Takimi Rama-Nano, dalin detajet

Takimi mes ish kryeministrit Fatos Nano dhe atij në fuqi Edi Rama që u zhvillua në vilën qeveritare ka ngjallur kërshërinë e publikut, sidomos tani që po afrohet finishi i fushatës elektorale.
Nga informacionet që kemi mundur të mbledhim rezulton se i pari që e ka shkrirë akullin ka qenë Edi Rama. Ai e informoi zotin Nano për iniciativën e fundit të Henri Çilit që të mbledhë gjithë barcaletat që ka thënë ai gjatë fushatës elektorale dhe të bëjë një botim të zgjedhur me titullin “Jalla shofer jalla, ku je tuj shkue”. Rama e informoi zotin Nano se sipas parandjenjës së Çilit, libri do të korrë një sukses më të madh se “Kurbani” dhe do ta vendosë përfundimisht në panteonin e letërsisë shqiptare. Gjithashtu Çili e kishte siguruar se pavarësisht se juria e çmimit “Kadare” që jepte UET nuk ia dëgjonte fjalën, libri ishte kaq me vlerë dhe jetësor saqë ishte e pamundur mos ta fitonte. Madje i premtoi se parathënien mund t’ia shkruante vetë Ismail Kadareja.
Zoti Nano u shpreh se qyshse e zgjodhi ministër të kulturës kishte qenë i bindur në dhuntitë e tij dhe nuk i harronte barcaletat që ju tregonte sa herë mbylleshin mbledhjet e qeverisë. Madje ca nga ato i tregonte lart e poshtë, sikur i kishte të tijat. Por besonte se Rama nuk do ta cilësonte për këtë si hajdut, siç ia kishte bërë Et’hem Rukës që i kishte mbajtur ca nga zhgaravina që Rama bënte gjatë mbledhjeve te qeverisë. Gjithashtu zoti Nano shprehu kënaqësinë që çmimi “Kadare” kishte edhe lekë, sepse kohët e fundit ishte bërë shumë keq për pare.
Rama iu përgjigj se e kuptonte ku e hidhte llafin, por keq ishte për të gjithë sepse rilindja urbane kishte qëlluar me shumë kosto.
Pas kësaj ai e informoi për njohjen me Bashën dhe shkëndijën që kishte lindur mes tyre. Nano i tha të ketë kujdes që mos t’i kthehej në ves kjo punë.
Pastaj Rama i tregoi për debatet me Ilir Metën dhe i premtoi se do ta shkrinte fare.
Nano i tha se për këtë kishte ardhur, por ai e ngatërroi me muhabete të tjera. Nano i tha që do ishte shumë i gëzuar që t’ia arrinte qëllimit duke i marrë kështu hakun edhe atij. Por duhet të bënte kujdes pasi Meta nuk ishte si Basha, dhe më kollaj mund ta finalizonte kthimin e PD-në në OJQ , sesa të shtypte Metën.
Gjithsesi, bashkëbiseduesit u ndanë me premtimin të takohen rishtas dhe të konsultohen për të ardhmen./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*