Lideri narcizist

Nga Iris Halili*

Bazuar në Shoqatën Amerikane të Psikiatrisë (1994) narcizizmi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së superioritetit personal, një dëshirë të papërmbajtur për pushtet, bindjen se e drejta është gjithmonë në anën e tij, si dhe një mungese të theksuar empatie. Ndonëse narcizimi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, studiuesit gjithsesi besojnë se pikërisht narcizimi është forca që i drejton shume liderë drejt pushtetit, ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit.

Antropologu dhe psikoanalisti Maccoby (2004) konsideron dy tipe narcizizmi, narcizimin produktiv dhe atë jo produktiv. Anët produktive të personalitetit narcizist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren ashtu sikur anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe nevojë duke e kthyer në jo produktiv.

Po të flitet për anët e mira, bazuar tek Sankowsky (1995), narcizizmi krijon një profil mistik që e bën liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, bile deri në atë shkallë sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcizistë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcizist gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues.

Maccoby (2004) shikon gjithashtu tek lideri narcizist një aftësi gati mbinatyrale në arritje të qëllimeve, një gjenialitet krijues gati të pakrahasueshëm, si dhe një fuqi të brendshme për t’u përballur me situata të rrezikshme, apo të vështira. Njëzëri është pranuar që lideri narcizist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash, apo ndryshimesh të mëdha, vetëm lideri narcizist mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë, kemi parë në krye një lider narcizist.

Në përgjithësi personaliteti narcizit e kthen liderin në shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv, apo negativ narcizimi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte!!” Ky kompleksitet përbën edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcizist. Nëse rreshtojmë disa pika kyçe për suksesin në lidership të liderit narcizist ato janë padyshim besimi që liderët kanë tek vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim tek ndjekësit duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që e ka narcisizmin”.  Çështja ngrihet  nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe luan të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ekzekutojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcizimi prej këtij momenti? Më së shumti anët e errëta të narcizmit ngrenë krye dhe  e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato, dhe mbi të gjitha të kontrollojë – unin e sëmurë që shfaqet shumëformësh dhe ku po shënojme më të dukshmet.

Unë dhe lumi

Miti i vjetër i Narcizit që u mbyt në lum duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcizi u mrekullua me veten dhe donte ta përqafonte atë në imazhin e lumit, e humbi pa kuptuar , apo atij iu duk se në lum ishte dikush tjetër, e ai rendi ta shpëtojë, apo përqafojë?? Apo mos kemi një lum aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë u mahnit e tentoi ta prekë, por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë e ra e mbyt i dashuruar pas vetes, apo efekti pasqyrë e turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më? Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit? Kudo ta shpiem analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të rrokur veten, apo imazhin e tij ajo qe e turbulloi Narcisin apo efektet shumëngjyrëshe e formëshe të lumit e përhumbën atë?

Duke dalë nga metafora letrare bëjmë një analizë më jetësore duke përdorur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos që mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narciziane.

Po ta shtrojmë analizën tek lidershipi mund të pyesim: Janë shoqëritë narciziste që krijojnë liderë narcizistë apo vice versa? Po t’i hedhim një sy liderëve më domintantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtetë të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme, por në një pikë ata janë të gjithë bashk dhe ky është narcizimi! Kjo do të thotë se ato trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë.

Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është – lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajën . Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narciziste do prodhojë lider narcizistë.

Narcisi nuk do të ishte kthyer në mit nëse lumi nuk do ja kishte projektuar imazhin.

Unë jam sui generis

Lideri narcizist e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie speciale me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special i cili duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë e bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim tek ndjekësit. Në paradat e 1 majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Këto lloj larje truri masive ku udhëheqësi shihej si një Perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhes narcizist.

Unë duhem dashur me çdo kusht

Lideri narcizist kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcizistë janë të fiksuar të kenë nën kontroll artin që duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të.

Për mua të tjerët janë vetëm sende

Lideri narcizist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Ai i shikon përgjithësisht ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcizistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Sipas Dimaggio (2002), si dhe disa studiuesve të tjerë bashkëpuntorë me të, lideri narcizist e shikon veten si zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është dhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narciziste; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë, kthehen në diktatorë të pamëshirshëm.

Të gjithë duhet të mendojnë e veprojnë si unë

Liderët narcizist kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcizistë dhe shoqëri narciziste. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm shtojnë pushtetin e tyre, mbrojnë pushtetin e tyre dhe e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problemi më serioz në lidership nuk është çka vetë lideri përfaqëson, por çka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri ndaj dhe misioni i tyre apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë,vetë fatin e njerëzimit. Hitleri është padyshim lideri narcizist më klasik, apo më saktë të shprehemi më lehtësisht për t’u identifikuar gjerësisht si i tillë. Ai e përcolli krejt natyrshëm narcizismin e tij tek shoqëria gjermane e kohës aq sa shumë shpejt u pa që nuk patëm vetëm një lider narcizist, por një shoqëri gjermane krejt narciziste.

Fitore dhe vetëm fitore për mua

Liderët narcizistë duan të shohin vetëm fitore.

Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi humbjeje. Ndërsa paradoksalisht tek sukseset lideri narcizist gjithmonë tenton t’i theksojë si të vetat.

Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pikë sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të gjithë prapagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike qe ndërtuar të glorifikonte suksesin që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë.

Mua nuk më duhet të dëgjoj, unë vetëm jap direktiva

Ndërkohë, lideri narcizist nuk ka aftësinë të dëgjojë apo rrahë mendime. Ndonëse shfaqet sikur i pëlqen të dëgjojë, në fakt ai është më i prirë të rrethohet vetëm nga manekine.

Në këto kushte në vend që të ndërtojnë raporte njerëzore dhe të ndershme liderët narcizistë shfaqin dominancë dhe ndjejnë një kënaqësi duke i goditur të tjerët, pasi për ta jeta është një konkurrencë ku ata duhet të jenë vetëm fitimtarë (Blair, 2008). Çdo ide, vendim apo propozim duhet të dalë nga lideri narcizist. Duke krijuar këtë ai ndërton një presion mbi këdo që e rrethon. Kjo bën që në të shumtën e rasteve liderët narcizistë e kanë gati të pamundur të shfaqin tendenca të lidershipit pjesëmarrës apo bashkëpunues. Fatkeqësisht, këto tipare rriten edhe më shumë dhe fillojnë të dalin në pah kur lideri narcizist fuqizon pushtetin apo suksesin. Me fuqizimin e pushtetit këta lloj liderësh bëhen tërësisht jo tolerantë ndaj mendimit ndryshe, ndaj ideve që bien në kundërshtim me të tyren apo krijojnë argument. Dëshira parësore dhe synimi i narcizistit pas këtij momenti është përjashtimi, apo lufta e hapur ndaj kujtdo që ka forcën ta kundërshtojë, dominojë apo luftojë. Sipas Blair (2008) kjo vjen edhe sepse narcisizmi është i lidhur ngushtë me sindromën e paranojës.

Unë bëj çfarë dua

Kontrolli mbi pushtetin është synimi kryesor i liderit narcizist. Abuzimi me të është një normë e këtyre lloj liderëve. E gjitha kjo vjen pasi lideri narcizist kërkon të ketë një pushtet absolut. Këtë në përgjithësi e arrin duke emëruar individë që janë totalisht nën kontrollin e tij. Këtu fillon gradualisht abuzimi me pushtetin. Kjo dëshirë e pamatë për pushtetin dhe për të mos e humbur atë i bën liderët narcizistë shumë të rrezikshëm, pasi ata janë në gjendje të marrin çdo vendim gati ekstrem vetëm e vetëm të mos humbin kënaqësinë që u sjell pushteti. Sipas Sankowsky (1995), lideri narcizist është në gjendje t’i mashtrojë, tradhtojë dhe braktisë ndjekësit e tij vetëm në synim të ruajtjes së pushtetit personal. Duke qenë se liderët narcizistë nuk kanë empati apo nuk shohin askënd përtej vetes ata kanë aftësi të shfrytëzojnë këdo pa pasur ndonjë vrarje ndërgjegje apo keqardhje, boll të arrijnë egon e tyre personale e të egër për pushtet.

Konkluzione

Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor “unë” është aplikuar pothuaj në të gjitha rastet. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që ekziston për çdo personalitet narcizist, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës, për të çdo gjë fillon e mbaron tek vetja, tek madhështia e unit që nuk njeh kufij vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcizist nuk sheh kurrë veten por atë që ai do të shohë në të; këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore nëse ky narcizist është një lider./dritare.net

*Iris Halili jeton në Miami, Florida dhe ka përfunduar shkollën e doktoraturës në USA për “Edukim në Lidership dhe Zhvillim Organizatash”. Ky artikull botohet për herë të parë në dritare.net dhe është pjesë e librit “Për Lidershipin” që autorja do ta sjellë së shpejti pranë lexuesit shqiptar

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*