Ruleta ruse e Lulzim Bashës

Nga Dritan Hila

Orët e fundit kanë shkaktuar çoroditje në radhët e demokratëve. Njerëz të njohur për besnikëri ndaj ish-kryeministrit po braktisin listat. Dalja e Topallit dhe Imamit në konferencë për shtyp, ku kërkohet shkarkimi i Lulzim Bashës, tregon se gjërat janë serioze.
Ndërkohë Lulzim Basha ngjan se nuk është ushtari i bindur. Lista me vetëm 95 kandidatë ngre dyshimin se e ka plotësuar me mendjen e tij, pa u konsultuar me Berishën dhe me gjasa në nxitim e sipër. Përzënia e disa emrave të njohur ishte njëkohësisht sinjal se ai nuk donte t’i kishte më duart e lidhura nga persona të gardës së vjetër.
A do ia dalë Basha në këtë sipërmarrje? Kjo është e vështirë të thuhet, por megjithatë është edhe e vetmja rrugë që ai të mbijetojë.
Një Lulzim Bashë, i cili do të rilëshonte në fushë ekipin e vjetër, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një ripërsëritje e katër vjetëve që shkuan, me të njëjtat rezultate.
Si me Topallin, Boden, Bregun etj., në ekip, si pa ata, në këtë fazë që është PD do ta ketë të vështirë një rezultat që rrezikon PS. Por e sigurt është që me këta emra të vjetër në radhët e tij veç humbjes do të kishte të sigurt edhe talljen nga opinioni publik.
Sjellja e Bashës ka në vetvete qasje autokratike. Nuk është e re në skenën shqiptare dhe po ashtu në PD. Është sjellje që nuk jep garanci për një demokraci funksionale, pavarësisht betimit të Bashës në mitingun e Tiranës ku premtoi që është hera e fundit që bën listat. Por edhe nëse PD do të jetë më demokratike, kjo nuk ka vlerë po nuk u ndërrua sistemi. Aq më pak jep shpresa se rikuptimi i deputetëve që përzuri mund të modernizojë partinë. Në kushtet ku jemi, ose Basha luan sipas rregullave që imponon xhungla ose vdes. A ka shpresë për të ardhmen? Risia dhe ajo që të jep shpresë është fakti se në këtë kthesë të beftë të tij është përkrahur nga Eduard Selami, Vili Minarolli, apo të tjerë ish-themelues të PD si Xhemal Uruçi, të cilët deri dje kanë qenë kritikë të tij. Gjithsesi PD më keq nga sa është nuk do të jetë. Aq më pak kritikën kësaj liste mund t’ia bëjnë njerëz që e katandisën PD-në në hije.
Së fundmi, një shikim mbi listat ka nxitur polemika. Personalisht njoh vetëm dy prej tyre, Romeo Gurakuqin dhe Fitim Zekthin. Nuk jam dakord në asnjë pikë me ata dhe kemi koncepte të ndryshme mbi rregullimin e shoqërisë. Por nuk besoj se Romeo do t’i fuste plumbin ballit ndokujt, apo qiste për zhelesh ndokënd nga salla, ndërsa Fitimi nuk do kërcente mbi tanke.
Çdo listë deputetësh përfaqëson në vetvete nevojat e një partie për ide (intelektualët), për pará që të mbahet (biznesmenët) dhe për politikanë. Në këtë kuptim, lista e paraqitur nga Basha është një përpjekje për reformimin e PD-së dhe kthimin e saj në parti popullore. Ndoshta edhe në një ndërmarrje të tij personale. Këtë do ta shohim.
A do ia dalë? Nuk dihet. Por nëse kundërshtarët ia arrijnë që ta frenojnë ndryshimin e tij, e sigurt është që PD do të jetë një karikaturë. Dhe duke pasur parasysh që nuk është në ditët e veta më të mira, imagjinoni se çfarë shëmtie do të dalë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*