Shqipëria që duam? Vetëm një perceptim larg

Nga Gëzim Hoxha

Shqipëria që duam është një slogan më se i goditur nga mjeshtrat që e kanë këshilluar kryeministrin tonë. Por përtej këtij slogani do doja që të shtroja pyetjen: “Cila është me të vërtetë Shqipëria që duam?”. Këtu të gjithë ngecim, ose më mirë të thuash ngecim në një tjetër slogan tejet të vjetruar: “E duam Shqipërinë si e gjitha Evropa!” Po si e gjithë Evropa…

Nëse kjo është Shqipëria që duam atëherë pse ikin Shqiptarët? Apo slogani vlen për katër vitet e ardhshme? Njerëzit e kanë parë se si është Evropa prandaj edhe largohen prej këtij vendi që edhe pse burimet natyrore nuk i mungojnë, përsëri diç i mungon këtij vendi të begatë. Të jetë vallë besimi. Ndoshta, ku i dihet (këtij vendi i mungojnë shumë gjëra, le t’i shtojmë edhe një tjetër)?

Po si ndërtohet besimi? Fare thjesht, duhet të ndryshojë perceptimi që ne kemi për shtetin tonë. Të gjithë e kemi dëgjuar apo edhe e kemi thënë edhe me gojën tonë atë shprehjen: “Shteti me njërën dorë t’i jep dhe me tjetrën t’i merr.” Në fakt duhet të ishte ndryshe: “Shteti me njërën dorë t’i merr dhe me tjetrën t’i jep.” Duket si lojë fjalësh, jo t’i merr e jo t’i jep, jo t’i jep e jo t’i merr. Po është lojë fjalësh. Ashtu mund të duket, tek e fundit fjalët janë të njëjta ka ndryshuar vetëm vendin ose radhitjen e tyre.

E mirëkuptoj këdo, por në këtë lojë të thjeshtë fjalësh përmblidhen dy perceptime krejt të ndryshme qeverisjeje. Marrim të parën atë që shohim rëndom në jetën tonë të përditshme: “Shteti me njërën dorë t’i jep e me tjetrën t’i merr.”Ky është realiteti ynë. Kjo është gjendja në të cilën ndodhemi që prej 26 vjetësh. Me një shtet që bën sikur vjel taksat dhe bën sikur i rishpërndan ato, nuk kanë faj shqiptarët që duan të ikin. Me kë ta krahasojmë veten, me Italinë nuk krahasohemi as me Gjermaninë, por le të krahasohemi p.sh me Bosnjën. E dini që ne mbledhim më pak të ardhura se Bosnja?

Aq më e keqe duket panorama në rishpërndarjen e tyre. Kemi 26 vjet që vetëm e vetëm shtrojmë rrugë dhe s’bëjmë gjë tjetër. Do të isha i marrë sikur të thosha se jam kundër shtrimit të rrugëve, por edhe shtrimi i rrugëve duhet të ketë një mbarim. Është turp kush e dëgjon edhe në shekullin e XXI –të vazhdojmë e shtrojmë rrugë. Pastaj kjo Shqipëri që gëzojmë ne sot është aq e vogël sa do të mjaftonte një dekadë që të rregulloheshin të gjitha rrugët e saj. Dua të kujtojë se për 6 vjet Hitleri e përgatiti Gjermaninë për luftë e përsëri nuk gjen ndonjë që të lëvdohet me atë periudhë se tek e fundit një rrugë çdo qeveri mund ta ndërtojë.

Në një kohë që të varfrit shtohen e shtohen në numër. Dje për natën e kadrit pamë tek STOPI që komuniteti mysliman po shpërndante pako me ndihma për 300 familje në nevojë. Bravo i qoftë dhe turp t’i vijë shtetit që mjaftohet me një ndihmë minimale në të holla që nuk del as për të blerë bukën thatë.

Marrim të anasjelltën e saj: “Shteti me njërën dorë t’i merr e me tjetrën t’i jep.” Ky është realiteti Evropian, ku shtete me taksa të larta progresive kanë nivel shumë të lartë jetese. Shembulli i Belgjikës në të cilën taksa mbi të ardhurat është 51% ose Suedia për të cilën thuhej se në vitin 2012 aty paguhej 56% e të ardhurave apo Danimarka me  54%  e plot shembuj të tjerë.

Vetëm se ka diçka! Këto qeveri nuk e shohin mbledhjen e taksave si qëllim në vetvete. Jo, asnjëherë. Këto taksa mblidhen për një qëllim dhe qëllimi është rishpërndarja e tyre. Si rishpërshpërndahen ato? Kjo gjë nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Mbështeten ato shtresa të cilat janë në nevojë. Dhe jo më kot Suedia para disa vitesh festoi 200 vjetorin e mungesës së hajnisë. Dhe nuk iu vë faj suedezve që nuk vjedhin. Tek e fundit pse vjedh njeriu, ç’e shtyn atë të bëj diçka të tillë? Thjesht nevoja, asgjë tjetër. Kur një i njohuri im më tha se në Suedi shtëpitë nuk kyçen me çelës, u habita. Po u habita. – Si ka mundësi që ta lesh derën hapur kur ikën nga shtëpia? – thashë me vete atëherë. Tani e di nëse ty nuk të mungon asgjë nuk ke pse i ndy duart kot dhe i hap vetes problem. Jo më kot lajmi se në Holandë burgjet ishin bosh, bëri xhiron e botës.

Një shoqja ime në Belgjikë e cila ka 4 fëmijë, vetëm me përkrahje ekonomike  arriti të blinte shtëpi në Fier. Besojeni se shteti aty nuk tallet me këto familje ai iu jep atyre edhe më shumë se ç’u nevojitet në mënyrë që një familje çfarëdo në nevojë, jo vetëm të ushqehet e të vishet por edhe të plotësojë edhe nevoja të tjera që ajo të jetojë me dinjitet.

Pra nëse shteti ndryshon perceptimin e vet të krijuar gjatë këtyre 26 viteve, sipas të cilit nuk kujdeset fare për të varfrit, por vetëm për një grusht njerëzish (qeveria mori para 4 viteve 500 mln euro për të shlyer rimbursimin TVSH –së së prapambetur), atëherë asnjë shqiptar nuk do të donte të ikte as në Suedi as në Belgjikë dhe asgjëkund./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*