Disa përfundime dhe parashikime për Edi Ramën

Nga Dritan Hila

Tani që fushata elektorale mbaroi, mund të nxirren disa përfundime mbi karakterin e saj dhe pasqyrimi në të ardhmen e vendit, veçanërisht për fituesin e saj Edi Ramën.

1. Kjo ishte një fushatë e personalizuar e tij e cila u përqëndrua e gjtha mbi figurën e Edi Ramës. Ndaj fitorja i përket e gjitha atij.

2. Ishte një fushatë e gjitha populiste, e pashembullt në asnjë vend të Evropës ku kandidati prezantohej gjithandej me tuta dhe fanela të personalizuara. Nuk u prezantua asnjë program konkret dhe filli përshkrues ishin batuta të tij me dëgjuesit. E gjitha kjo çuditërisht funksionoi.

3. Partia Socialiste tashmë është e gjitha një mekanizëm në duart e tij dhe sipas shijeve të tij. Do të jetë kështu derikur të dëshirojë Edi Rama.

4. Lista e deputetëve ishte e gjitha vendim personal i Edi Ramës, ku kriteri bazë ishte besnikëria ndaj tij. E kaluara korruptive apo kriminale e disa elementëve, nuk ndikoi fare në përzgjedhjen nga ana e tij. Kush nuk mundi të kandidonte personalisht për shkak të kaluarës kriminale dhe presionit ndërkombëtar, kandidoi nën sigla të tjera personalisht ose të afërmit e tij.

5. Ajo që shpalosi Edi Rama gjatë fushatës në debatet me gazetarët, ishte sigurimi i elektoratit se do të vazhdojë politika e koncesioneve, rilindja urbane, importi i plehrave, dhe shumë politika për të cilat u kritikua gjatë mandatit të shkuar. Kush shprehet tani se ai duhet të lexojë me kujdes votën, ose është budallepsur ose fshihet pas gishtit. Rama e ka lexuar më së miri votën dhe ajo i thotë që ka pasur të drejtë. Të paktën shumica e votuesve që u paraqitën në kutitë e votimit i ka dhënë Carta Bianca për katër vitet që vijnë.

6. Edi Rama u votua vetëm nga trupa e militantëve socialistë, por një PD e dobët i mundësoi rritjen e peshës së votës. Politika e bojkotit e ndjekur nga elementë të elaboruar të shoqërisë ose personazhe politikë, tregoi se jo vetëm që nuk e njohin sistemin dhe realitetin, por as janë kundërshtarë seriozë të Ramës.

7. Bëri përshtypje fakti se pavarësisht politikave të tij ultraliberiste, militantët e një partie që pretendon të jetë e majtë e votuan pa mëdyshje, çka tregoi se më shumë se parti ideologjike, PS, ashtu si çdo parti tjetër shqiptare, është një grupim njerëzish me interesa të cilat shkojnë nga ruajtja e vendit të punës (në bazë), koncesionet, monopolet apo trafiqet (në majë).

8. Si asnjëherë tjetër, asnjë zë i inteligjencës që e konsideron veten të majtë nuk e kritikoj atë për politikat e tij ultraliberiste dhe korruptive. Madje edhe kritikë sporadikë të tij gjatë katër vjetëve, bënë thirrje që të votohej. Kjo ishte një sinjal se inteligjenca shqiptare politikisht është në nivelin e elektoratit bazë i cili mendon nëpërmjet stomakut, dhe ideologjikisht e ka ulur stekën e saj në banalitetin e përplasjeve me Berishën, Bashën apo Metën.

9. Në katër vitet që vijnë, Edi Rama do të zotërojë një shumicë e cila ka 78 vota. Kjo do ti mundësojë qeverisjen e qetë. Në rast nevoje, për reforma që do ti duhen për konsolidimin e pushtetit të tij, do të mund të sigurojë edhe shumicën me 84 vota me deputetë nga rradhët e kundërshtarëve, kryesisht PD.

10. Gjatë kësaj kohe është i rëndësishëm pasja e një opozite të fortë. Por mungesa e numrave të mjaftueshëm nga LSI e cila është një kundërshtar i motivuar dhe mungesa e eksperiecës politike nga trupa e re e deputetëve të PD dhe çorganizimi total i saj, flasin për një mot të mirë dhe detra të qeta në katër vjetët që vijnë për anijen e timonierit të PS.

11. Kush mendon se Edi Rama do të rrëzohet vetiu nga mbipesha e pushtetit që ka marrë, bën krahasimin e elefantit me mizën. Shqipëria është një bashki e një qyteti mesatar Evropian.

12. Kush mendon se do të rrëzohet për shkak të ekonomisë që nuk do të eci, e lexon në mënyrë shabllone historinë e popujve të tjerë dhe implementon në Shqipëri dhe interpreton atë vendçe. Shqiptarët nuk pëlqejnë përplasjet politike për shkak të ideve por ikjen, nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit por përshtatjen me të, nuk përpiqen për përmirësimin e ekonomisë vendase por shkojnë ta gjejnë tjetërkund. Heqja e vizave është një ndihmesë e madhe për shfryrjen e tensioneve ekonomike dhe sociale në Shqipëri./dritare.net

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*