A po e ndjell 7 maji, 2 prillin e vitit 1991?

Nga Bedri Islami

Në 2 prill të këtij viti isha përsëri në qytetin e Shkodrës. Në të njëjtin vend si asaj dite të vitit 1991. Koha që ka shkuar ka zbehur shumë gjëra, por atë ditë e ofron gjithnjë e më shumë. E cilësuar si një shenjë thellësisht politike ajo është përdorur për të akuzuar njëra palë tjetrën dhe, megjithëse tashmë e vërteta nuk është një e fshehtë, ajo rishtas është si një ditë ndarëse, pas së cilës shumë gjëra nuk janë si më parë. Shumë gjëra i janë rikthyer qytetit: rrëmuja, qetësia, herë pas here humori, dëshpërimi dhe ecja e ngutshme, por vetëm të vrarët nuk mund t’i kthehen asaj. Ata, si zakonisht, po përdoren, por nuk mund të rivijnë.

Këtij 2 prilli ishte e diel dhe rruga drejt sheshit ishte e dielltë. 26 vite më parë kisha qëlluar në këtë buzë parku, sëbashku me Shaqir Vukën, kisha parë turmën që po vinte drejt sheshit, disa gjimnazistë e shumë të tjerë askush nuk e dinte se çfarë ishin dhe kisha njohur për herë të parë një figurë që më pas do të bëhej i njohur për sinqeritetin e tij: Dedë Kasnecin.

Shaqiri, si dukej, e njihte që më parë, sepse bisedonin qetësisht. Deda, duke treguar godinën e asaj kohe të Komitetit të Partisë së Punës, tha se asaj dite do e djegin atë. Ose do e djegim, shtoi, ose do të më varrosni.

E pyeta përse duhej djegur dhe ai më tha se atje ishte vatra e dreqit. Nuk folëm më tej. Ai u bashkua me njerëzit e tij, unë bëra më tej. Në mesin e turmës lëviznin emisarë të Partisë Demokratike, megjithëse tri figurat kryesore nuk dukeshin asgjëkund: Pjetër Arbnori, Ali Spahia dhe Xhemal Uruçi, aso kohe sekretar i PD-së.

Më rierdhën në mendje të gjitha këto menjëherë sapo mësova se 10 eksponentë të rëndësishëm të kësaj force politike do të jenë që tani në qytetin e fshatrat e Kavajës, që të mos ketë zgjedhje në 7 majin e këtij viti. Zgjedhje të drejtuesit bashkiak. Njëra nga gjërat më normale në botë, e cila, meqenëse bëhej në një bastion të dikurshëm të PD-së, mund të ishte shembulli se si mund të fitohen zgjedhjet dhe një precedent për të shkuar më tej.

E kam gjithnjë drojën kur emisarët e PD-së sulen nëpër qarqe për të zhbërë një palë zgjedhje. Në listën e atyre që po niseshin ndodhen emra që të rrënqethin për atë çka mund të bëjnë.

Në fakt, pas gjithë kësaj skeme laramane, të cilën e quajnë trokitje derë më derë, a ka ndonjë plan tjetër, më të dhunshëm, më përplasës dhe që mund të ngjajë me 2 prillin e vitit 1991.

Kavaja është një qytet i qetë, i cili, ende pa lindur PD-ja kishte dhënë shenjën se ishte kundër. Ishte një bastion pa u ngritur ende ajo që pritej, pararendëse e saj.

Nuk mund të rrinte gjithnjë bastion, edhe kur përbuzej, edhe kur lihej në harresë, edhe kur injorohej në vetminë e saj.

Qyteti që kishte deputet presidentin e vendit ndodhej në zgripin e mjerimit dhe po lihej ashtu shumë gjatë, jashtëzakonisht gjatë, pa bërë asgjë që mund të kishte një fillesë shprese.

Presidenti i vendit e mendoi gjatë Kavajë si një gështenjë në xhep dhe nuk e mendoi se, para se të pikojë në tokë, gështenja ka edhe gjembat e saj. Disa prej tyre i nxori në zgjedhjet e fundit, kur befasisht për ish-presidentin, ajo u kthye majtas. U kthye kur ish presidenti ishte kryeministër dhe kishte në duar një makineri të tërë force pas vetes.

Tani, pjesë të kësaj makinerie ai po i delegon drejt qytetit që e bëri haram emrin e tij.

Mund të jetë hakmarrje e vonët? Askush nuk e di.

Edhe në Shkodër, para se të ndodhte 2 prilli, u deleguan emisarë, njëri prej tyre ishte Azem Hajdari. Deri asaj kohe qyteti ishte i tronditur nga humbja e 31 marsit, por ishte i qetë. Emisarët ndezën shpirtrat, duke abuzuar me të drejtën e mikpritjes. I njëjti Azem që fliste nga ballkoni i selisë në mesin e qytetit, i njëjti u akuzua më pas nga vetë partia e tij se kishte bërë gjëmën e 2 prillit në Shkodër. Se ishte pikërisht ai që kishte dorë në vrasjet e asaj dite.

Por ai kishte qenë emisar. Si këto emisarët që po delegohen. Si Flamur Noka, ish-ministri i Brendshëm, shefi real i grupit “Çiftelia”, të cilët bënin aheng me vrasësit e mëvonshëm. Flamur Noka nuk është hiq më pak agresiv dhe kërkues i gjakut se sa ishte Azem Hajdari. Mund të jetë edhe më shumë se kaq, sepse po e ndjell me çdo kusht vitin 1997. Po e ndjell dhe po kërcënon përmes tij: do ju duket lule ai vit i prapshtë.

Me 7 maj opozita e çadrës dhe jashtë saj ka bërë thirrje që metingashët e saj të mblidhen në Kavajë dhe të bëjnë të pamundur zgjedhjet. Se si e kanë menduar, këtë e dinë të gjithë, edhe gratë e SHQUP-it politik. E thonë haptas, forcërisht, me bindjen se do ia arrijnë.

Emisarët e tashëm janë vetëm shtruesit e rrugës dhe alibia e asaj që mund të ndodhë nesër. Dhe nesër, pavarësisht se cila ditë është, është 7 maj. Opozita kërkon një provë force. E kërkon me emisarë, por edhe përdhunshëm.

7 maji ndjell atë kob që kishte 2 prilli.

Se kush ishte pas skenës me 2 prill, këtë e kanë pohuar disa herë në sherret e tyre.

Se kush mund të jetë pas 7 majit, kjo, po ashtu dihet.

Jo shumë kohë më parë kanë kërcënuar haptas se po i soset durimi.

Djalka, të jeni të bindur, nuk do të hedhë asnjë gur-por skifterët pranë tij mund të bëjnë shumë dëm.

Si edhe e kanë bërë./Dita

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*