Më pak bebe? Sa frikë

Nga Gëzim Hoxha

Para dy ditësh gazeta “Koha Jonë” shkruante se një në tre gra shtatzëna abortojnë. Po, abortojnë. E besoj dhe është për të ardhur keq, po nuk ke ç’bën. Në fakt ke se ç’bën, për gjithçka e për çdo gjë mund të gjendet një zgjidhje, por ata që e kanë në dorë e duhet të bëjnë diçka nuk bëjnë asgjë. Shtetit i mungon një strategji e qartë në lidhje me rritjen e popullsisë ose ndaljes së plakjes së popullsisë.

Shtete të tjerë, që kanë një vizion të qartë, u kanë dhënë çifteve të reja nxitës të ndryshëm për pasur fëmijë të dytë, pse jo edhe të tretë.

Italia, për shembull, ofronte pagesa të drejtpërdrejta në formë mbështetjeje për këto familje, ish presidenti Obama nënshkroi një akt sipas të cilit ofronte pelena falas për bebet, në Islandë dëgjova se emigrantëve të cilët martoheshin me islandeze përfitonin një shumë të mirë të hollash, por edhe automatikisht përfitojnë leje qëndrimi, apo shtetësinë, në Suedi shteti jep 100 euro për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Ka edhe plot shembuj të tjerë, por nuk dua të zgjatem.

Pra të gjitha shtetet po e luftojnë plakjen e popullsisë me mënyra nga më të ndryshmet, vetëm tek ne, edhe pse mosha mesatare është rritur këto vitet e fundit, nuk merret asnjë masë. Është për të ardhur keq, në një kohë që propagandohet se mosha e re e popullsisë është një avantazh konkurrues në lidhje me ekonomitë e tjera të rajonit.

Po ç’mund të bëhet, mund të thotë dikush? Një familje e vogël është tendencë e përbotshme. E vërtetë, mëse e vërtetë. Çiftet e reja vendosin me vështirësi të madhe për të sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë, në përgjithësi gratë frikësohen të mbeten shtatzënë se i zënë vendin e punës. Të tjera gra, edhe pse nuk punojnë, nuk duan të lindin një fëmijë të dytë, apo të tretë vetëm e vetëm se nuk i plotësojnë dot kushtet e mirërritjes. Ka të tjera gra që harrojnë funksionin themelor të të qenit femër, atë të mëmësisë, pasi janë kushtuar me mish e me shpirt pas një karriere e cila e humbet kuptimin e vet, si gjithçka tjetër me kalimin e kohës.

Kjo tendenca e sotme vihet re jo vetëm në Shqipëri, por anë e kënd globit. Po shteti ku është? Ai duhet të jetë i pari që ta luftojë plakjen e popullsisë. Pasojat e kësaj plakjeje dihen nga të gjithë, por nënvlerësohen në mënyrë të tejskajshme nga ata që e qeverisin këtë vend. Ca nga frika se mos pasurohen njerëzit dhe nuk i mbajnë dot më nën hyqëm, ca nga një hall edhe më i madh, se duke bërë diçka të tillë, të mbështetësh çiftet e reja dhe jo vetëm, duhet të heqësh dorë nga betoni, nga rrugët, nga lyerja e fasadave, shkurt nga tenderat, ca ndoshta ngaqë një popullsi më e re ka nevoja të tjera nga ato që perceptojnë ata se një popullsi duhet të ketë, për të mos thënë se ndonjë ka premtuar shumëfishim të buxhetit të shëndetësisë dhe nuk do të dalë huq.

Dhe vijmë tek realiteti ynë. Shteti ynë i shpërblen nënat të cilat sjellin në jetë një bebe me 5.000 lekë. Kaq vlen një bebe për shtetin tonë. Shteti tallet me nënat e reja. Dikush u mburr se riktheu shpërblimin e munguar prej vitesh. Me 5.000 lekë, çifti që u bë prind, e shumta mund të hajë një darkë dhe asgjë më shumë. Ja pse një shoqja ime, kur mori vesh se kish mbetur shtatzënë, qau në vend që të gëzonte sepse ardhja e një fëmije është bekim. Me të drejtë, se atë kohë ajo qe e papunë, po ashtu edhe i shoqi. Më pas ajo filloi punë si shitëse në një dyqan veshjesh luksoze, por pronarja nuk i paguan sigurimet dhe ajo nuk mund të përfitojë lejen e lindjes. E sa gra ka të pasiguruara si ajo?

Ja pra pse unë kam shkruar dhe kam propozuar edhe më parë, një paketë të plotë mbështetëse për çiftet të cilët vendosin të kenë një fëmijë më shumë në familjen e tyre, duke filluar me shpërblimin qesharak që shteti iu jep nënave. Të ishte në dorën time unë do e bëja nga 5.000 lekë në 1.000 euro, ide që u përqafua edhe nga Blushi, për të vazhduar më tej në sigurimin e pelenave falas për të gjitha bebet, të paktën deri në moshën 15 muajsh, për të vazhduar me kujdes shëndetësor falas, përfshi edhe barnat, deri në moshën 5 vjeç, libra falas për çdo fëmijë dhe një pagesë direkt deri në moshën 18 vjeç të një shume mujore prej të paktën 10.000 lekësh.

Kjo paketë do e kthente ardhjen e një fëmije në familje në gëzim dhe jo në dëshpërim, me këto masa një bebe e sapoardhur në jetë do të qe jo barrë për familjen, por edhe ndihmë e madhe për të gjithë.

“Ku t’i gjejmë paratë?” – do klithin politikanët. Iu them atyre që do u dhembë koka kur të lexojnë këto radhë se paratë janë, por duhen mirëshpenzuar. Në fakt kjo është kostoja oportune e shpenzimeve të tejfryra operative për mobilie, aparatura, kompjuterë, printera, naftë, dreka e darka, karburante, udhëtime, konferenca për nxitjen e investimeve të huaja, paga të larta deputetësh që nuk ndihen fare në parlament, por vetëm sa ngrenë kartonët, investime për betonizimin e qyteteve, fushata elektorale luksoze, rrugë që shtrohen dhe hapen se është harruar pa bërë ndonjë pusetë, apo pa u shtruar ndonjë tub a ndonjë kabull, lyerje fasadash sa për të thënë, paratë e drogës dhe të prostitucionit që nuk futen në ekonomi, fonde që u jepen burgjeve për të mbajtur rreth 6.000 të burgosur, gjoba të vëna nga KLSH për abuzime, por akoma të pavjela, pasuri të vëna me të padrejtë nga pushtetarë në kohë të ndryshme, por ende të pakonfiskuara nga shteti, ryshfetet të cilat në vend që të përfundojnë në arkën e shtetit papritur e pakujtuar ndryshojnë destinacion.

E dashur politikë, paratë janë, ti duhet vetëm t’i mirëshpenzosh dhe t’i mirëadministrosh./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*