Ilir Meta është rishtas në syrin e ciklonit

Nga Dritan Hila

Fushata elektorale që filloi pas marrëveshjes së 17 majit, dukej se do të ishte e qetë dhe pa eksese. Ajo që pamë ditët e para ishin batutat thuajse miqësore mes Bashës dhe Ramës. Por gjithmonë duhet një armik. Dhe ai u gjet tek  Lëvizja Socialiste për Integrim.

Nëse nuk ka ecur punësimi atëherë faji është i LSI që i zë vendet e punës me militantët e saj.

Nëse nuk kanë ecur investimet, faji është i ministrave të LSI që sabotojnë.

Nëse ka korrupsion, është LSI që e bën; nëse ka kriminalitet është LSI që e mbron; nëse humbet zgjedhjet është faji i LSI.

Duket se po ripërsëritet viti 2008 ku dy partitë e mëdha bënë ndryshimet kushtetuese për asgjësimin e të tjerëve.

Ilir Meta e kuptoi shpejt se nëse vazhdohej me këtë presion, forca që ai kishte krijuar do të dilte shumë e dëmtuar nga fushata. Ky ishte shkaku që e shtyu të përvishte mëngët dhe futej me gjithë peshën e tij në fushëbeteje. Vetëm se në dallim nga kundërshtarët, artileria e tij nuk po përdor bomba tymuese,  por shrapnelë që kapin gjithë harkun e politikës.

Sulmi i tij i dy ditëve të fundit duket se i ka stepur pak ish aleatët e tij. Secili prej tyre e njeh forcën e mbijetesës së Ilir Metës dhe e dinë se me shumë gjasa pas 25 qershorit mund të kërkojnë votat e tij që të formojnë qeverinë. Lulzim Basha e di që nuk është më i zoti se Berisha që i shtriu dorën në 2009-ën ndërsa Rama kujton vitet e tmerrshme 2011-2013 ku mungesa e LSI e la të qeveriste vetëm oborrin e PS.

A kanë shanse dy dinozaurët e mëdhenj të shtypin LSI? Numrat thonë se është një sipërmarrje e lehtë. Socialistët dhe demokratët kanë rreth 2/3 e elektoratit.

Por në politikë numrat nuk janë si në matematikë.

Pavarësisht dukjes, PS dhe PD kanë problemet e tyre të brendshme.

Si Rama ashtu edhe Basha janë pas një spastrimi të madh që kanë bërë në partitë e tyre. Tek socialistët kjo u pasqyrua me shizmën e Blushit. Ndërkohë shumë figura historike të rozëve u nxorën në pension duke u ndarë përfundimisht nga partia që u krijua në 1991. Prurjet e reja të Ramës kanë handikapin e mungesës së lidhjeve në terren dhe të emrit publik.

Partia Demokratike vuan të njëjtat defekte të partisë së Ramës. Ajo sapo kaloi në një akt filtrimi ku u larguan të gjithë figurat e vjetra, përfshirë edhe ata që nuk kishin asnjë kundërshti personale me Bashën siç qe rasti i Eduard Selamit. Kush mbeti, ose janë njerëz besnikë të Berishës ose prurje të reja të Lulzim Bashës. Që do të thotë mungesë uniteti dhe njohjeje të terrenit elektoral ku do të operojnë.

Ndërkohë LSI nuk duket se vuan këto probleme. Përveç emrit të Metës, skalioni i dytë janë edhe ata ish figuara të socialistëve si Petrit Vasili, Luan Rama, Nasip Naço e të tjerë që ju bashkuan Ilir Metës në fillimet e tij. Secili prej tyre ka një eksperiencë elektorale mbi 20 vjeçare. Skalioni i dytë janë të rinj të cilët Ilir Meta i rriti vetë. Edhe këta shquhen për agresivitet dhe motivim. Ajo që e dallon LSI nga kundërshtarët e saj është komanda unike vertikale dhe motivimi i atij që do të mbijetojë. Dhe në fushëbeteja ky faktor cilësor shpesh herë ka më shumë vlerë sesa sasia.

A do ia dalë Ilir Meta edhe kësaj radhe të çojë anijen e tij në ujëra të qeta? Ky është një bast që e merr përgjigjen në 25 qershor. Me shumë gjasa pas kësaj ose do të kemi një LSI që do të atrofizohet nga rrjedhjet, ose një nga dy partitë e mëdha merr rrugën e perëndimit të saj. Shqipëria është një tokë shumë e ashpër dhe e thatë që të lejojë lulëzimin e njëqind luleve dhe mbijetesën e njëqind shkollave./ dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*