Kuvendi-Prokurorisë: Hetoni Sali Berishën dhe djalin e tij

Kuvendi-Prokurorisë: Hetoni Sali Berishën dhe djalin e tij

Komisioni Hetimor për privatizimin e CEZ ka përgatitur një raport të cilin e ka dërguar në prokurori, me anë të së cilit kërkohet që ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha të hetohen për privatizimin abuziv të CEZ.

Sipas raportit, përgjegjës për privatizimin janë edhe Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë si dhe ish-kryeministri Berisha së bashku me djalin e tij janë të ngarkuar me përgjegjësi.

Konkluzionet e hetimit të privatizimit të ‘CEZ’ 

Provohet se një sërë ish zyrtarësh të lartë të shtetit gjatë viteve 2005-2013 që do përcaktohen më poshtë, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë:

-Nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa asete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj në favor të CEZ;

-Duke ndryshuar tregues specifikë në Deklaratat Rregullatore dhe duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe imponuar ERE në vendimmarrje të kundraligjshme;

-Duke kualifikuar dhe shpallur fitues ofertuesin CEZ, në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike, të cilat ishin shpallur me parë si kritere kualifikuese, e konkretisht në shkelje të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar;

-Duke negociuar me kompaninë CEZ për nivelin e borxhit të keq që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkurruese, të përcaktuara më parë;

-Duke negociuar për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike, i panegociueshëm;

-Duke pranuar gjatë negocimeve të kryera, të gjitha kërkesat e ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mosqenies së saj e gatshme për privatizim;

-Mosvazhdimin e procesit për rivlerësimin e çmimit të shitjes, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në nenin 3.3, të MSA datë 11.03.2009;

-Favorizimin e vazhdueshëm e të kundraligjshëm të CEZ ndodhur kjo para, gjatë dhe pas procesit të privatizimit të OSSH;

Sa më sipër dëshmojnë qartë për një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar, me parregullsi dhe shkelje të shumta, duke i sjellë atij përfitime të padrejta e të pa merituara si dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe publikut, për shumën 57,931,041,292 Lekë ose 414 milionë Euro.

Gjithashtu, Komisioni Hetimor ka konstatuar mosveprimet e strukturave përkatëse pas heqjes së licencave të CEZ e konkretisht:

-Mosveprim në drejtim të vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ sha;

-Mosveprimi për fillimin e procedurave të shpronësimit të aksioneve, kundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe për mbledhjen e dokumentacionit provues;

-Mosndërmarrja e veprimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar kundër shoqërisë CEZ sha për mospërmbushje të detyrimeve të saj, të përcaktuara në kuadrin rregullator specifik, dëmtuan rëndë pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.

-Mosveprimet e mësipërme kanë qenë të qëllimshme e me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, në kuadër të përfitimeve e privilegjeve të padrejta që i ishin lejuar shoqërisë CEZ sha që në momentin e shpalljes fitues për privatizimin e OSSH, dukë lënë pezull problemet, si dhe duke i lënë atij kohë dhe mundësi për të filluar procesin gjyqësor ndaj shtetit shqiptar e duke i krijuar hapësira e argumente për të fituar ai gjyqin.

-Këto vepra penale, për vetë natyrën e tyre komplekse, janë kryer nga ana objektive nëpërmjet veprimesh dhe mosveprimesh konkrete (të cilat u trajtuan më lart), që kanë sjellë dhe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pasojën kriminale të ardhur.

-Duke analizuar faktet e lartpërmendura, konstatohet se persona me autoritet shtetëror, pa asnjë tagër ligjor, kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me “mirëkuptim” të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE.

Për më tepër, mbi bazën e fakteve të mësipërme, konstatohet se këta persona, në tejkalim të plotë të kompetencave që u ngarkon ligji, kanë rënë dakord me CEZ në dëm të interesave të një kompanie tjetër publike, siç është KESH.

Gjithashtu, provohet se këta persona kanë vijuar me dhënien e miratimeve dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për një vendimmarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s si një institucion i pavarur, i ngarkuar me ligj, për miratimin e tarifave të energjisë elektrike.

Këto veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, të urdhëruara në mënyrë verbale dhe/ose duke shpërdoruar funksionin publik atë të eprorit, detyrimisht kërkojnë koordinimin dhe bashkëpunimin midis tyre dhe personave të tjerë përgjegjës, duke qenë në këtë mënyrë, para kritereve dhe rrethanave rënduese të kryerjes së veprave penale, të parashikuara nga neni 25 i K. Penal.

Përfundimisht, bazuar në dokumentacionin e administruar si provë dhe dëshmitë e dhëna nga ana e dëshmitarëve, Komisioni Hetimor konstaton se ndodhemi përpara fakteve dhe provave të pakundërshtueshme se personat e lartpërmendur, shpeshherë edhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelja e barazisë në tendera”, “Mashtrimit”, “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprave penale”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 143, 245/1, 248, 258 dhe 287 të Kodit Penal.

Për sa më sipër, bazuar në nenin 22, pika 2 dhe 3 të Ligjit Nr. 8891, datë 02.05.2002 ”Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë:

  1. Miratimin e Raportit Përfundimtar të paraqitur nga Komisioni Hetimor “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a” ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s.-së, si dhe evidentimi i efekteve negative financiare, të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.”
  2. Dërgimin e Raportit Përfundimtar të Prokurori i Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasve si më poshtë:
  3. Sali Ram Berisha, Ish-Kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për të dëshmuar”, vepra penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.
  4. Nue (Nuel) Nik Kalaj për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”, “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 287, 307 dhe 310 të Kodit Penal.
  5. Genc Ruli, Ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248 dhe 258 të Kodit Penal.
  6. Ridvan Bode, Ish-Ministër i Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
  7. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.
  8. Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248të Kodit Penal.
  9. Florion Mima, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  10. Enno Bozdo, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  11. Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  12. Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal;
  13. Bujar Nepravishta, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  14. Sokol Ramadani, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*