Parada shqiptare në Nju Jork/ Mijëra shqiptarë festojnë kuq e zi 

Nga Beqir SINA – New York City

Të shtunën, më 17 qershor në mes drekë, u mbajt në Nju Jork Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve, e cila mblodhi disa komunitete emigrantësh që parakaluan mes një entuziazmi dhe gëzimi të paparë. Si çdo vit, në zemër të qytetit të Nju Jorkut, Parada Shqiptare kulmoi në rrugën e famshme “America “ 6th Avenue, në Manhatan NYC, ku morën pjesë mijëra shqiptarë me këngë e valle dhe veshjet tona folklorike, të Shqipërisë, Kosovës dhe gjitha trevave shqiptare.
Parada Shqiptare nderoi Arbëreshët e Italisë, me një iniciativë për të bashkuar jo vetëm komunitetin shqiptar, por dhe një afrim më i ngushtë me komunitetin arbëresh atje.

Parada u organizua nën kujdesin e organizatës Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, me President, Marko Kepi dhe u mbështet fuqishëm nga shoqatat dhe organizatat e komunitetit shqiptar dhe bizneset shqiptare në SHBA.

Marko Kepi i tha Zërit të Amerikës, se “Ne me këtë paradë kërkojmë të rrisim sa më shumë patriotizmin tek shqiptarët e Amerikës, brezi i ri shqiptaro amerikan që ka lindur këtu të ruajnë kulturën dhe traditën shqiptare, duke mos harruar atë se janë shqiptarë”. Pra, “këta shqiptarë, thotë Kepi, të dinë se kanë një vend origjinë të tyre, që i lidh ata me vendin e tonë prej nga kanë ardhur. Dhe, kështu ata janë duke u integruar jo thjesht si amerikan – por si shqiptaro amerikanë,”

Kepi mori si shembull komunitetet e tjera, italianët, irlandezët, gjermanët e tjerë, që kanë humbur identitetin e tyre kombëtar,  janë asimiluar shumë shpejt dhe nuk i dinë më rrënjët e tyre. Ata nuk dinë se nga vinë prindërit e tyre, duke humbur vlerat e tyre kombëtare. “Të bëhesh amerikan, tha Kepi, është një gjë e mirë, dhe i ke të gjitha shanset që Amerika të jep, por kurrë mos harro se je shqiptar dhe se nga vjen”.

Moderatorja e kësaj parade, gazetarja e njohur Kozeta Turishta, e cila vazhdimisht bëri thirrje entuziaste dhe inkurajoi pjesëmarrësit, tha se për çdo vit Parada Shqiptare, që mbahet në New York, ju dedikohet viseve apo territoreve shqiptare apo edhe figurave me peshë të Madhe Kombëtare.

Delegacioni Arberesh, i cili mori pjesë në këtë paradë përbëhej nga arbëreshë nga Katundi – Gereci,  Avelino – Itali, kryesuar nga kryetarja e nderuar e asaj Komune, Donatella Martino dhe anëtarët e familjes shqiptare DioGuardi nga Nju Jorku, vëllai dhe motra e Joe DioGuardit, përfshirë edhe vajzën e tij Yllin e Hollivudit, Kara DioGuardi, si dhe një delegacion i komunitetit Arbëresh të Ohios.

Me këtë rast Organizata Rrënjët Shqiptare, nderoi me “Mirënjohjen e Paradës Shqiptare” ish kongresmenin DioGuardi, Presidenti vullnetar i lobit të parë dhe të vetëm Shqiptarë, në Uashington, Ligën Qytetare Shqiptare Amerikane -LQSHA, si një nga arbëreshët e parë.

Katundi – Greci, është fshati, ku ka lindur edhe shqiptari arbëresh Joseph J. DioGuardi, i cili është i ati i Joseph J. DioGuardi , ish kongresistit amerikan, Presidentit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, por dhe ku ka lindur Filomena Boscia, e cila është nëna e legjendës së gazetarisë amerikane, Regis Philbi.

Më pas foli kryetarja e Komunës Katundi – Greci, Donatella Martino, e cila tha se janë pikërisht, nga ata shqiptarë që thirren shpesh herë “Gjaku ynë i shprishur” – “il nostro sangue sparso” , të cilët, janë vendosur aty në pjesën e poshtme të gadishullit Apenin, qysh në shekullin e XV.

“Historia jonë, gjuha dhe traditat, është e lidhur në mënyrë të pandashme me rolin vendimtar që figura kryesore historike e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që ka luajtur një rol vendimtar në shpëtimin e Gadishullit Italian dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore nga dominimi i Perandorisë Turko-Osmane në shekullin e XV”, tha ajo.

“Ne kemi ardhur këtu në Nju Jork, me shumë hare, t’ju diftojmë shqiptarëve të Amerikës, se kush jemi, çfarë tradite e zakone kemi, çfarë gjuhe flasim – Ne jemi pasardhësit e Skënderbeut” tha njëra prej tyre për Zërin e Amerikës.

Bashkëshortja e DioGuardit, Shirli Cloyes DoiGuardi një Këshilltare e Çështje Ballkanike, shkrimtare, analiste dhe studiuese, në fjalën e saj, ka shpjeguar edhe se cila është arsyeja se pse Arbëreshët mbeten të lidhur me tokat shqiptare, dhe gjithashtu pse shqiptarët janë përgjithmonë të lidhur me Italinë.

Kjo paradë, për komunitetin shqiptar, është zgjedhur për të qenë si një shprehje e krenarisë shqiptare, duke filluar qysh me veshjet tradicionale, të shoqëruar ngado me ngjyrat e flamurëve kuqezi, tingujt emocionues të ritmeve të këngëve dhe valleve dhe muzikës shqiptare, nga të gjitha krahinat, të cilat krijuan në sheshin Amerika, një spektakël madhështor, duke u mundësuar mijëra shikueseve, në të dy anët e bulevardit, një paradë të paharrueshme, shqiptare.

Më së shumti ata që gëzojnë, në këtë paradë janë fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë, nxënësit e studentë shqiptarë, në shkollat amerikane, artistët, afaristët, biznesmenët, lider të komunitetit, veprimtarë të dalluar, njerëz nga më të suksesshmit në Amerikë, të cilët festuan nën tingujt e këngës së Gëzim Nikës.

Këtë vit sponsorizues zyrtar të saj kanë qenë mbi 20 biznese shqiptare, të gjitha mediet shqiptare, organizatat dhe shoqatat. Në krye të kësaj parade me floats – rimorkiot e tërhequra nga makinat, u vunë Vatra, Ana e Malit, Fondacioni Palvë e Guci, Iliriada, Albanian Excellence, Shoqata Atdhetare Dibra.

Kurse, një  kuadrat me makina luksoze dhe grup motoristësh shqiptar nga Staten Island, dhe ata të shoqërisë “Sons of Illyrians – New York” me motorrçikleta parakaluan gjatë bulevardit me flamujt shqiptar.

Rrënjët Shqiptare, si një ndër organizatorët kryesorë dhe bartësit e kësaj parade në nëntë vitet e fundit, organizoi në fund një pritje për të falenderuar të gjitha shoqatat dhe organizatat e komunitetit.

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*