A vuan nga autizmi Ministri i Jashtëm Gjerman?

Nga Dritan Hila

Vizita e fundit e Ministrit të Jashtëm dhe zëvndësit të kancelares së RFGJ Merkel, shkaktoi një pështjellim në politikën shqiptare. Zoti Gabriel ishte i qartë si kristali kur deklaroi rreshtimin e tij në krahun e qeverisë dhe rrëzimin e gjithë problematikës që ka ngritur opozita shqiptare. Për të shmangur spërdredhjen e fjalëve që bëjnë aktorët shqiptarë ai u mundua të ishte më shqeto se çdo shqiptar.
Një fuqi e madhe si Gjermania të cilës i ka rënë barra e udhëheqjes së Evropës, nuk ka shumë kohë të merret me një shtet si Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë se gjykimi i saj është i pagabueshëm. Në gjuhën e diplomacisë quhet “Sindroma e autizmit të superfuqisë”. Ka të bëjmë me një gabim në gjykim të një zinxhiri diplomatësh që fillon nga baza dhe mbaron në drejtorinë politike në Berlin, ku shumë pak prej tyre njohin zakonet e vendit dhe gjendjen reale në terren, ndërsa analizat bëhen nga shabllone të cilat pak janë të përshtatshëm me diversitetin që ekziston në mikroklima të ndryshme të botës.
Nuk janë të pakta rastet që dëshmojnë prezencën e kësaj sindrome në gjykimin e situatave. E fundit është fqinja jonë, Greqia, e cila u fut në një këmishë force nën presionin e Berlinit, dhe pas tre vjetësh Lagard, shefja e FMN, tha se “u gabuam me skemat që përdorëm me Greqinë”. Akoma më dramatike janë ato që kanë të bëjnë me pushtime. Ka qenë rishtaz një sindromë autike e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, që për të sheshuar gërnjat e shteteve ballkanike që në realitet ishin të gjithë progjermanë, pushtoi Ballkanin çka bëri të vononte me një muaj sulmin ndaj Rusisë, duke mbëritur në dyert e Moskës jo në vjeshtë por në mes të dimrit rus, që e ngriu dhe e bëri të humbiste luftën.
Një rast i ngjashëm mund të jetë edhe ky yni. Gjermania e cila është e mbytur nga një lumë problemesh që fillon nga Brexit, fenomeni Le Pen, kriza ekonomike, për ti vënë kapak problemit shqiptar mund ta detyrojë opozitën të futet në zgjedhje, por kjo nuk do të zgjidhte problemin e hashashizimit të vendit; mund t’i miratojë zgjedhjet pa opozitën; mund ta shmangë nga takimet PD-në, LSI-në,PDIU-në, megjithëse këto në fund të llogarive përbëjnë 60% të elektoratit shqiptar. Por kjo është farë e krizave të reja.
Është naive të thuhet se diplomatët gjermanë janë të blerë nga qeveria. Por është shumë e mundshme një gabim në gjykim dhe vlerësim i tyre, të cilat i janë transmetuar Berlinit, i cili nuk ka shumë kohë të harxhojë me një vend i cili mbetet gjithmonë problematik. Por tashmë rasti shqiptar nuk është një problem teknik për të cilin ministri Gabriel mund ti drejtohet vetëm qeverisë, por një problem politik i cili është e mira të kurohet. Në rast rëndimi pasojat do të jenë të mëdha për vendin dhe do të jetë po Gjermania që do paguajë kosto për stabilizimin./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*