Kur Valbona Çoba kishte masat 92-60-92

Kjo intervistë, realizuar  nga Rudina Xhunga më 9 nëntor 1997 me Valbona Çobën, një nga Miss-et më të bukura shqiptare, vjen e plotë për lexuesin e dritare.net

 

Ndërsa Shqipëria po mbyllte vitin e saj më të mbrapshtë, Hirushja shqiptare po kërkonte këpucën greke, që në fakt e gjeti në Amerikë, ku aktualisht jeton me bashkëshortin Todd dhe 3 fëmijët e tyre, Aiden dhe binjakët Elira dhe Brendon.

Kur kjo intervistë u realizua, Valbona e bukur ishte vetëm 22 vjeçe./dritare.net

Nga Rudina Xhunga

Në përfytyrimin grek, Valbona Çoba nuk është më “Vajza e portës fqinjë”. “Kur ajo shfaqej në konkurs, ne ndjenim të gjithë një nyje në grykë të na ndalonte frymëmarrjen” –shkruan revista greke “T Copa”. “Një lepurush beharor” –shkruan revista tjetër “TV Tunos”. Në gazetën “AOHNATKH” të datës 12 korrik 1997 njëri prej shkrimeve që mban titullin: “Bomba nga Shqipëria shpërtheu në Greqi” tregon se: “Kur takuam trupin më të bukur, kuptuam shpejt se “Supertrupi” mban mbi vete edhe “Supertrurin”.

Ndërsa revista “Ciao” nënvizon: “Valbona Çoba, Super body ’97, hapi kuvertat e anijes për të dalë në një vend tjetër. E mori titullin me sharmin, sensualitetin, rrëzëllimin dhe zgjuarsinë.”

Dritare.net: E sapozgjuar nga gjumi, ç’mendoni ndërsa qëndroni para pasqyrës?

Mendoj se nuk jam ngopur me gjumë, mendoj se dita që kaloi ishte tejet e lodhshme dhe ndjej shqetësimin për ndonjë rreth poshtë syrit.

Dritare.net: Ç’kujdes tregoni darkave për fytyrën tuaj?

Asgjë të veçantë, thjesht fle herët. Në përgjithësi nuk bëj aspak jetë nate, nuk frekuentoj disko, apo shumë darka.

Dritare.net: Sa shpesh e ndryshoni një model flokësh?

Mua më pëlqen floku i gjatë, sepse ai bëhet dhe i shkurtër. Zakonisht unë nuk mbaj gjatë të njëjtin model, madje e ndryshoj edhe përditë. Ndërsa për sa i përket ngjyrës, preferoj ngjyrën time, të zezën, por herë-herë, përdor edhe të kuqen, ose kafen.

Dritare.net: Cilat janë përmasat tuaja?

92-60-92

Dritare.net: Janë këto edhe përmasat e ndonjë topmodeleje të njohur?

Të Klaudia Shifer, veçse me një ndryshim, beli i saj është 61.

Dritare.net: Po pesha, gjatësia dhe mosha?

1.75 cm e gjatë, peshoj 55 kg, jam 22 vjeç.

Dritare.net: Pas dushit të mëngjesit, e zhveshur para pasqyrës, cilën pjesë të trupit tuaj vëzhgoni më shumë?

Nuk di si tingëllon kur them: “Më pëlqen trupi im, më pëlqen çdo pjesë e tij.” Ndoshta shumëkujt do t’i dukesha vanitoze, ndaj më mirë po e lë pa përgjigje këtë pyetje.

Dritare.net: Sa rëndësi i kushtoni fizkulturës?

Fizkulturën e kam nisur që në Shqipëri. Në Greqi e shtova masën e ushtrimeve, ndërsa tanimë, i kushtoj më pak kohë, pasi më duket se i kam marrë dozat e nevojshme.

Dritare.net: A përdorni tualet të rëndë para se të dilni jashtë?

Preferoj tualetin e lehtë, të rëndin e përdor vetëm kur punoj dhe për këtë kujdeset grimierja. Ndonëse mua më duket se më mirë se vetja, askush nuk i ka të qarta të metat e fytyrës tënde, që duhen mbuluar, apo ato ç’ka duhen vënë në pah.

 

Dritare.net: Cilat veshje preferoni?

Më pëlqejnë veshjet sportive, ndonëse këtu ka një problem. Nëse Klaudia Shifer vjen në Greqi e veshur me xhinse dhe bluzë të shkurtër, shumëkush do thotë për të: “Sa bukur”. Ndërsa për mua jo pak herë kanë thënë: “Shqiptare, kaq di të vishet”. Ndoshta do qeshni, por jo pak herë më ka ndodhur të shoh ndonjë nga rivalet e mia greke, e cila pasi unë kam hequr xhaketën, ka rendur të shohë se ç’firmë ka.

Me pak fjalë më duhet të zgjedh veshje të firmuara. Preferoj Amani për xhinset, Valentino për veshjet e mbrëmjes. Ndërsa parfumi i preferuar është Dolce Gabbana.

Dritare.net: Pasi jeni veshur, trukuar dhe bëheni gati të dilni nga shtëpia, a e keni një frazë hajmali që ia pëshpëritni vetes?

Më pëlqen të autosugjestionohem nga pak dhe i them vetes: Sot është një ditë tjetër, padyshim më e mirë, padyshim ndryshe, ndaj shpejt Bona, dil nga shtëpia dhe mos humb asnjë moment.

Dritare.net: Në Tiranë media merret me ju. Kështu ndodh dhe në Athinë?

Nuk kam marrëdhënie shumë të mira me gazetarët grekë, sepse shkruajnë çfarë duan për mua dhe jo gjithmonë është e vërtetë. Pastaj janë shumë më të ngjitur e këmbëngulës se gazetarët shqiptarë. Duan patjetër të shohin me sytë e tyre, çfarë ha, si vishesh, kë rreth frekuenton, kë ke të dashur, ku i blen ushqimet e gjithçka është jeta jote private. Shpesh herë, për të mos thënë gjithmonë, unë nuk i përgjigjem ftesave për intervista, duke përjashtuar vetëm rastet, kur më detyron agjencia ime.

Megjithatë, ndonëse u ankova shumë, mund të them se shtypi grek më ka më tepër në qendër të vëmendjes se ai shqiptar. Kjo për mua është e kuptueshme, sepse atje punoj, ndërsa për Shqipërinë kam mbetur Miss Buzëqeshja dhe gati askush nuk i di çmimet që kam marrë unë.

Dritare.net: Cilat janë çmimet që ju keni marrë në 3 vjet kohë qëndrimi në Greqi?

Pas një viti e gjysmë punë në Greqi mora çmimin Top Model ndërsa këtë vit, në konkursin e madh grek “Play Mate ’97”, mora çmimin “Super body”

Dritare.net: Andaj keni ardhur në Tiranë, të tregoni për çmimin?

(Qesh) Kam ardhur për arsye personale dhe më duhet të iki shumë shpejt.

Dritare.net: Nuk do të qëndroni as për të prezantuar festivalin?

Këtë nuk e kam ndërmend aspak dhe e kam dhënë Jo-në time.

Dritare.net: Me prezantimin e Festivalit të vjetshëm, më shumë humbët, apo fituat?

Fitova kënaqësinë e të qenit prezantuese në skenën shqiptare, fitova duartrokitjet e publikut shqiptar, por humba shumë financiarisht. Kjo jo vetëm se gjithë shpenzimet e ardhjes etj., i pagova vetë, por edhe pse humba gjithë ofertat për publicitet që janë pafund në kohë Krishtlindjesh.

 

Dritare.net: Ndonëse fituat çmimin Miss Fotozhenia, kjo s’ju kënaqi. Pretendonit kurorën e Miss-it?

Unë u mërzita dhe kjo u kuptua në televizion. Megjithatë nuk bëra krahasime me vajzën fituese, por u përpoqa të çaja ndryshe, siç dhe bëra.

Jam ambicioze, por jo e keqe në ambicien time.

Dritare.net: U larguat nga Shqipëria e pakënaqur?

Edhe e pakënaqur, por e qartë në çfarë më priste dhe e sigurt se unë meritoja shumë. Pastaj mu desh të konkurroja në një konkurs fotografish në Itali, pas të cilit fitova të drejtën të hyja në kanalin e Berluskonit. Mandej për arsye familjare e lashë Italinë për të shkuar në Greqi, ku hyra në konkursin për të marrë pjesë në spektaklin televiziv “Tre, dy, një”.

Aty, nga 150 vajza, fituan vetëm tre, njëra prej të cilave isha unë.

Dritare.net: Për të shtyrë një derë, zakonisht të duhet fat. Si u paraqit fati për Valbonën: në formën e një burri të dashuruar, të një regjisori, apo një menaxheri spektakli që sapo ju pa…?

Për fatin s’kam shumë për të thënë, sepse ai kurrë nuk ka ardhur kur duhej dhe sa duhej. Sa për burra të dashuruar, regjisorë, apo menaxherë, mund të them se fillimisht të gjithë i kam pasur armiq. Me kalimin e kohës diçka ndryshoi. Sidoqoftë fakti që ka shumë njerëz, të cilët më sulmojnë, për mua interpretohet si vlerë personale.

Dritare.net: Pas përfundimit të emisionit grek, ç’ndodhi me ju?

Dalja në atë spektakël më bëri popullore dhe të dashur. Njerëzit në rrugë më tregonin me gisht dhe më përshëndesnin, mu afruan shumë oferta pune dhe unë shpejt nisa rrugën e mirëfilltë të modeles. Tani jam modele në agjencinë Ace Model Management, nga më të njohurat në Greqi, ku veç meje ka dhe shumë vajza të huaja. Aty sfiloj, bëj reklama, fotografi për revista. Ndërkaq vazhdoj dhe studimet në vitin e dytë të artit dramatik. Kjo shkollë shpresoj të më ndihmojë, pasi të lë pasarelën, për t’u bërë aktore.

Dritare.net: A keni mundur të merrni ndonjë rol deri tani?

Role në seriale televizive. Ndërkaq më është ofruar një rol në një film që do të xhirohet në Greqi me aktorë amerikanë. Regjisori është i mirënjohuri Nikos Mastorakis.

Dritare.net: Ju është dashur shpesh të fshihni të vërtetën e të qenit shqiptare?

Asnjëherë në intervistat e mia. Tashmë të gjithë e dinë se jam shqiptare. Por ka ndodhur, si për shembull në rastin e emisionit “Tre, dy, një”, kur prezantuesja tha se jam italiane, ngaqë në atë kohë zhvillohej gjyqi kundër Omonias dhe në Greqi zemërimi kundër shqiptarëve ishte shumë i shprehur. Gjithashtu kur mora pjesë në konkurrimin ku dhe fitova çmimin për trupin më të bukur, erdhi një moment kur duhej të më përjashtonin nga konkursi pse nuk isha greke. Atëherë organizatorët më bindën të them se kam lindur në Athinë.

Dritare.net: Kush më tepër ju bën të ndiheni keq pse jeni shqiptare?

Një biznesmen që do të bëjë një reklamë, nuk interesohet për prejardhjen time, por problemi i vërtetë është nga vajzat rivale dhe menaxherët e tyre, të cilët kanë arritur shpesh herë dhe të më kërkojnë pasaportën. Vajzat shpesh herë tregojnë barsoleta me shqiptarët, ose rrëfejnë për ndonjë vjedhje, apo krim që ata kanë bërë në Greqi, duke dashur të më bëjnë të ndihem keq. Mundohem të mos i dëgjoj, ose t’ju tregoj se njerëz të këqij ka kudo, si në Shqipëri dhe në Greqi, sikundër ka njerëz të mirë kudo. Mundohem gjithmonë të mos rri e heshtur, kur bëhet fjalë për të mbrojtur vendin tim. Gjithashtu kam probleme me pagën. Duke mos qenë greke unë detyrohem të ndaj të ardhurat në mënyrë të barabartë me agjencinë ku punoj. Pra shfrytëzohem dyfish krahasuar me vajzat greke. Por për këtë nuk mund ta ngre zërin.

Dritare.net: Po marrëdhëniet tuaja me meshkujt grekë si janë? Sa josh dhe si refuzon Valbona Çoba?

Është një marrëdhënie që më ka prishur punë, sepse ata joshen dhe vijnë, por kur unë refuzoj, përpiqen të më prishin punë. Ata kërkojnë vetëm vajza të bukura, por unë s’mund të jem vetëm kaq.

Dritare.net: “Vajza që çmendi aristokracinë greke”. Në fakt kë keni çmendur ju?

Aristokracinë greke, siç thotë revista.

Dritare.net: Dhe ku mund t’i takoni këta aristokratë?

I tillë është rrethi që duhet të frekuentoj për hir të punës që bëj. Stilistët, modelet, artistët janë gjithherë të preferuar në ambiente të tilla.

Dritare.net: Ju jeni gjithmonë e shoqëruar nga i dashuri juaj në mbrëmje të tilla?

Unë nuk kam të dashur për momentin, pasi një histori dashurie do më shkëpuste nga puna dhe duke më shoqëruar me shumë xhelozi, do më bënte të ndryshoja mënyrën e jetesës.

Dritare.net: Nuk keni provuar kurrë të dashuroni?

Kam provuar.

Dritare.net: Ai ka qenë një bukurosh i pasur?

Nuk janë këto që më interesojnë. Unë dashurohem me një njeri i cili ka botë të brendshme të pasur.

Dritare.net: Pra shumë shpejt ju do të martoheni me një aristokrat grek me botë të brendshme të pasur, i cili do ju hapë dyert e jetës?

Kjo hapja e dyerve të jetës nuk më duket shumë e sigurt. Sidoqoftë për martesë s’bëhet fjalë. Është karriera që më intereson kryesisht.

Dritare.net: Për hir të karrierës mbi çfarë pranon të shkelë Valbona?

Asnjëherë mbi vetveten. Dhe kjo më duket e rëndësishme. Dua që asnjëherë të mos më vijë turp për ç’kam bërë.

Dritare.net: Përdorni drogë, alkool, cigare?

Herë–herë cigare, as alkool, as drogë, megjithëse në rrethin tim ato përdoren shumë.

Dritare.net: Kur keni pozuar nudo për herë të parë?

Asnjëherë nuk kam pozuar nudo, edhe pse më është kërkuar shpesh. Por po e bëra këtë, s’do të jem më vajza enigmë për grekët, siç kam qenë deri tani. Unë nuk e paragjykoj këtë, por s’më pëlqen.

Dritare.net: Kur vitet të kalojnë dhe bukuria mos të jetë më arma juaj më e fortë, ç’do bëni?

Unë jam rastësisht e bukur, andaj as tani që jam në kulmin tim, s’mund të them se kjo është arma ime më e fortë. E rëndësishme është se jam aq e mençur sa të kuptoj, ç’vlerë ka zgjuarsia në jetë. Vitet do ikin sigurisht dhe unë nuk do plakem në pasarelë. Kam përshtypjen se veç dëshirës për t’u bërë aktore, kam edhe talent. Më pas të shohim. Asnjëherë s’mund të dish me siguri ç’do bëhet me ty. Me siguri mund të dish vetëm ç’kërkon, por jo ç’do marrësh…

Dritare.net: I thoni Greqisë faleminderit?

Greqia më ka ndihmuar padyshim, por edhe më ka shfrytëzuar. Pra më ka dhënë, sa më ka marrë. S’di në thuhet në të tilla raste faleminderit.

Dritare.net: Keni filluar të ëndërroni për Hollivudin?

Padyshim. Nga momenti që një njeri dëshiron të bëhet aktore, Hollivudi është personifikimi i kësaj dëshire. Ndoshta një ditë do e hap atë derë…, por për ta mbyllur përsëri. Fundi i të gjithave, përmbyllja dhe suksesi i vërtetë, ai që të lumturon më tepër se gjithçka, i përket vetëm Shqipërisë. Një ditë të bukur do them, mjaft dhe do të kthehem në vendin të cilit i përkas, të vetmit që i them me plot gojë: Faleminderit.

FLET NËNA DHE MENAXHERJA E VALBONËS

Dritare.net: A mund të jetë një shqiptare nënë dhe menaxhere?

Është pak e vështirë. Gjithë jetën time kam dëshiruar të jem një nënë e mirë dhe jam përpjekur të përsos mënyrën time të dashurisë ndaj fëmijëve. Por mund të them se sado largpamëse kam qenë, s’kam menduar kurrë të bëhesha menaxhere e bijës sime. Në këtë rol nisin lodhjet e paparashikuara dhe kënaqësitë e jashtëzakonshme. Valbona më dha një shans, që rrallë nëna e kanë pasur. Mund ta ketë provuar nëna e Klaudia Shifer, e cila është dhe menaxherja e së bijës, por ajo i përket një ambienti të njohur hershëm me pasurinë, ndërsa mua më është dashur të bëj punë të sforcuara dhe të lodhshme, për të fituar jetesën, e njëkohësisht të kujdesem për gjithë detyrimet e një menaxhereje. Sidoqoftë Valbona ma ka shpërblyer, sepse më ka dhënë kënaqësinë e të qenit star dhe një bijë shumë e mirë.

Dritare.net: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen për Valbonën?

Valbona ka fituar tashmë njëfarë pjekurie si vajzë dhe si modele dhe kjo më jep shumë kënaqësi, por asnjëherë maksimumin, sepse po të kënaqesha me pak, Valbona duhej të pushonte tani dhe të mos ëndërronte të kapte të pamundurën.

Dritare.net: Nuk ju duket se një menaxher i suksesshëm do e ndihmonte më shumë Valbonën?

E kemi provuar, ndonëse s’i kemi mundësitë financiare, por nuk ka dhënë rezultate. Sepse unë si menaxhere, nuk shikoj përfitimin tim material, por të ardhmen. Unë pranoj oferta dhe me pak para, por që krijojnë mundësira të mëvonshme, gjë që s’do e bënte kurrë një menaxher. Pastaj një menaxher nënë ka shpirt dhe shpirti të jep krahë, të mban fort psikologjikisht, gjë për të cilën ka aq nevojë një modele, një artiste.

Dritare.net: Nëse Valbona vjen një ditë dhe ju thotë se pret një fëmijë nga djali që dashuron, do fitonte nëna, apo menaxherja tek ju?

Unë e kam shoqe para se ta kem bijë. Jam unë që mendoj për ngacmimet sentimentale të saj. Unë interesohem që ajo të ndihet femër, të ketë admirues, të dalë dhe shëtisë. Nëse është një njeri me të cilin ia vlen të dalësh, ia vlen ta duash, unë përpiqem t’i krijoj mundësi Valbonës për të dalë dhe lënë pas dore edhe ndonjë punë të vogël. Pra përpiqem me të gjitha mënyrat të çlodhet dhe të jetojë jetën e një vajze 22 vjeçare.

Dritare.net: Jeni e lumtur?

Jam e lumtur, jam dhe e lodhur. Kam herë-herë ankthe, pasiguri, probleme, të cilat duhet t’i kaloj vetë, për të mos e shqetësuar Valbonën. Por në fund të fundit kur mbështes kokën në jastëk mendoj: Jam një nënë e kënaqur, jo se kam një vajzë të bukur, por pse kam një vajzë të mbarë. “Lum si ti”- më thonë grekët shpesh herë -“Ajo është kaq e sinqertë.” Kjo është e vërtetë. Nëse Valbona do ta kishte humbur sinqeritetin në Greqi, do kishte humbur vetveten dhe nuk do ishte bërë ajo që është./dritare.net

Copyright dritare.net/ Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë

 

Behu i pari për te komentuar

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*