Timo Flloko që nuk keni njohur

Kjo intervistë është realizuar duke ecur me Timo Fllokon, në një xhiro të gjatë Bulevardit, nga Akademia e Arteve, ku ai jepte mësim, deri te shtëpia e tij, dikur te Stacioni i Trenit.

Dhe është botuar në gazetën Aleanca më 4 qershor 1995.

Timo Flloko është gjithaq interesant, imponues, i mrekullueshëm si në këtë intervistë. Është i pamoshë, është artisti i dashur i shqiptarëve. Dritare.net po ndan me ju këtë rrëfim të 22 viteve më parë, që do t’ju shijojë si rrallë herë.

Nga Rudina Xhunga

Gjatë një ore mësimi njeh një Timo Flloko imponues dhe pasionant. Nuk është pak e çuditshme?

Në shkollë, gjithsesi, duhet harxhuar energji. Nuk ka rregulla didaktike për të shpjeguar pasionin dhe imponimin, por ndjej se studenti ka nevojë për shembull.

Ndërkaq ju nuk jepnit shembull. Përsërisnit: “Mos më imitoni, mjafton të më kuptoni”.

Po. Sepse dua të ruaj lirinë e tyre. Tek e fundit është provuar se arti nuk është imitim, edhe pse Aristoteli pohon të kundërtën.

Ngulmoni që studentët të jenë të vërtetë, duke ju argumentuar se teatri është një gënjeshtër.

Dua që studentët e mi, kur të luajnë, të jenë të thjeshtë, të jenë ata. Pa qenë të vërtetë, nuk mund të jenë asgjë.

Megjithatë tek filmi “Përdhunuesit” nuk ishit i vërtetë.

Është krijuar një opinion që ky rol imi është i dështuar. Për mua ai është rol me një zbritje të butë. Spektatori, rrethi artistik, i cili herë pas here është pretencioz dhe dyshues, priste prej meje një mrekulli, (jo për t’u mburrur kjo, por për faktin se prej vitit ’80 e këtej vendosa të mos bëja eksperimente e të merrja role që rrezikonin dështimin). Roli tek “Përdhunuesit” nuk është rol i bumit. Ai ka në thelb impotencën intelektuale, frikën, ndrojtjen, pafuqinë për të ndërmarrë veprime. Unë i qëndrova besnik përfytyrimit tim për këtë njeri. Dhe personazhi që krijova, kaq impotent, kaq i stolisur e i paburrë, arrin të krijojë efektin e njeriut të futur në kostum, njeriut  ndjesingrirë. Pra nëse roli nuk është pëlqyer, sepse është dukur tepër i hekurosur, atëherë nuk ka si të kem dështuar, pasi këtë kam dashur të nxjerr në pah.

 

Duhet të jeni shenja e luanit?

Jo, demi.

Vera Grabocka, dashi. Shenjat tuaja sikur nuk shkojnë.

Demi me dashin ose shkojnë, ose nuk shkojnë fare. Në rastin tonë dy shenjat kanë gjetur një përputhje perfekte.

Sot pas mësimit ishit në prova pranë Verës. Ndodh shpesh kjo?

Unë shpesh jam pranë Verës. Më zbavit të qëndruarit në grupet që krijon ajo, spektaklet që realizon ajo, të cilat sjellin gjithherë diçka të re, diçka të freskët. Por dhe e kritikoj e i bëj vërejtje duke qenë në njëfarë mënyre matës i punës së saj.

Po ajo në punën tuaj a është matëse?

Vera është e zonja në llojin e profesionit të vet. Aty ku ve dorë ajo është një gjeneral që di ta drejtojë mirë ushtrinë. Asaj s’i ka munguar kurrë intuita, por në rastin tim dhe ka gabuar duke miratuar role që nuk kanë lënë gjurmë, e kundërshtuar të tjera që më kanë dhënë sukses.

Sa orë rrini para pasqyrës?

Sa të kreh flokët, për të cilat më duhet të kujdesem.

Kush ua thotë më shpesh se jeni burrë i bukur?

Ato që guxojnë më shumë. Megjithatë për mua një burrë i bukur nuk është i mençur.

Ju nuk jeni i mençur?

Nuk mendoj se jam i bukur.

Shikoheni gati përherë me veshje të të njëjtës ngjyrë, në të njëjtën kafe. Pse kaq ritual?

Më tërheq zakoni. Kjo është karakteristikë e shenjës sime. Unë jam besnik dhe kur mësohem me një gjë, përpiqem të jem i motivuar aty ku jam. Ndryshimi më tërheq, por nuk e pranoj lehtë.

Mos është shenjë e moshës?

Jo, veti e natyrës sime.

Ndjeheni i pamoshë?

Po. Kjo rrjedh nga një sugjestion profesional. Unë them se kështu ndodh me gjithë artistët. Bëj kujdes profesionalisht për vete dhe mundohem të ruaj atë mizurë e ato veçori të cilat më ndihmojnë të ndihem gjithmonë Timo Flloko.

Ndërkohë ju ndiheni dhe i vetëkënaqur.

Jam gjithmonë mes dy gjendjeve. Kurrë i kënaqur plotësisht. Jam i kënaqur sa i pakënaqur. Ndjej dhe madhështinë, apo marrëzinë dhe ndrojtjen, tërheqjen. Një moment emocional, një gëzim i madh gjithmonë më çon në një dëshpërim po kaq të madh.

Jeni depresiv?

Nuk mund të them se jam depresiv, por duket sikur herë-herë jam apatik. Se nuk arrij të komunikoj me njerëzit, por në thelb jam i ndrojtur.

Jeni një njeri i zakonshëm dhe aktor i madh, apo e anasjella?

Kam përshtypjen se të dyja duhen zbritur në qendrën e vet. Mendoj se jam njeri dhe aktor i mirë.

Nuk ju tërheq e madhja?

Madhështinë s’e përcaktojmë ne, por vepra që bëjmë dhe sidomos koha. Ajo çka vlen është të dish të jesh i thjeshtë. Mburremi shumë sikur ç’kemi bërë. Po ç’kemi bërë në të vërtetë?

Ëndrra juaj është të luani një rol në Hollivud?

Ëndrra e parealizuar, kam thënë në një gazetë. Tani më duket naive të ëndërroj për të interpretuar një rol në Hollivud. Kur xhiroja në Francë e kam ndier veten si refugjat, jo pse ndihesha inferior, por shikoja sa të pamundur e kishin ata vetë të çanin. Artistët shqiptarë janë vlerësuar jashtë, gjithmonë në kuadrin e të veçantës, origjinales. Portreti i aktorit shqiptar për regjisorët e huaj ka diçka, për të mos thënë të jashtëzakonshme, po themi të pazakontë. Por fati ngelet kryesori për të mundësuar angazhimin me sukses jashtë.

Aktori krahasuar me artistët e tjerë mos ndihet më i lënduar nga kritika?

Po, sepse aktori është lënda e parë e artit të vet. Nëse i thua nuk e ke realizuar mirë rolin, fyhet drejtpërdrejtë aktori, jo pianoja, apo violina, as furça dhe peneli.

Ju morët Çmimin e Madh për “Vdekja e Kalit”. Ndërsa opinionet për filmin kanë qenë të ndryshme. Çdo të thoshit për Saimir Kumbaron?

Në regjinë e Saimir Kumbaros ka realizëm të ndjeshëm. Unë mora dhe i dhashë atij. Me të jam komod sepse pëlqej konceptimin e tij për rolin e aktorit. Filmi është montimi i një materiali. Me filmat e Saimir Kumbaros unë kam marrë dy kupa. Përderisa ai më krijon mua mundësinë që në logjikën e një montazhi kontinual, të jem i motivuar, atëherë s’ka si të mos jetë regjisor i mirë.

Ju reaguat thatë, atë natë dorëzimi kupash. Si ndiheshit?

Fajtor. S’di pse. Ndoshta u fol shumë që ky festival nuk bën, që filmi për të cilin mora çmimin kishte të meta. Ju këndua mesha kinemasë shqiptare. Për rolin tek “Vdekja e Kalit” unë investova shpirtërisht dhe profesionalisht, por në një atmosferë zhvlerësuese gati dhe çmimi im m’u duk i zhvlerësuar.

Ç’bëtë atë ditë pas çmimit?

Të nesërmen ndërrova veshjen. Ndoshta është kompleks, por nuk duroja të shihesha në rrugë me veshjen e natës kur mora kupën. Ato 2-3 ditë kam toleruar me pijen. Piva që të mos isha i kthjellët, për të shmangur keqkuptimet, apo për të qenë jashtë interesit.

Çfarë latë pa thënë atë natë?

Ndoshta do doja atë moment t’i bëja homazh pedagogëve të mi, Spahivogli dhe Luarasi. Por mbi të gjitha asaj që më edukoi ndjenjën estetike ndaj së bukurës, pedagoges sime Drita Agolli.

Largohemi nga profesioni. Dini dhe doni të gatuani?

Aktorit duhet t’i punojnë duart. Me qejf unë gatuaj peshkun. Pa ndonjë formulë, a ndonjë rregull, por rituali i gatimit të tij më pëlqen.

Ju ndodh shpesh të hekurosni këmishën tuaj?

E kam bërë. Tani këtë kënaqësi ma fal vajza ndonjëherë.

Kur keni lexuar për herë të fundit një poezi? 

Mbrëmë. Po e kujtoj:

“Të prita gjatë

Sa të takon ty

Një jetë, dy

dhe në vdekje mundet

Më tej s’di”

Pastaj çfarë ëndrre patë?

Unë besoj tek e kundërta e ëndrrave. Mbrëmë pashë sikur po përqafohesha me disa njerëz, me të cilët çuditërisht nuk u grinda sot.

Kur e keni sjellë në kujtesë për herë të fundit, dashurinë tuaj të parë?

Më duket e paqenë.

Ju i kushtoni pak rëndësi kujtimeve dhe shumë planeve për të ardhmen?

Kujtimet tek unë shuhen. Jo pse trishtohem prej tyre, jo për shijen që lenë, jo ngaqë shkaktojnë vuajtje, por unë dashuroj të tashmen.

Veç dukeni ëndërrimtar.

Dhe i tillë jam.

Ç’hobi keni?

Të luaj poker. Ndonjëherë shkruaj poezi.

Shkruani poezi për pabesinë?

Ekzistenca, vdekja dhe tejjetesa janë temat kryesore të përfytyrimit tim poetik. Pabesia më trishton, por më tepër më trishton mungesa e civilitetit për të thënë të vërtetën. Kjo e ndërvarur nga futja në lakun e interesave të përditshme. Veç të gjitha keqkuptimet vijnë nga fshehja e së vërtetës.

Kur tradhtohet sipas jush?

Kur njeriu nuk çmon atë që ka. Pastaj vjen ndarja. Por ndodh që ndarja ridimensionon përmasat. Ndarja, largësia, e çon në përmasën e vet gjithçka. Dashuritë e vogla i bën edhe më të vogla. Dashuritë e vërteta i zmadhon. Atëherë njeriu kupton vlerën e vërtetë të asaj që ka pranë, ndjen sa dhe pse do.

Cila është gjëja më e mirë që keni bërë në jetë?

Nuk e di, ndoshta duhet të mendohem.

Për çfarë ankoheni se ju ka munguar?

Le t’i harrojmë ankesat./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*