Një udhëtim në Indi, me Yogin

Nga Anxhela Ferra

Yogi Shivakhanda, një nga mësuesit më të mirë të yogas në botë, ishte në Tiranë dhe për dy ditë rresht, dhuroi disa orë qetësie, duke bërë yoga së bashku me qindra qytetarë. Secilin prej tyre i përshëndeste, duke i thënë namaste, fjalë që mbart kuptim shumë të veçantë.

“Pavarësisht se çfarë emri ke, ne mendojmë se në çdo individ është një hyjni brenda qenies së tij. Kur them namaste, unë po respektoj hyjninë tënde, shpirtin tënd. Nëse ne do ta kuptonim që në shpirtin e secilit prej nesh është një hyjni, në botë nuk do të kishte më luftëra,” thotë Yogi për dritare.net.

Mirësia e tij dhe buzëqeshja e veçantë, bëri që të gjithë njerëzit, pas seancës të largoheshin ndryshe, me strese lënë pas. Sepse i tillë është edhe Yogi, i cili rrëfen për dritare.net, se kontakti i parë me yogan ka qenë kur ishte vetëm tre vjeç.

“Në Indi, meditimi është traditë dhe thuajse të gjithë e praktikojnë. Ti i dërgon fëmijët të mësojnë më shumë mbi mantrans, meditimin dhe yoga. Unë isha shumë i vogël dhe nuk e dija mirë se çfarë po bëja. Por, ishin prindërit që donin që unë të njihesha me filozofinë. Qëllimi i tyre nuk ishte që unë të qëndroja gjithmonë, ata më dërguan për vetëm 1 vit. Më pas më morën në shtëpi, ku unë nisa të studioja në një shkollë të krishterë dhe ato që na mësonin ishin murgesha. Gjatë kohës që isha në shkollë, unë fillova të praktikoja yogan.”

Babai i tij, donte që Yogi të bëhej një doktor. Edhe pse nuk arriti të plotësonte dëshirën e babait, Yogi është shumë pranë të qenit një doktor, me shërbimet e tij, ai ka një rol shërues, jo për trupin, por për shpirtin e njeriut.

“Babai donte që unë të bëhesha doktor, por kjo për mua ishte e pamundur, pasi unë nuk e shoh dot gjakun, madje dhe në spitale e kam shumë të vështirë të shkoj. Në fillim ishte pak e vështirë të bindja familjen time që nuk do të bëhesha doktor, por unë jam me shumë fat, pasi prindërit më dhanë liri të plotë që prej fillimit. Ata nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në zgjedhjet që kam bërë, kam qenë gjithmonë shumë i pavarur.

Ne jemi një familje e madhe,  kam dy vëllezër më të vegjël se unë dhe dy motra më të mëdha, ato të dyja janë të martuara. Vëllezërit dhe  babai e praktikojnë yogan rregullisht, ndërkohë mamaja dhe motrat bëjnë më tepër meditim.”

Përditshmëria e Yogit ndryshon nga dita në ditë, pasi siç shprehet për dritare.net, nuk i pëlqen të bëjë plane. Por, ajo çka nuk ndryshon asnjëherë është koha që i dedikon meditimit, apo yogas. Të cilat në disa raste i bën vetëm, e në të tjera e shoqëron edhe bashkëshortja. Yogi rrëfen për dritare.net, se gjithmonë ka qenë kundër martesës, por ishte meditimi që e ndihmoi të gjente arsyen.

“Nuk mendoja se do të martohesha, por nëpërmjet meditimit, unë gjeta arsyen. Arsyeja kryesore ishte se doja të përjetoja çfarë martesa është. Unë nuk mund të flas keq për martesën, nëse nuk e kam provuar asnjëherë. Mund të zgjasë tre apo katër jetë, këtë nuk e di. Por, tani unë jam duke shijuar këtë jetë, pas martese asgjë nuk ka ndryshuar, unë kam po të njëjtën liri. Është një eksperiencë  shumë e bukur. Edhe ajo bën yoga vazhdimisht, gjithashtu është vegjetariane, si unë.”

Vendi i tij i paqes nuk mund të ishte veçse vendlindja, Himalajet e Indisë, një vend që e frymëzon sa herë që shkon, edhe pse pjesën kryesore të kohës, është në shtete të ndryshme.

“Prej më shumë se 13 vitesh unë jam larguar nga shtëpia, pasi udhëtoj sa nga një vend në tjetrin. Përsëri, rajoni Himalajet në Indi, është një vend shumë special për mua. Kur shkoj atje ndjehem shumë i lidhur, është një qetësi e madhe, ndjehem në paqe dhe frymëzohem. Por, ka edhe vende të tjera që janë shumë të bukura e të veçanta për mua, një prej tyre është edhe Shqipëria.”

India është një prej shteteve me popullsinë më të madhe, por pavarësisht shtresave të ndryshme që janë në vend, ata të gjithë i bashkon besimi dhe adhurimi që kanë ndaj natyrës e elementëve të saj. Por, modernizmi ka sjellë edhe probleme, për Yogin, më kryesorja është sistemi i edukimit dhe si po dëmtohen fëmijët.

“Në Indi njerëzit janë nga të gjitha llojet. Por, tani në kohët moderne janë shtuar shumë njerëzit materialistë, ne nuk i kemi pasur më parë ata. Përsëri ne nuk jemi zhvilluar me hapa të shpejtë, për sa i përket modernizimit. Besimi kryesor, sigurisht është hinduizmi, që është dhe një prej më të vjetërve në botë. Njerëzit janë shumë të lidhur me rregullat, ne kemi Zot për çdo gjë, për pemët, për kafshët, gjithashtu edhe për vdekjen. Duke pasur kaq shumë Zot, ne respektojmë çdo gjë dhe kujdesemi për të. Për ne natyra është shumë e rëndësishme. Gjërat po ndryshojnë, por përsëri nuk është shumë keq.

Problemi kryesor i shoqërisë moderne është, sistemi i edukimit, ne nuk dimë sesi ta përgatisim gjeneratën e së ardhmes. Jemi duke i bërë më konkurrues, duam që të fitojnë me çdo kusht.  Dhe ky është gabimi. Duhet që të gjithë të përqendrohen të përcjellja e lumturisë dhe jo të fitorja.”

 Meditimi është çelësi për të njohur veten!

“Ne të gjithë mund të meditojmë, mjafton vetëm të kemi pak dëshirë. Njerëzit nuk e dinë se çfarë është meditimi dhe çfarë përfitojnë nga kjo gjë. Në këto kohë njerëzit janë të stresuar, gjithmonë duke vrapuar, nuk janë të lumtur pasi kërkojnë gjithmonë më shumë. Ndërkohë nëse meditojnë, do të marrin më shumë kënaqësi, do të ndjehen më të relaksuar, të qetë, të shkathët dhe më të mprehtë. Këto janë gjëra bazike, sigurisht me praktikë, njerëzit fillojnë ta njohin më shumë veten.

Ti e nis praktikën me trupin tënd, sapo trupi yt është i çliruar nga tensionet, fillon faza e dytë, që është truri, i cili është më fleksibël tani.

Meditimi është çelësi për të njohur veten. Njerëzit nuk kanë frikë të njohin veten, ata thjesht nuk kanë kurajën të qëndrojnë të vetëm, jashtë turmës. Njerëzit heqin dorë shumë lehtë, mjaftohem me një apo dy muaj meditim. Por, për të arritur këtë balancën perfektë, ti duhet të bësh praktikë të vazhdueshme e të jesh konstant.

Qëllimi im është të gjej mënyra për të ndihmuar njerëzit të jenë më të hapur, zemra e tyre mbi të gjitha të jetë më tepër pranuese dhe e hapur. Mundohuni të bëni më shumë gjëra duke ndjekur zemrën tuaj dhe mos mendoni se çfarë do të përfitoni. Hiqni dorë nga llogaritjet që bëni për çdo hap që merrni. Jini më tepër spontanë dhe rrjedhimisht do ta vlerësoni më tepër jetën. Qëndroni të vërtetë me universin.

Se sa jetë secili prej nesh ka, varet se cilat janë karmat e çdo njeriu, nga e shkuara dhe nga kjo jetë. Ndaj ne duhet të bëjmë mirë në këtë jetë, vetëm mirë.

Vetëm se njerëzit nuk duhet por nëse njerëzit t’i bëjnë këto vepra të mira për këtë qëllim, për të pasur jetë të tjera, ky është egoizëm dhe nuk funksionon. Gjërat e mira duhet të bëhen pa arsye, pa kushte, pa pritshmëri. dritare.net

Vizito Indinë me Yogin

Në bashkëpunim me Real Deal dhe AGNA Group, Yogi organizon ture në Indi, për çdo kënd që do të provojë një eksperiencë ndryshe. Për gati dy javë, zbuloni Indinë të treguar e mësuar nga profesori më i morë i yogas. Ndër të tjera përjetoni seanca meditimiesh dhe yoga në shtetin që e ka në gjenezë këtë besim.
Armand Shkëmbi, ishte një prej tyre, tetorin e shkuar, kur u organizua turi i parë. Armandi e quan veten inxhinier skeptik i konvertuar në meditues entuziast.
“I kisha paragjykuar për shume vite artet e lindjes se largët. Unë jam me profesion inxhinier, ne jemi paksa skeptik. Ndërkohë mua tani më është bërë mënyrë jetese, jam konvertuar në meditues entuziast.
Kur shkuam në një udhëtim dy javor në Indi, gjithçka ndryshoi. Edhe pse kur arritëm në aeroport, rrëmuja, njerëzit e shumtë, qyteti aq shumë i zhurmshëm, më bën të stepesha dhe thashë që ku paskemi ardhur. Por kjo ishte deri sa takova Yogin. Ai na prezantoi me Indinë frymëzuese. Dhe çdo ditë ti mëson diçka të re, kur je atje. Kur provova yoga për herë të parë mu hapën sytë. Ne ngjitëm malet Himalaje dhe bëmë yoga atje, ishte e papërshkrueshme si eksperiencë.


E gjitha kjo u erdhi nga Yogi, një djalë indian me zemër te arte dhe buzëqeshje diellore.
Për të mos folur për ushqimin, aq shumë u dashurova me traditën e tyre, saqë për një muaj, pasi u kthyem, nuk ambientohesha dot me ushqimet tona. Erëzat e tyre të shumta janë shumë të shijshme.
Orientimi i tureve është kryesisht nga ana shpirtërore, ku shkohet në tempuj hindu. Por, vizitohen edhe vendet e shumta turistike si Taj Mahal, Akshardham, ngjitja në malet Himalaje, pazari i qytetit etj.
Është një mundësi shumë e mirë për tu njohur me tradita të reja, por mbi të gjitha, njeh veten. Unë prej atij udhëtimi kam ardhur një njeri tjetër. Meditimi dhe yoga janë bërë pjesë e pandashme për mua, tregon Armandi për dritare.net.
Udhëtimi zgjat 10 deri 14 ditë dhe kushton nga 2500 deri në 3000 euro, të gjitha të përfshira në çmim. Duke nisur që nga bileta e avionit, udhëtimet brenda Indisë, ushqimi, qëndrimi në hotel.
Turi mendohet të realizohet rreth muajit tetor-nëntor./dritare.net

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*