët Katolikë e ata Orthodhoks e festojnë në të njëjtën ditë. Për Dom Matteon, kjo është një shenjë e bashkimit, një bashkim që përfshin të gjithë besimtarët e cilësdo feje që janë.

“Në Shqipëri festat janë më të bashkuara, gjithashtu edhe njerëzit. Shumë të krishterë që janë miq me mysliman, i kanë sjellë këta të fundit edhe në mesha. Ka familje myslimane që vizitojnë miqtë e tyre gjatë festave të besimit të krishterë, dhe e anasjelltë.

Feja është mirë nëse bëjmë mirë për të gjithë pa diferenca, të ketë drejtësi, paqe, dashuri. Nëse nuk zhvillohen këto aspekte, atëherë nuk je duke besuar në fe. Pasi nuk është fe e vërtetë ajo që provokon luftë, padrejtësi, korrupsion, apo të kenë armë në dorë.

Unë dua të përfitoj nga rasti t’i uroj të gjithë besimtarëve dhe jo vetëm gëzuar Ditën e Pashkëve, të falënderoni për jetën e re të dhënë nga ringjallja e Krishtit, të bëni sa më mirë e do t’iu largohet e keqja.”/ dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*