Ministrja e Financave nuk mund ta nisë aty ku e la i shoqi

Nga Dritan Hila

Bujar Vukaj është një emër anonim që nuk do t’i intreresonte askujt përveç administratorit të shkallës ku banon, ditën që mblidhen lekët e pastrueses. Ka qënë zyrtarisht për 8 vjet nëndrejtor i përgjithshëm, por realisht një biçim komisari politik i PD në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Nuk dihet sa e vërtetë është, por nuk kishte ditë që mos përmendëte lart e poshtë se ishte shok i ngushtë i Shkëlzen Berishës, dhe të bënte presione nga punonjësi i thjeshtë e deri tek drejtori, Përparim Dervishi, një zotni burrë i ardhur nga profesorati. Misioni i tij ishte të spastronte zyrat dhe ia doli. Përpara se të ikte në 2013-ën, nga 1.100 punonjës që gjeti, vetëm 90 ishin nga 2005-a. Bujari duhet të jetë kujdesur edhe për veten, derisa Drejtorinë e Doganave të Tiranës e hoqi nga zyrat tek rrethqarkullimi Shqiponja që e njohin të gjithë dhe ishte pronë e shtetit, duke e degdisur në Vorë në pronë të privatit me qera.
Por Bujari është edhe burri i Helgës e cila me qeverinë e re është Ministre e Financave, dhe këtu fillon problemi. Nuk ia vlen të thuash sesa tituj e grada mund të ketë vajza në fjalë, pasi të jesh në një post të tillë kërkon më shumë sesa grada dhe libra të lexuar. As që të priten çudira prej saj, pasi një përfaqësim qoftë edhe mediokër i saj, do bënte mjaft punë. Ajo që bën përshtypje është vizita e saj në Doganën e Durrësit ditën e dytë pas betimit.
Një ministër financash serioz duhet të ketë goxha punë për të bërë përpara se të dali shesheve doganore. Shteti shqiptar ka boll punë për të bërë, vrima për të mbyllur dhe llogari për të kullandrisur. Të paktën mund të shikojë të vendosë rregull në disbursimin e fondeve, të shikojë rregullsinë e bilanceve dhe prioritetet e emergjencës. Ka shumë punë një ministër financash përpara se të dalë tek sheshet e doganave dhe të kërcënojë doganierët për disiplinë në punë dhe mospërfshirje në fushatë.
Helga nuk duhet të marrë mend e Bujarit i cili ende kujton se doganierët duhet të paguajnë gjoba për fushatat e partive apo të jenë kamikaze nëpër komisione. Duhet ta dijë se metodat e taksimit klientelist të bizneseve , apo presionet nuk bëhen më tek trau i doganës dhe Helga nuk mund ta vazhdojë aty ku e la Bujari./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*