Ja letra që u bë shkak për takimin e Fatos Nanos me Edi Ramën

Të dashur Edi dhe Gramoz,
Kemi kohë që nuk komunikojmë gjatë vetëm nëpërmjet mesazheve që ju nis me Ëngjëllin, por po vjen koha e votimeve dhe dua t’u jap disa sygjerime.
Po e filloj me ty Edi.
Ke shumë të drejtë që kërkon të mbash timonin në dorë i vetëm. Të ka ardhur mosha edhe ty të dalësh i pavarur në jetë. Por për këtë dua të them dy fjalë.
Duhet të bësh kujdes se e ke filluar në moshë të madhe të mësosh makinën. Ti zakonisht ke qenë ose pasagjer imi ose i Majkos ose i Metës. Kur doje të dilje më vete, bëre 8 vjet të arrije në stacion, por edhe atëhere po mos ta kishte dhënë një të shtyrë Ilir Meta, rrezik do të ishe akoma rrugës. Gjithsesi më mirë vonë se kurrë. E çmoj guximin të mësosh makinën në këtë moshë. Ka ardhur edhe koha të zbavitesh pak, fundja.
Duhet të bësh kujdes që kur t’i japësh makinës të mos vesh alkol në gojë. Mund të rezultojë shumë i rrezikshëm për pasagjerët dhe për ata që gjen rrugës.
Gjithsesi nëse nuk ia del të përmbash veten (nga fotoja e fundit ku ishe shtrirë në skenë pashë që ke marrë ca kile, çka do të thotë që ka filluar të të shijojë rakia), pra nëse nuk i rreziston dot gotës, kujdesu që të kesh si pasagjer Blendi Klosin. Ai të ndihmon në çdo rast dhe situatë.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ki parasysh se pasagjerët e autobuzit tënd janë ca zevzekë. Ti ke meritën që i shtrove, madje edhe atë që guxoi e nxori zë, e hodhe nga dritarja. Githsesi mbaje edhe Gramozin si fatorino. Nuk i dihet kurrë.
Tani e kam me ty Gramoz.
Së pari të përgëzoj që ia ke dalë të mbetesh brenda, megjithëse Edi çdo vit hidhte disa nga dritaret.
Bëj kujdes se si i jep makinës ky, të zë. Ndaj mbaj gjithmonë një qese ku të vjellësh.
Ajo karrigia nr. 9 që të ka caktuar nuk më pëlqen fare se është në buzë të spondës, dhe të biesh ti dhe të mbetet Erioni s’më pëlqen fare. Po kështu e paska jeta.
Besoj se ky do të jetë mandati i fundit për ty. Kujdesu që të lesh ndonjë trashëgimtar. Kur e ka bërë Fahri Balliu dhe Servet Pëllumbi, ty të takon shumë më tepër. E di që ju komunistët jeni ca namuzlinj dhe nuk e pëlqeni nepotizmin, por përshtatu vëlla. Përshtatu se kjo kohë nuk e njeh erzin dhe namuzin.
Këtu po e mbyll.
Mos harroni se sa herë të keni nevojë, mua këtu më keni.
Juaji!
Fatosi me halle shumë./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*