Verërat e Botës

Aty diku nga mesi i viteve pesëdhjetë, njëfarë L. V. Marrison irlandez, kimist industrial i interesuar që herët për pijet alkoolike, ofronte një ndarje shumë origjinale dhe interesante mbi verërat e botës.

Sipas tij, mund t’i konsiderojmë verërat si përafërsisht të kategorizueshme në katër klasa. Ndarja është thjesht çështje leverdie, por përkon gjithsesi me standardet e pranuara nga më të shumtët lidhur me cilësinë dhe deri në një farë mase, me çmimin. Katër klasët sipas tij, janë:

Great Wines

Fine Wines

Standard Wines

Ordinary Wines

Verëra të mëdha (Great Wines)

Ekzistojnë vreshta në krahinat franceze të Bordeaux-së dhe Bourgogne-së, apo në luginën e lumit Ren në Gjermani, që pajtojnë thuajse të gjithë në mendimin se japin verëra të shquara e që s’kanë rivalë. Këto verëra përftohen nga një përzjerje përvoje dhe shkence të aplikuar dhe kanë fatin e paçmueshëm të vijnë prej vreshtash që gëzojnë vendndodhjen më të mirë, terrenin më të përshtatshëm, hardhitë e ndjekura nga ekspertë, teksa vera bëhet dhe trajtohet me një lloj kujdesi besnik që të ngjall vetë reputacioni i këtyre verërave. Këto verëra shiten me çmime shumë më të larta se sa ato të vreshtave ngjitur tyre e me qëllim që reputacioni të ruhet, kujdesi i treguar është shumë i madh: kaq e vërtetë është kjo, sa në vitet kur moti është i keq, nuk shitet fare verë që mbart emrin e atij vreshti.

Evitojmë këtu t’i përmendim verërat që rreshton Marrison … janë rreth pesëmbëdhjetë.

Mund të shtohet, se në vite të favorshme edhe të tjerë vreshta të papërmendur, nganjëherë japin verëra të një cilësie të krahasueshme me ato që përmendëm më lart. Por kjo listë mund të rishikohet çdo vit, duke shtuar apo hequr sipas rastit. Zgjedhja përfundimtare për t’i përfshirë apo jo, mbetet një detyrë për ekspertë që pijnë mençurisht prej shumë vitesh.

Verëra të mira (Fine Wines)

Njëzet verëra klasifikon Marrison si ‘’të mëdha’’. Më poshtë këtyre gjejmë një armatë të tërë verërash të tjera, që janë vërtetë të mira. Bëhet fjalë për verëra që njeriu mund ti paguajë ndershmërisht e t’i pijë pothuajse shpesh pa ‘’rënë në faliment’’. Këto ndryshojnë në cilësi nga ato që janë kandidate për t’u përfshirë në kategorinë e verërave të mëdha deri tek ato të të tjerat që për pak shpëtojnë nga të rënit në kategorinë e “verërave të zakonshme” të ndarjes së nivelit të katërt.

Verëra standard (standard Wines)

Të klasifikuarit e verërave, në të mëdha, të mira dhe të zakonshme, është me vend për verërat evropiane, por po të konsiderohen verërat që prodhohen në Australi, Sh. B.A, Afrikë e Jugut, (por edhe Kili, Argjentinë e Zelandë e Re do të shtonim ne sot) do të na dukeshin ‘të mira’ me një ndryshim. Verërat Evropiane janë çdo vit në mëshirë të motit. Kështu për shembull në vitet 1945 e 1947, një pjesë e madhe e verërave ishin për t’u konsideruar si të mëdha, apo shumë afër të quajturit të tilla. Në breza klimatike me mot të njëtrajtshëm (e ku kontrolli shkencor është tepër i rëndësishëm), verërat e prodhuara ndryshojnë shumë pak nga njëri vit në tjetrin. Mund t’u besohet atyre, se do të jenë të mira, por mund të jesh i sigurtë se nuk do të kenë cilësinë e shkëlqyer të verërave të mëdha evropiane … .

Të shijosh verëra të mira Franceze apo Gjermane është në një farë mënyre një aventurë: nuk do të jenë aspak të dobëta në cilësi, nëse keni zgjedhur mirë, por mund të jenë të shkëlqyera. Të pish një verë australiane apo afrikano-jugore do të thotë të mos shpresosh për surpriza: mund të jenë të mira, verëra si verë, as më shumë as më pak.

Verëra të zakonshme (Ordinary Wines)

Në këtë kategori, përfshihen të gjitha verërat e tjera, që nga vera që u shpërndahej ushtarëve francezë në kohëra lufte dhe lëngjet gati të kuqe apo të bardha që shiten në baret e kontinentit e në kafenetë e vogla, deri tek më të lirat verëra, importuar në Britaninë e madhe nën emrin verë ‘’Bordoje’’ apo ‘’Burgonje’’. Këto janë thjesht pije e asgjë më tepër.

Le t’i konsiderojmë verërat e mëdha dhe shumë nga të mirat si artikuj të përftuar nga puna e dorës, krijuar nga zejtarë e që mbajnë mbi to vulën e individualitetit. Le t’i konsiderojmë verërat standard si të ngjashme me lëndë të parë, prodhuar në sasi industriale, të admirueshme e me një elegancë krejt të tyren, por që në asnjë rast nuk mbartin ndonjë shenjë të vëmendjes individuale. Verërat e zakonshme, pastaj, nuk gëzojnë asnjë nga këto virtyte. Me formë pak a shumë të arritur e me një cilësi të dobët, ngjajnë me mobilje mbi të cilat dallohen akoma shenjat e veglave e tek të cilat mund të kapesh në gozhda pa ngulur mirë, e nga të cilat mund të shkëputen hera-herës copa stukoje, duke zbuluar vrima nyjesh.

Në këto rreth shtatëdhjetë vjetët e fundit hapa përpara në verëtari janë hedhur jo pak thuajse kudo… Italia, nëse autori do të ishte gjallë akoma, padyshim do të ishte rreshtuar përmes verërave të saj, në rradhët e verërave të mira, por edhe të mëdha ndoshta …verërat e vendeve të asaj që konsiderohet sot bota e re janë revolucionuar tej mase në cilësinë e shumëllojshmërinë e tyre, duke u afirmuar gjithnjë e më tej në konkurse ndërkombëtare… apo të tjera zhvillime.

Por klasifikimi i Marrison-t është aq i gjetur, edhe sot, sa nuk mund të rezistohet pa iu referuar, prandaj pyetja për lexuesin e Nunc est Bibendum apo edhe këdo tjetër të cilit vera i kënaq shijen dhe i ngroh zemrën, është:

Po verërat shqiptare, po të konsiderojmë kryesisht ato të kohërave ku jetojmë, në cilat nga klasat e Marrison-it e gjejnë vendin?

Andi Qinami / bota.al

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*